Po kështu tingëllimin që ngjyra rozë e ftohtë e jep te vepra e Stefan Taçit. Ajo kishte një paraprirje nga disa lloje të kuqesh dhe portokallish të ngrohta në sfond, që bënin pastaj modulimin për të arritur te pinku i pastër, i cili ishte aq harmonik me shikimin e një vajze të vogël që na vështron me vëmendje... Avenir Sadikaj kishte realizuar sipërfaqe mjaft delikate të pasuruara me sfumatura të pakapshme. Bashkim Dervishi si gjithmonë i përkryer në realizimin e detajeve paraqiti tablonë ”Rozafa” ku evidentohej më shumë ana e intrigës”. Por, autori evidenton dhe më të rinjtë si Ledia Kostandini, Brikena Berdo, apo të mirënjohurën Merita Selimi me talent në shfrytëzimin me fantazi të lëvizjeve që mund të nxjerrë lapsi (e vetmja me krijimtari grafike). Por padyshim mrekullia edhe këtë vit ishte ekzistenca e emrave të tillë si S. Shijaku, H. Nallbani, K. Buza,V. Kilica, K. Dilo, Z. Shoshi, N. Progri. Që gjithsesi të gjithë bashkë ende s’thonë ndonjë gjë për planet e MKRS-së.
Në çfarë stadi artistik mund të quhet prurja e këtij viti e “Nëntorist-ëve”, krahasuar me vitet e mëparshme...
“Ekspozita e përvitshme e pikturës “Nëntor” këtë vit organizoi edicioni e saj të 13-të. Një kolege po me tregonte se kur një veprimtari organizohet 3 vite rresht në Zvicër e merr nën mbrojtje shteti, sepse gjallëron krijimtarinë e artistëve që marrin pjesë. Kurse e kundërta ndodh tek ne. Ndërsa ne, s’kemi marrë asnjëherë sponsorizim nga MTRKS-ja. Pa protestuar, ndjej shqetësim për mungesën e njohjes së skenës artistike pamore nga drejtoria e kulturës pranë këtij institucioni, ku mungon një specialist dhe punën e kryen një person që nuk ka lidhje me artin. Pavarësisht këtyre vërejtjeve dhe mangësive ekspozita e përvitshme e pikturës “Nëntori” ka ardhur duke u zgjeruar. Sivjet kishte 37 artistë. Katër prej tyre, po të drejtimit figurativ, ishin nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Kjo u mundësua falë sponsorizimit nga ana e SCP për Ballkanin”.
Ka shumë artistë të grupimit tuaj, që e kanë ruajtur të njëjtën natyrë pune, shprehje...A mund të themi tashmë se një pjesë e grupimit tuaj kërkon brenda një kornize të caktuar...
“Pjesa më e madhe i janë përkushtuar krijimit ashtu siç duhet dhe bindjet, ndjesitë dhe idetë e tyre kanë triumfuar mbi përfitimet ekonomike. Ekspozitën e mirë e bën serioziteti me të cilën e marrin piktorët krijimin. Secili artist gjithmonë ka mundësi për më shumë dhe mendoj se pat disa syresh që kishin bërë maksimumin. Pa përjashtuar dhe disa që ishin më pak tërheqës, kjo si veti e mosangazhimit apo këtë vit nuk patën një gjetje me interes në veprat e tyre. Këtu nuk përdoret kriteri i seleksionimit pasi autori kur ftohet në ekspozitë sjell çfarë mendon. Nuk mund ta fshehim se kjo liri është e mirë për shumë krijues, por ka një të metë se lë vend për ndonjë abuzim. Nuk kemi si e korrigjojmë. Nuk ka formula të përsosura. Artisti serioz e çmon mundësinë që i është dhënë për ta parë krijimin e tij në mes të kolegëve dhe për të nxjerrë konkluzione, të cilat e ndihmojnë për të ecur përpara. Shumë prej tyre e kanë preokupimin e tyre vjetor veprën që do të realizojnë për ekspozitën ‘Nëntor’”.
Jeni kuratori i edicionit të fundit. Çfarë do të donit të evidentohej më shumë në artin tuaj...
“Motoja e kësaj ekspozite në të gjitha edicionet e saj ka qenë gjuha figurative dhe shfrytëzimi sa më mirë i paletës koloristike. Kjo moto nuk ka qenë rastësisht. Ideatorët e saj Ll. Blido dhe S.Taçi që në fillim formuan piketat se çfarë do të stimulohesh duke u mbështetur tek arritjet tona ne art. Dy pikat me të rëndësishme të pikturës që janë ngjyra dhe vizatimi të jenë sa më të aktivizuara. Pas viteve ‘90 shumë krijimtari u tronditën duke u transformuar. Secili krijimin e ka pronë të tij dhe mund ta përdorë si të dojë, por u mendua se gjuha artistike e arritur me pasion është më e garantuar për krijimet artistike dhe e formuar në kohë ka pasur mundësi që të pasurohet. Ajo i jep më shumë mundësi se gjuha e tjetërsuar, ku çdo duhej si të them ngritur nga e para dhe mund të plagosej pa dashje nga ndikimet prej artistëve të mëdhenj ndërkombëtar. Artistë, të cilët ruanin mjaft nga gjuha e tyre ishin të përzgjedhur që në fillimet e saj.
Ne kemi pasur piktorë të mirë që dinin të vizatonin dhe të pikturonin. Këtu mund të flas për artistë të tillë si Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Danish Jukniu, LLambi Blido,Vilson Kilica, Naxhi Bakalli, Avenir Sadikaj, Gazmend Leka, Edi Hila, Sali Shijaku etj., të cilët me krijimet e tyre kanë ndezur zjarrin e pasionit tek ato artiste që donin të shpreheshin me këtë gjuhë”.
Si ndjehet kërkimi i elementëve të rinj bashkëkohore, në punën e Grupimit tuaj?
“Pas ekspozimit është e natyrshme të bëhen pyetjet se çfarë u arrit, sa të reja kemi, si janë zgjidhur problemet profesionale, sa janë këto arritje, si janë shfrytëzuar, sa fantazi dhe konsekuencë ka në to, sa e kanë ruajtur artistët anën e sheshtë të veprës ku ajo të mos krijojë thellësi, pasi është mjaft e bezdisshme për syrin. Kjo nuk është një gjë e thjeshtë për tu bërë pasi kërkesa që ka kjo anë mund të frenojë artistin për ta fuqizuar emocionin. Ekuilibrin e gjen vetë autori. Mendoj se këto janë problemet e pasurimit të gjuhës profesionale. Mund të ndalem tek gjuha vizuale që përdor Ardian Devolli. Me një reliev të lehtë plot lëvizje ndërtohet sipërfaqja e tablosë.
Ngjyrimi me një jeshile të thellë, e cila ndriçohet nga gritë e argjenda dhe një të arte formohen linjat e peizazhit mjaft të thjeshtuar. Thjeshtimi dhe përgjithësimi është karakteristikë e tij. Në këtë tablo mendoj se arriti një pikë të lartë. Tek Robert Guci dominonte jeshilja në kulmin e forcës së saj. Është një aventurë për të zhdukur objektin dhe ku të dominojë ngjyra në fillim dhe pastaj objekti. Është kërkesa për të shfrytëzuar fuqinë që ka ngjyra e pastër në vetvete. Qe një përpjekje rezultative. Ajo futesh në ato vepra që vërtetë ndrisnin në ekspozite. Vilson Kilica ka arritur një harmoni qoftë dekorative por edhe mjaft profesionale.
Ndërsa tek vepra e Aleksandër Filipit, për mendimin tim, stilistika e kësaj vepre erdhi pas një përvoje të gjatë në këtë drejtim. Sfondi dekorativ i mbajtur shesh dhe me linja si të një vizatimi teknik shërben për të evidentuar vëllimin e figurave. Po kështu për tu përshëndetur janë dhe krijimet e B. Kacelit për penelatat e freskëta dhe vizatimin tërheqës ndërsa, K. Buza kishte krijuar një loje midis një sfondi dinamik në interpretim por pa vëllim dhe objektit figurativ etj. Sivjet pjesëmarrës ishte edhe një artist me emër në artin tonë, Gazmend Leka. Ai solli një prej veprave të realizuara këto kohë. Subjekti ishte mjaft prekës dhe i referohej humbjeve të mëdha që ka pësuar kombi ynë gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve. Bëhej fjala për njerëzit e humbur apo qe nuk janë gjetur. Viktimat e Otrantos, kosovarët e zhdukur nga represionet serbe. Ishte një rekuiem i ndërtuar profesionalisht dhe shume mirë. Zonat e tablosë ishin ritmike në heshtjen e tyre. Ashtu si një vepër e ndjeshme për situatën në vend ishte vepra e Agron Mesit ‘Anarkiteture’.