Arkeologu Neritan Ceka, njëkohësisht këshilltar i Kryeministrit Berisha për çështjet e trashëgimisë, bëhet pjesë e debatit për trashëgiminë, duke komentuar situatën aktuale në këtë fushë. Sipas zotit Ceka, nuk ka konflikte dhe përplasje mes institucioneve shqiptare, siç kishte deklaruar arkeologu anglez Richard Hodges në një intervistë të dy ditëve më parë. Ceka thekson se për të, problemi kryesor qëndron në pengesat e Ministrisë së Kulturës për të vënë në jetë reformën e trashëgimisë, hartuar sipas vizionit të qeverisë për turizmin kulturor. Në intervistë, arkeologu shprehet se MTKRS-ja gjendet në kolaps për menaxhimin e trashëgimisë, ndërkohë që ngre akuza ndaj zyrave të UNESCO-s që menaxhojnë fondet në Shqipëri. Zoti Ceka i referohet pikërisht fondit të Qeverisë spanjolle për Muzeun Kombëtar. Sipas tij, pjesa më e madhe e këtij fondi është shpenzuar për projekte e raporte që nuk i duhen askujt, në vend që të shkonin për rikonstruksionin e Muzeut Kombëtar. Të njëjtën situatë e sheh edhe për fondet e tjera që vijnë për trashëgiminë. Ceka thekson se këto marrëdhënie duhet të ndryshojnë dhe fondet e trashëgimisë duhet të kalojnë nga Instituti i Monumenteve.
Në një intervistë të para dy ditëve, arkeologu anglez Richard Hodges theksoi se institucionet shqiptare të trashëgimisë janë në përplasje të vazhdueshme me njëri-tjetrin në dëm të pasurisë. Sa qëndron ky konstatim i tij për ju?
Unë nuk mendoj se ka konflikte apo përplasje mes institucioneve, ashtu siç pretendon zoti Hodges, sepse te ne ka një institucion të vetëm në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, dhe është Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pjesa e studimit, përfaqësuar nga Instituti i Arkeologjisë është zhvendosur në Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe marrëdhënia e këtyre dy institucione mund të quhet e zgjidhur me ngritjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë nga përfaqësues të të dyja palëve, ku vendoset për të gjitha projektet që do të realizohen në mënyrë që të bëhen jo vetëm gërmime, por të jenë të mbrojtura edhe objektet. Çështja qëndron te Ministria e Kulturës, e cila është në kaos për sa i përket menaxhimit të monumenteve, në drejtim të kundërt me politikën e qeverisë. Që në krijimin e qeverisë, Kryeministri Berisha e bëri të qartë se prioritet do të ishte nxitja e turizmit kulturor. Për këtë qëllim u iniciua një reformë e cila synonte ta orientonte menaxhimin e kësaj pasurie drejt këtij synimi për të përfshirë në destinacione turistike jo vetëm Butrintin, Apoloninë, Durrësin, por edhe qendra të tjera që kanë qenë të shkëputura si Bylisi, Selca, Antigonea e Finiqi.
Në të gjitha këto qendra arkeologjike u realizuan rrugë të asfaltuara me fonde të veçanta të qeverisë. Nga ana tjetër, MTKRS-ja ka bërë hapa prapa dhe ka qenë pengesë e realizimit të këtij programi: nuk ka asnjë strategji, asnjë dokument, asnjë iniciativë që vjen nga ky institucion. Përkundrazi, vendimi i Këshillit të Ministrave i 12 nëntorit 2011 për krijimin e një agjencie për menaxhimin e të gjithë uniteteve që janë shpërndarë në të gjithë vendin (drejtori rajonale, muze arkeologjikë dhe parqe arkeologjike), kompetencat e së cilës do t’i marrë Instituti i Monumenteve, nuk është vënë akoma në jetë nga ky institucion. Zyra e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës nxjerr pengesa burokratike për zbatimin e kësaj reforme që synon të vihet rregull në këtë ushtri prej 290 personash që paguhen sot në fushën e trashëgimisë kulturore.
Produkti i punës së kësaj armate që konsumon dhjetë herë më shumë fonde se në kohën e diktaturës, është për fat të keq minimal. Gjendja e monumenteve në 90% të tyre është kritike. Vetëm pak ditë më parë u vodh pjesa e mbetur nga ikonostasit të Kishës së Shën Thanasit dhe nuk pati asnjë reagim nga MTKRS-ja, ashtu siç nuk pati edhe për vjedhjen e Muzeut Etnografik të Elbasanit. Për mua problemi kryesor nuk është konflikti imagjinar midis arkeologëve dhe restauratorëve, por padëshira e burokratëve të MTKRS për të hequr dorë nga menaxhimi i gabuar i pasurisë kulturore, i cili ka sjellë pasoja katastrofike, dhe për t’ia lënë atë institucionit të specializuar, siç e ka vendosur Këshilli i Ministrave.
Në një studim të mbështetur nga UNESCO, duke folur kryesisht për parqet arkeologjike, specialisti italian, Sebastiano Tusa, në kundërshtim me çfarë sugjeroni ju në reformën e hartuar, propozonte një pavarësi ekonomike dhe kompetencash për parqet arkeologjike?
