Para disa javësh ju pashë në skenë, në pjesën “Shtrigat e Salemit”. Kujtoj gjithashtu shumë role tuaja mjaft të spikatura, ndër të cilat në “Berberi i Seviljes”, ”Trojanet”, “Tartufi”, “Romeo & Zhulieta”, “Me syrin e një klouni”, etj. Nuk lodheni duke punuar, ndërkohë që pagesa është e ulët?
Për një aktor, skena është jetë. Atje aktori merr energji pozitive. Me daljen në skenë, harroj gjithçka. Harroj problemet, gjendjen shpirtërore. Harroj edhe pagesën. Futem në rol dhe harroj shumë gjëra. Këtë e bëj jo vetëm unë, por çdo aktor. Mirë do ishte sigurisht, që pagesa të ishte më e lartë, por kjo është gjendja
Sa vjet keni që aktroni?
Fillesat e aktrimit i kam pasur që në vegjëli. Aktrimi ishte magji, të cilës nuk mund t’ i rezistoja dot. E fillova në fëmijëri dhe dua të ndahem prej saj, deri në fund të jetës time.
Mesa kam marrë vesh, ju jeni lodhur shumë për ta bërë për vete, vajzën e cila tani është bashkëshortja juaj. Përse nuk u tërhoqët?
E vërtetë është. Bashkëshortja ime, në kohën që u njohëm, nuk ma varte shumë.
Bënte indiferenten?
Jo, jo! Ishte e komunikueshme, por nuk më shikonte si partnerin e saj.
Mos vallë ju shikonte si mashkull feminist, meqë ishit në qendër të vëmendjes nga femrat e tjera.
Edhe për këtë gjë.
Sa fëmijë keni?
Kam 2 djem.
Ndonjë prej tyre, do ta bëni aktor?
Përpiqem që së bashku me bashkëshorten, fëmijët t’ i bëjmë njerëz. Ata të zgjedhin pastaj, profesionin që do t’ju pëlqejë
E ndihmoni bashkëshorten në punët e shtëpisë?
E ndihmoj posi, por nga e keqja ama!
Cilën punë shtëpiake e bëni më me qejf, nga tërësia e punëve pa qejf?
Shikimin e televizorit! Nëse do futej në listën e punëve. Po ku më lënë fëmijët të shikoj. Bërtasin më tepër se gruaja.
Ju kam parë shpesh me fëmijët nga Liqeni Artificial. Madje aq shpesh, sa mendoj se Bashkia Tiranë, duhet t‘ju jap medalje për frekuentim. Përse dilni përherë me fëmijët dhe jo me ndonjë admiruese?
Jam nën syrin vigjilent të djemve. Nëse bëj dhe shenjën më të vogël ndaj një femre, ata spiunojnë direkt te ime shoqe
S’jeni lodhur duke qëndruar me të njëjtën grua?
Të flasim sinqerisht tani, duke dalë nga natyra e intervistës me elemente humori dhe relaksues. Bashkëshortja ime është mbështetje mjaft e madhe në jetën time. Si atë familjare dhe në atë artistike. Në jetën time, ka pasur momente të cilat prezenca e Holtës, gruas time, më ka dhënë forcë për përballimin e tyre
Jeni diplomuar për regjisurë. Kur do shikojmë ndonjë vepër artistike të vënë në skenë prej jush?
Regjisura është një drejtim artistik i cili kërkon akumulim dijesh dhe “trimëri” artistike. Elementin e parë, mendoj se e kam fituar, duke marrë prej regjisorëve shumë të talentuar dhe pasionantë, me të cilët kam punuar. “Trimëria” më mungon. Mendoj se një ditë do vendos në skenë si regjisor, pjesë artistike, por dua që kur të vijë ajo ditë, të bëj diçka të bukur
Nëse do kishit 1 milion euro, do ta linit punën, për t‘ju futur biznesit, apo qëndronit rehat, pa kokëçarjen që jep puna?
Paranë e duam të gjithë. Sikur të mbushja xhepin me 1 milionë $, aktrimin do ta vazhdoja, sepse do doja të mbushja shpirtin dhe të ndihesha mirë me veten.
Kur ju kam parë në telenovelën “Unë, ti dhe Kasandra”, ku luanit rolin e një të droguari, mendova se vërtetë drogoheshit. Që lexuesi dhe unë ta di. Drogoheshit, apo e realizuat rolin, në saj të plastikës autoriale?
Aktorin e drogon roli. U përpoqa të futesha në dhimbjen e një të droguari dhe kaq.
Atëherë komplimente! Atë rol e keni luajtur aq mirë, sa mendoja se para se të xhironit, drogoheshit vërtet!
Përpara disa vitesh, kur nuk ju njihja, ju kam parë në telenovelën “Ishte kohë për dashuri”, ku ju luanit rolin e një krimineli. Kur ju kam parë në atë film, mendova: “Nga e kanë gjetur këtë kriminel këta?!”, ndërkohë që tani që ju njoh, jeni një tip krejt i kundërt. I qeshur dhe shumë i afrueshëm.Cilën nga këto të marr si kompliment?! Të kriminelit, apo të të mirit?!
Të parën. Duke qenë i mirë, nuk arrin gjë në Shqipëri. Nejse! Kalojmë në pyetje tjetër: Kur merrni pagesën mujore, mendoni të largoheni nga Shqipëria dhe të punonit më mirë, kamerier në Evropë?
Ka raste që mendoj, por aktorët janë lidhur më artin, më shumë se me paranë. Kjo lidhje më mban në Shqipëri
Neri! Si arrini të mbani linjat e trupit? E keni në gen, apo bashkëshortja gatuan vetëm oriz ?
Po të lëvizësh në skenë, mbi 2 orë në ditë dhe si Ali Pasha të haje, do ishe i dobët.
E ndihmoni gruan në gatim?
Po! I hedh kripë gjellës.
Luani bixhoz?
Apapapapa! Është nga ato gjera që urrej më tepër. Nuk luaj dhe nuk kam ndërmend të luaj
E ushtroni sportin? Cili sport ju pëlqen?
Sportin e ushtroj në shtëpi. Bëj mundje me fëmijët. Kur vjen Holta, gruaja, të na ndajë, bën sikur gabimisht do qëllojë fëmijët dhe më këput ndonjë grusht mua. Kështu që kombinohet mundja me boksin, në kushtet e shtëpisë.
Cilin ekip përkrahni? Ju lutem mos më përmendni klub të huaj. Vetëm shqiptar...
Përkrah Flamurtarin e Vlorës dhe Partizanin.
Faleminderit Neri, për intervistën. Ju uroj suksese në jetën tuaj artistike dhe familjare
Faleminderit edhe ju! Përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës dhe artdashësit.