Fituesi i sivjetshëm i edicionit 18- të i “Netëve të poezisë Korçare” u shpall shkrimtari Visar Zhiti. Ai u vlerësua me motivacionin: “Për shpirtin e palodhur artistik me të cilin është afirmuar në karrierën e gjatë krijuese”. Trofeun ia dorëzoi drejtori i festivalit, poeti korçar Skënder Rusi. “Vetë jeta futet në poezi dhe poezia patjetër që futet në jetë, duke u bërë pjesë e saj”, tha ndër të tjera për të pranishmit shkrimtari Visar Zhiti, duke shtuar se poezia e tij do të jetë deri sa të jetë njeriu mbi dhe.
Çmimi për shkrimtarin e njohur Visar Zhiti vjen në vijim të vlerësimeve që ka marrë deri më tani më botimet e tij në aktivitete të ndryshme letrare. Sipas ritualit, në prani të të ftuarve, poeti Visar Zhiti mbolli “pemën e poezisë”, përkrah pemëve të fituesve të mëparshëm në netët e korçare të poezisë si: Dritëro Agolli, Dhori Qirjazi, Moikom Zeqo, të poetit grek Dinos Kubatis etj. Çmimi për shkrimtarin e njohur Visar Zhiti vjen në vijim të vlerësimeve që ka marrë deri më tani në botimet e tij në aktivitete të ndryshme letrare. Në natën e parë të këtij aktiviteti, janë promovuar dy librat e rinj të poetit korçar Skënder Rusi. Lirikat e tij u përcollën nën interpretimin e aktorëve të teatrit "Andon Zako Çajupi"; Zamira Kita, Ligoraq Riza, Blerta Belliu dhe Shkëlqim Jaupi.
Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, teksa ka ndjekur aktivitetin ka përcjellë edhe vlerësimin e tij për lirikun e talentuar korçar. "Është poet që ka shkruar me shumë dashuri për qytetin tonë, për dashurinë, për puthjet, për rrugicat me kalldrëm dhe për qytetin në formë zemre, duke qenë dhe në një farë mënyre promovuesi i vlerave të veçanta të qytetit të Korçës", tha Filo. “Netët korçare të poezisë” janë organizuar në qytetin e Korçës nga bashkia dhe Biblioteka “Thimi Mitko” si dhe nga Klubi i shkrimtarëve “Bota e Re”. 40 poetët e ftuar nga Shqipëria e Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe më gjerë, nga Ballkani, Greqia e Bullgaria, Rumania e Bosnjë-Hercegovina, Turqia etj, mblidhen, njohin Korçën dhe traditat qytetare dhe lexojnë poezitë e tyre gjatë tre netëve. Veprimtaritë ishin të ndryshme si: takime e vizita, përurime veprash dhe debate mbi poezinë.