Unë nuk shoh ndonjë ndryshim midis asaj që propozon Tusa dhe reformës që është propozuar të bëhet. Në këtë reformë, Parku Arkeologjik i Butrintit do të marrë statusin e një drejtorie rajonale dhe personeli i tij do t’i nënshtrohet disiplinës shkencore, njëlloj si në parqet italiane. Unë e njoh Tusën nga botimet e tij, por prezenca e tij në Shqipëri ka kaluar pa marrë asnjë kontakt me specialistët. Herën e parë është shfaqur në Gjirokastër, ku ka mbajtur një leksion për rreziqet e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Të them të vërtetën u habita se si një arkeolog që punon në Sicili, ka guximin të flasë për parkun e Antigonesë, të cilin nuk e kishte parë asnjëherë në jetën e tij. Tani del se ka ardhur përsëri për të sugjeruar modele për të gjitha parqet arkeologjike të Shqipërisë, të cilat gjithashtu nuk i ka parë. Unë nuk e di se kush i financon këto udhëtime dhe raporte të cilat nuk do t’i lexojë askush. Për fat të keq ky nuk është rast i vetëm. Para tre vjetësh qeveria spanjolle dhuroi me bujari një fond prej dy milionë dollarësh për të rinovuar Muzeun Historik Kombëtar.
Kjo koincidoi edhe me një përgatitje që kishte bërë Drejtoria e Muzeut për një program të ri të përmbajtjes dhe faciliteteve të këtij muzeu. Prisnim që këto fonde të përdoreshin për rinovimin e dy pavijoneve të para: etnografisë dhe arkeologjisë, si dhe për vënien në punë të sistemit të ajrimit ftohje-ngrohje në sallat e muzeut. Për fat të keq, për shkak të paaftësisë së burokratëve të MTKRS-së dhe keqmenaxhimit të institucioneve joshqiptare që morën përsipër realizimin e këtij fondi, më shumë se dy-tre të katërtat e këtij fondi u harxhuan për raporte që nuk i duhen askujt. Si rrjedhim muzeu mbeti pa ajrim dhe mezi u shpëtuan pak para që po përdoren për pavijonin e etnografisë. Unë e kam thënë disa herë publikisht se zyrat e UNESCO-s dhe PNUD-it në Shqipëri punojnë ende me standardet e vitit 1991. Ata nuk duan të kuptojnë se Shqipëria i ka sot të gjitha kapacitetet shkencore dhe teknike për të realizuar çfarëdo lloj projekti në fushën e trashëgimisë kulturore dhe në çdo fushë tjetër dhe se ka ikur koha e raporteve që realizohen me kosto të larta, por që nuk lënë asgjë në terren. Unë nuk e di se si do të justifikohen para taksapaguesve spanjollë dy milionë dollarët e Muzeut Kombëtar?
Po thoni që duhet të ndryshojë destinacioni ku duhet të mbërrijnë këto fonde? Cili duhet të ishte sipas jush institucioni përgjegjës?
Unë mendoj që këto fonde të kalojnë përmes Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe institucioneve të specializuara në fushën e trashëgimisë. UNDP-ja dhe zyra e UNESCO-s duhet të ndryshojnë praktikën e deritanishme sterile që ka qenë vetëm raporte, konferenca, dreka dhe darka dhe duhet t’i kalojë këto fonde direkt në objekte, në mënyrë që shqiptarët të shohin konkretisht ku shkojnë paratë që vinë në Shqipëri.
Shumë shpesh ka pasur ankesa në këtë pikëpamje edhe për misionet arkeologjike, të interesuara vetëm për gërmimet dhe jo restaurimet e objekteve që zbulohen. Është e njëjta situatë?
Kjo është e ekzagjeruar. Pjesa më e madhe e objekteve që janë nxjerrë nga gërmimet janë trajtuar dhe janë vënë në konservim. Tashmë kemi arritur në një fazë tjetër ku kërkesat janë rritur dhe një pjesë të restaurimit e kemi mbuluar edhe me bashkëpunim ndërkombëtar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Por tashmë duhet ta bëjmë restaurimin një disiplinë të rregullt, që mund të realizohet vetëm nga një institucion i specializuar siç është Instituti i Monumenteve. Tashmë janë siguruar fondet dhe është gjetur një ambient i përshtatshëm për t’u krijuar Laboratori i Restaurimit nën varësinë e këtij institucioni. Aty do të përqendrohet e gjithë puna, së bashku me shkollën e Restaurimit, e vetmja ku UNESCO ka dhënë një kontribut të qëndrueshëm. Në këtë drejtim duhet të evidentoj ndryshimin e madh se si punohet në fushën e gërmimeve arkeologjike, ku të gjithë fondet e investuara nga partnerët tanë italianë, amerikanë, francezë, gjermanë etj., kanë shkuar në objekt deri në qindarkën e fundit.
Reforma që është iniciuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave i 12 nëntorit 2011, synon që të vendosë të njëjtat parime të paritetit në bashkëpunimin me partnerët e huaj, si dhe t’i japë specialistëve shqiptarë rolin kryesor në punën me trashëgiminë kulturore. Për t’u kthyer te kritikat dhe rekomandimet e prof. Hodges, unë mendoj se reflektojnë pikërisht qëndrimin burokratik të ndonjë zyre të MTKRS dhe nuk sjellin asgjë të re në realitetin e vlerësimit dhe administrimit të pasurive kulturore të Shqipërisë.