Neutrino serish fitimtar kunder Ajnshtajnit

Neutrino, serish fitimtar kunder Ajnshtajnit
Ripërsëriten konkluzionet e jashtëzakonshme që bien në kontradiktë me teorinë e relativitetit  të Ajnshtajnit. Kjo, sipas eksperimentit më të fundit të bërë sërish me neutrinot misteriozë. Shkencëtarët që në fund të muajit shtator deklaruan se copëza nën bërthamore me emrin neutrino ecën me një shpejtësi më të madhe se drita, janë shprehur sërish se, në eksperimentin e tyre që tronditi gjithë botën shkencore, nuk ka asnjë gabim. Në këtë përfundim kanë dalë sërish shkencëtarët pasi kanë kryer një eksperiment të dytë me më shumë masa sigurie.

Rezultatet e tyre të dërguara në ‘ArXiv preprint server’ të premten në mëngjes dhe të dërguara për botim në ‘Journal of High Energy Physics’, kanë konfirmuar se matjet e mëparshme të bëra me neutrinon janë shumë të sakta. Kjo do të thotë se eksperimenti i bërë në Itali, në Gran Sasso, tregon se neutrinot fluturojnë më shpejt se drita.

Zbulimi se neutrinot mund të thyejnë një nga ligjet më themelore të fizikës i çorientoi shkencëtarët në fillim të shtatorit, kur edhe lajmi u bë publik. Dhe jo vetëm sepse një teori e tillë dukej se hidhte poshtë teorinë e Ajnshtajnit, atë të relativitetit special, por nëse rezultati i eksperimenti do të dilte i vërtetë dhe i drejtë, atëherë do t’i hapej rruga  mundësisë së dërgimit të informacionit mbrapa në kohë, duke e mjegulluar edhe më kështu kufirin mes të shkuarës dhe të tashmes dhe duke rënë në kontradiktë edhe me parimin shkak-pasojë, që është një parim ky thelbësor.

Fizikani dhe prezentatori i TV, profesor Jim Al-Khalil i universitetit të Surrej, shprehu mosbesimin e tij që në fillim të një njoftimi të tillë, duke deklaruar publikisht se, nëse neutrinot do të kalonin shpejtësinë e dritës, ai do të hante këmishën e tij direkt në TV. Ky, me pak fjalë ka qenë edhe mendimi i shumë shkencëtarëve që nuk e kanë mbështetur një rezultat të tillë.

Në eksperimentin e tyre origjinal, shkencëtarët e CERN kanë rrezatuar neutrino nga CERN drejt laboratorit të Gran Sasso dhe si përfundim është parë që neutrinot kanë mbërritur në destinacion në një të miliardën e sekondës me herët se në rastin nëse do të lëviznin me shpejtësinë e dritës në një vakum. Një nga mundësitë e gabimit në një eksperiment të tillë ishte se pulsimet e neutrinos të dërguara nga CERN ishin mijëra herë më të shkurtra  - në tre nanosekonda - me boshllëqe të mëdha prej 524 nanosekondash mes tyre. Në blogun e tij, një shkencëtar i fizikës teorike, Mat Sreassler shkroi majin e kaluar, kur rinisi eksperimenti me neutrinot, se pulsime më të shkurtra të neutrinove që dërgohen nga CERN në Gran Sasso do të bënin që të binte nevoja e matjeve të formës dhe kohëzgjatjes së rrezatimit. “Me pulsime më të  shkurta nuk ke nevojë që të dish formën e pulseve, por vetëm kohëzgjatjen e tyre”, - ka deklaruar shkencëtari. “Dhe gjithashtu, nuk është e nevojshme që të matësh mijëra neutrino në mënyrë që të riprodhosh formën e pulsimeve. Për këtë është i nevojshëm vetëm një pulsim i një numri të vogël neutrinosh“, - ka vazhduar ai.

Rreth 20 eksperimente të tilla janë matur në Gran Sasso, me një version të ri matjeje, që nga fundi i muajit shtator, pra gjatë javëve të fundit. Secili nga këto eksperimente ka të bëjë me pulsimin e neutrinove që dalin nga CERN dhe shkojnë drejt Gran Sasso. Shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se edhe nga matjet e reja, përfundimi është i njëjtë: neutrinot mbërrijnë në destinacionin e duhur me një shpejtësi më të madhe se ajo e dritës.

Në një deklaratë të bërë të premten, Fernando Ferroni, presidenti i Institutit Italian të Fizikës Bërthamore deklaroi: një matje kaq delikate kërkon një nivel shumë të lartë vëzhgimi dhe hetimi të fenomenit. Eksperimenti i bërë nga CERN ka bërë një test shumë të rëndësishëm të rezultatit të eksperimentit të parë. Përfundimi pozitiv i testit na jep më shumë besim në rezultatet e dala tashmë dhe të publikuara në fund të muajit shtator. Por, një rezultat përfundimtar do të dalë vetëm në rastin e përsëritjes së këtij eksperimenti nga specialistë të tjerë në një tjetër laborator në botë”.

Që kur një rezultat i tillë i shpejtësisë së neutrinove u deklarua në fund të muajit shtator nga shkencëtarët e CERN, fizikanët në të gjithë botën kanë botuar dhe kanë dhënë shumë argumente në lidhje me këtë fenomen të ri, me këtë rezultat të ri të eksperimenteve. Të tjerë kanë dalë me ide të reja të adoptimit të gjetjeve të reja në tërësinë e teorisë së relativitetit special të Ajnshtajnit. Me gjithë përfundimin e eksperimentit të fundit, kërkimi i defekteve në matjen e shpejtësisë nuk ka përfunduar ende nga shkencëtarë të ndryshëm dhe madje edhe nga vetë shkencëtarët e CERN, por edhe nga shkencëtarët e tjerë. Gjithsesi, eksperimentet e reja pritet që të nxjerrin të njëjtat përfundime.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama