Greqia
Të dy prindërit emigrantë duhet të jenë banorë të ligjshëm dhe do të nevojiten gjashtë vjet shkollë. Brezi i dytë i emigrantëve të cilët shpresojnë të marrin nënshtetësinë greke, sipas ligjit të ri të propozuar nga qeveria, do të kenë ligje më të ashpra sesa u trumpetuan në fillim.
PASOK-u paraqiti projektligjin e rishikuar në parlament dhe ku shpejt u vu re se disa nga kushtet për të marrë nënshtetësinë janë shtrënguar që në kohën kur filloi konsultimi me publikun dhe kur u përfol se marrja e nënshtetësisë ishte shumë e lehtë. Sipas kritereve të reja, një fëmijë i lindur në Greqi me prindër emigrantë, duhet që prindërit e tij të kenë qëndruar ligjërisht për 5 vjet aty para se të fitojë nënshtetësinë, ndërkohë që më pare mjaftonte që të ishte i ligjshëm vetëm njëri prej prindërve. Gjithashtu, fëmija duhet të provojë se ka kryer gjashtë vjet arsimim në shkollat greke në krahasim me tre vjet që u propozua fillimisht. Një ndryshim i madh nga plani fillestar është se aplikuesit duhet të kenë dhe letra rekomandimi nga tre shtetas grekë. Ligji i propozuar gjithashtu do të lejojë brezin e dytë të emigrantëve të votojnë në zgjedhjet lokale dhe të jenë këshilltarë bashkiakë pasi të fitojnë nënshtetësinë dhe të provojnë se kanë aftësi të mira të greqishtes. Ministria e Brendshme bën të ditur se ky projektligj do të lejojë 250 000 vetë që të votojnë në zgjedhje pasi të fitojnë nënshtetësinë. Ministri i Brendshëm, Janis Ragusis, u shpreh se ligji do të zbatohet për çdo emigrant që ka qenë i ligjshëm që nga janari i vitit 2005. Pavarësisht kritereve të rrepta të projektligjit të ri, Demokracia e Re sërish kritikoi për tolerime. "Çdo kriter i propozuar nga qeveria për emigrantët është në nivelin më të ulët në Evropë për të fituar nënshtetësinë", u shpreh zëdhënësi Panos Panajotopulos. Ndërkohë, këshilli i kishës greke u shpreh se nuk besonte se projektligji do të ndikonte efektshëm për zgjidhjen e problemit të emigracionit në vend.
Italia
Brenda 24 muajve, një ekstrakomunitar duhet të mësojë italishten, të mësojë Kushtetutën, të regjistrohet në sistemin shëndetësor dhe t'i dërgojë fëmijët në shkollë. Nëse do t'ia dalë mbanë, do të fitojë 30 pikët e nevojshme. Nëse do t'i afrohet kësaj shifre, do të përfitojë edhe një vit shtesë. Nëse mbetet në zero, do të dëbohet. Kush dënohet, edhe jo në formë të prerë, me një dënim jo më pak se tre muaj do t'i hiqen të gjitha pikët dhe do të largohet nga Italia. Ky është sistemi që pas dy muajsh pritet të hyjë në fuqi në Itali për emigrantët në rastet që ata duhet të marrin lejen e qëndrimit. Një sistem i tillë pikësh është propozuar nga ministri i Brendshëm dhe ai Punëve dhe Çështjeve Sociale në Itali. Ministrat e cilësuan atë si një "marrëveshje integrimi". "Kemi diskutuar rregulloren, - u shpreh ministri i Brendshëm Maroni, duke u bazuar në një "marrëveshje integrimi" me emigrantin në momentin e dhënies së lejes së qëndrimit. Në marrëveshje përkufizohen objektiva të qartë që duhen arritur në dy vitet e vlefshmërisë së lejes. Më pas do të jetë një vlerësim prej një paneli lidhur me arritjen e këtyre objektivave. Nëse do të jenë arritur, do të bëhet rinovimi i lejes, në të kundërt, do të dëbohet". Ministri Maroni u shpreh se kjo do të kontribuojë për të arritur objektivin e njohjes së gjuhës italiane, punës dhe shtëpisë. Marrëveshja e integrimit do të zbatohet vetëm për lejet e reja të qëndrimit dhe s'do të ketë asnjë kosto për emigrantin.
"Gjithçka do të jetë në ngarkim të Ministrisë së Brendshme, - tha ai. - Do të kemi kështu nën kontroll organizimin dhe do të garantojmë një standard për gjithë vendin". Marrëveshja është fryt i punës së specialistëve të Ministrisë së Brendshme dhe të Punëve Sociale dhe që së shpejti do të hyjë në fuqi. Marrëveshja nënkupton një kartë për emigrantin i cili duhet të arrijë 30 pikë në dy vjet. Pas dy vjetësh shteti do t'i japë një zgjatje prej një viti dhe nëse akoma nuk ka arritur të marrë pikët minimale, nuk do t'i jepet leja e qëndrimit. "Marrëveshja thekson përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet e personit. Parashikon detyrimin për t'u nënshkruar në shërbimin shëndetësor, të mësojë gjuhën italiane dhe të sigurojë një edukim të vazhdueshëm për fëmijët e tij",- tha ministri i Brendshëm.
Nga : Gazeta Shekulli