Pas përfundimit të fazës së dytë të seleksionimit te veprave të paraqitura në Teatrin Kombëtar, për aktivitetin e quajtur “Netët e dramës shqipe”, komisioni i përbërë nga: aktori Ndriçim Xhepa, aktorja Yllka Mujo, regjisori Spiro Duni, dhe aktori Dritan Boriçi, ka përzgjedhur mes 44 veprave të paraqitura 9 vepra që do të lexohen për publikun. Pas leximit do të përzgjedhë midis tyre dy-tri veprat më të mira që do të vihen në skenën e Teatrit Kombëtar. Veprat, të cilave leximi publik u mundësohet nga TK-ja, do të jenë: “Gruaja në dritare”, e autores Arta Arifi; “Provat e një vdekjeje të paralajmëruar” e Stefan Çapalikut, “Misteri i Trekëndëshit të Bermudës” i Ferdinand Hysit, “Horoskopi Babilonas” i Vangjel Kozma, “Grindje me vetveten”, me autor Pirro Manin, “Shtëpia e re”, me autor Odise Plaku, “Koha fajtore”, me autor Ruzhdi Pulaha, dhe “Të ftuarit”, me autor Mustafa Tukaj.