Nenshkruhet ne Beograd marreveshja mes ATSH dhe TANJUG

BEOGRAD, 23 Korrik/ATSH/ -Në vijim të zgjerimit të komunikimit me agjencitë partnere dhe në mënyrë të veçantë me agjencitë e vendeve të rajonit ATSH është bërë një pikë e rëndësishme referimi.

Në këtë kuadër u nënshkrua sot në Beograd marrëveshja e bashkëpunimit midis ATSH dhe Agjensisë së lajmeve TANJUG. Marrëveshja parashikon shkëmbimin e lajmeve midis dy agjencive, por edhe të fotove e videove, të cilat do t'i mundësojnë publikut të dy vendeve më shumë informacion për ekonominë, turizmin, traditat kulturën etj.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori I Përgjithshëm i ATSH-së, z. Gëzim Podgorica dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë TANJUG, znj. Branka Djukic.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm lidhur me rëndësinë e kësaj marrëveshje z. Podgorica u pergjigj se, "akti i nënshkrimit të sotëm është pjesë e komunikimit shumë të mirë mes dy vendeve. Informacioni që do të përcjellin dy agjencite tona besoj do t'i shërbejnë në të ardhmen interesit publik që kanë dy vendet".

"Shqipëria dhe Serbia janë shumë afër me njëri- tjetrin gjeografikisht dhe është e nevojshme të dinë për zhvillimet respektive, tha ndër të tjera z. Podgorica.

Nga ana saj, Drejtorja e Përgjithshme e TANJUG, Branka Djukic falenderoi kolegun e saj Podgorica për gadishmërine e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, e cila siç tha ajo, "është një ure e shtuar në komunikimin mes dy vendeve".

Në vijim të bashkëpunimit institucional, ATSH ka nënshkruar në tetorin e 2014 një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi edhe me agjencinë kuvajtiane të lajmeve KUNA, një delegacion i së cilës, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i KUNA, Sheikh Mubarakh Al-Deaj Al - Sabah, vizitoi Tiranën në datat 19-21 korrik.

ATSH gjithashtu ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me agjenci të ndryshme në rajon, Europë dhe më gjerë. /f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama