Prof. Eqerem Çabej dhe Enver Hoxha, pa diskutim janë dy bijtë më të shquar që lindi Gjirokastra në fillimet e shekullit të 20-të dhe i ka vënë ata në panteonin e bijve të vet më të nderuar, që nga Rilindasit dhe deri te ata që luftuan për Pavarësinë e Shqipërisë nga zgjedha pesëshekullore otomane si dhe ata që luftuan për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e rinj, nazifashistët italo-gjermanë.
Dy djemtë vërsnikë të Gjirokastrës, si atdhetarë të mëdhenj shqiptarë, njëri si politikan tjetri si dijetar, janë jo vetëm krenaria e popullit të kësaj ane, por edhe e gjithë Shqipërisë dhe e kombit shqiptar, për çka ata u dhanë këtyre. Shteti shqiptar heshti dhe i injoroi këto dy ngjarje të shënuara, këto dy personalitete të shquara në realitetin politik dhe kulturor të vendit, siç qenë Enver Hoxha dhe prof. Eqerem Çabej, por shokët, kolegët, miqtë e tyre, si në Gjirokastër, si në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarë, i përkujtuan dhe i nderuan denjësisht për luftën e punën gjysëm shekullore që bënë, njëri në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë, tjetri në rrugën e dijes dhe të shkencës.
Po kështu edhe nëpër botë, ku ka dashamirës të Shqipërisë dhe të Enverit, nga një anë, si dhe nga një palë tjetër, bashkëpunëtorë dhe admirues, albanologë të shkencëtarit tonë, prof. Eqerem Çabejt, u organizuan mbledhje e u shkruan artikuj. Në gjithë këto veprimtari një angazhim total pati secili nga ana e familjes së vet. Për familjen time ka qenë një kënaqësi e madhe që i përjetuam me shumë emocion festimet përkujtimore për njeriun tonë më të dashur. U jemi thellësisht mirënjohës gjithë shqiptarëve e miqve të huaj, si atyre brenda e jashtë vendit që na nderuan me pjesëmarrjen e mbështetjen dashamirëse të tyre.
Nga kujtimet që ka lënë Enveri nuk rezulton që në fëmijërinë e rininë e tyre në Gjirokastër të kenë qenë shokë, të kenë luajtur bashkë ose të kenë ndjekur të njëjtën shkollë. Është i njohur fakti që të dy ndoqën rrugë të ndryshme për arsimimin e tyre: Enveri shkoi në Korçë, në Liceun Francez më vonë në Francë, në Montpelie, kurse Eqerem Çabej shkoi në Austri, në Vjenë, ku ndoqi studimet e larta.
Eqerem Çabej, i pajisur me një kulturë të gjerë në fushën e gjuhësisë, iu përkushtua totalisht e me pasion sqarimit të prejardhjes e problemeve të tjera të gjuhës shqipe, gjuhës që mbajti të gjallë popullin tonë në shekuj dhe arriti t'i japë asaj baza shkencore. Ky pasion në profesion, por njëkohësisht i bindur për shërbimin e tij atdhetar, bëri që prof. Eqerem Çabej të qëndrojë i mbyllur në punën e vet, i mënjanuar nga Lufta Nacionalçlirimtare, por asnjë çast kundër saj. Askush më mirë e më bukur sesa Enveri nuk e ka përcaktuar qëndrimin e këtij personaliteti të lartë të shkencës sonë, kur ai, në një mbledhje me intelektualë të kryeqytetit e trupën mësimore të Universitetit të ri tha: "Eqeremi mori një kulturë gjermane kur ishte i ri dhe mori rrugën e tij në jetë, ashtu si e gjykonte ai, rrugë e ndryshme nga ajo e jona. Është fakt se ai nuk ka qenë në një radhë me ne, por kur u çlirua atdheu nuk e mori baltën e atdheut në thundrën e këpucëve si disa" - tha Enveri shumë i emocionuar, duke vazhduar me vlerësime të larta si shkencëtar e me kulturë të gjerë e për ndihmën që po i jepte shkollës sonë me tekste të një niveli të lartë të gjuhës shqipe dhe me përgatitjen e kuadrove të reja në këtë fushë.
Unë, nga ana ime do të shtoja këtu nga jeta ime ilegale gjatë luftës Nacionalçlirimtare, kur punoja në Tiranë dhe merreshim me afrimin e nacionalistëve, patriotëve dhe intelektualëve progresistë, kisha dëgjuar që disa nga këta kuadro, që quheshin "dojç kultur", duke përjashtuar politikanët që u vunë në shërbim të pushtuesve, e kam fjalën për të tjerë, si mjekë e profesorë, mblidheshin çdo natë në lokale të caktuara ose në shtëpitë e tyre me oficerë të lartë gjermanë dhe luanin deri në agim me karta, poker a ku di unë. Për këto takime na informonin punëtorët e shërbimit, simpatizantë të Luftës Nacionalçlirimtare, madje, në ndonjë rast, edhe vetë zonja e shtëpisë, me të cilën kisha lidhje antifashiste, më pati thënë: "na kanë ardhë në majë të hundës, por s'kemi ç'të bëjmë, vijnë!".
Kurse Eqerem Çabej qe një nga ata intelektualë dinjitozë që qëndroi larg këtyre presioneve e "miqësive" të imponuara".
Që në vitet e para pas çlirimit, Enveri më radhën e shumë problemeve të atyre viteve të vështira, u angazhua t'i hapte rrugën e zhvillimit të kulturës. Është e njohur që ai, që në ditën e parë të hyrjes së qeverisë së re në Tiranë i premtoi popullit: "Më shumë bukë, më shumë kulturë!". Dhe këtë premtim e mbajti: zhduku kandilët e analfabetizmin dhe e bëri Shqipërinë me universitet e Akademi të Shkencave e të Arteve. Të më falin lexuesit që fitore të tilla të shtetit socialist po ia atribuoj personalisht Enverit. Jo, unë më shumë se kushdo, mund të dëshmoj se, edhe në rrethana të jashtëzakonshme Enveri punonte dhe mendonte kolegjialisht, me forumet e zgjedhura nga partia. Unë e kam të qartë edhe konceptin mbi rolin e individit në shoqëri, që s'ka të bëjë fare me kultin e individit.
Enveri është i pandarë nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe shteti socialist i Republikës Popullore, por unë po përdor këtë gjuhë, emrin e përveçëm të Enverit, sepse këtë gjuhë po përdorin politikanët e sotëm shtetërorë dhe propaganda politike në përgjithësi: gjersa Enverit i ngarkohen gjithë të ligat e të këqijat që janë bërë në këtë vend gjatë gjysëm shekulli, atëherë le t'i njihen, le të flasim edhe për të mirat që i ka lënë Enver Hoxha këtij vendi, si politikan e si burrë shteti, me kulturë të gjerë e vision të qartë, për të ardhmen progresive, përparimtare të shoqërisë shqiptare. E them me plot gojën, që as në kaluarën, as edhe në ditët e sotme, unë nuk njoh një politikan të lartë shtetëror që të kenë qenë a të jetë afër intelektualëve, njeërëzve të kulturës e të shkencave, se sa Enver Hoxha, jo duke iu imponuar atyre, por duke i dëgjuar ata, duke peshuar vlerën e propozimeve, iniciativave të tyre dhe ai, nga pozitat e funksionit të tij, të lartë në parti e njëkohësisht në shtet t'u siguronte mundësitë ligjore, materiale, financiare e mbështetje politike për projektet e tyre.
Le të ndalemi te shkenca e gjuhësisë e studiuesit tonë në këtë fushë. Mund të them se Enveri ndiqte drejtpërdrejt e me interesim të veçantë hapat që bëheshin në drejtim të sqarimit të problemeve të gjuhës shqipe, që nga përkatësia e saj e deri në arritjen e problemit madhor të njehtësimit të gjuhës letrare. Ai ishte i vetëdijshëm se për arritjen në këtë majë të gjuhësisë kombëtare shqiptare, duhej - siç thoshte - "ecur shkallë-shkallë" se kjo punë nuk bëhet me "dekret". Enveri kishte bindjen se kjo punë do të bëhej nga gjuhëtarët shqiptarë, te të cilët ai kishte besim, si te Eqerem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj dhe bashkëpunëtorë të tyre, se ai njihte formimin e lartë kulturor dhe shkencor të tyre, përkushtimin lidhur me studimet për gjuhën shqipe, punën kolosale që bënë për tekstet e shkollave që u shtrinë edhe në skajet më të thella të vendit dhe po pregatisnin pranë tyre një plejadë kuadrosh të rinj në fushën e gjuhësisë në përgjithësi e të gjuhës shqipe në veçanti, duke u treguar nxënës e vazhdues të denjë të albanologëve nëpër botë e duke transferuar qendrën e tyre nga kryeqytetet e Evropës në Tiranë, me mbështetjen e plotë të shtetit, po edhe në Prishtinë me iniciativat dhe përkushtimin e intelektualëve kosovarë për zhvillimin e shkencave, lidhur me gjuhën shqipe dhe kulturën e përbashkët të kombit shqiptar.
Kur që në kongreset e para të Partisë në pushtet, Enver Hoxha, në raportin e tij në detyrat për të ardhmen, në radhën e tyre vinte edhe hartimin e tre veprave themelore që do të ndihmonin sistemin e normëzimit të gjuhës letrare, siç ishin: "gramatika e gjuhës së sotme shqipe", "Fjalori shpjegues normativ" dhe "Ortografia e re", kjo nuk do të thoshte se për këto u vendos në aparatin e Komitetit Qendror, apo nga vetë Enver Hoxha. Do të ishte absurde të mendohej kështu, por "lidershipi" - siç përdoret sot - i partisë në pushtet, dëgjonte e merrte mendimin e specialistëve të fushës dhe nga pozita e funksionit politik dhe shtetëror, ai përkrah hekurudhës së parë, hidrocentralit a objekteve të para industriale e në bujqësi, përfshinte në programin e Partisë e në planet shtetërore edhe vepra të tilla, si ato që u përmendën më lart. Po kështu, veprohej për objektivat që duheshin arritur brenda planeve pesëvjeçare ose edhe atyre perspektive dhjetë e pesëmbëdhjetë vjeçare për arsimin, shëndetësinë, kinematografinë, sportin etj.
Me këtë bashkëveprim në mes politikës dhe shkencës u arrit brenda një dhjetëvjeçari të hartohen "Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe" që u botuan si "projekt", i cili qe një kod drejtshkrimor për një gjuhë kombëtare të njehësuar. Ky "projekt" u bë i detyrueshëm për organet shtetërore, për shtypin etj. Por Enveri mendonte se kjo çështje "nuk mund të zgjidhet thjesht në rrugë administrative, por duhet të pranohet nga e gjithë shoqëria si një zgjidhje themelore". Prandaj, sipas porosive të Enverit, "Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe" u diskutuan gjatë pesë viteve në të gjitha rrethet me pjesëmarrjen aktive të organizatave të Partisë, atyre shoqërore, të institucioneve ekzekutive shtetërore, me pjesëmarrjen e gjerë, sidomos të arsimtarëve, krijuesve të letërsisë, punonjësve të shtypit, qytetarë dashamirës për gjuhën letrare shqipe etj.
Zbatimi i këtyre rregullave të drejtshkrimit u vendos edhe në Kosovë e në vise të tjera të banuara nga shqiptarë, të pranuara nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968). Duke u nisur nga parimi "Një komb - një gjuhë letrare", kjo konsultë vendosi "si gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi të njihej "njëzëri" gjuha letrare e vendit amë". Ky qe një hap me rëndësi historike epokale.
Kur, në vazhdim të këtij bashkëpunimi pozitiv, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dërgoi në Komitetin Qendror të Partisë propozimin për organizimin e një mbledhjeje të përqendruar shkencore, ku të merrnin pjesë njëzet gjuhëtarë dhe arsimtarë me përvojë, disa nga shkrimtarët dhe gazetarët më të njohur si dhe redaktorë të shtëpive botuese. Gjithashtu, propozohej që në këtë mbledhje të ftoheshin edhe studiues të shqipes nga Kosova dhe arbëreshët e Italisë. Kur u njoh Enveri me këtë propozim modest për një çështje të madhe, me rëndësi mbarëkombëtare e historike, shprehu mendimin të bëhej jo një mbledhje e ngushtë, por një Kongres Shkencor Kombëtar, të cilin ai e përfytyronte si një Kongres i Dytë, në vazhdim të Kongresit të Manastirit (1908). "të dy këta kongrese - tha ai - do të lidhnin dy epoka të mëdha historike -Kongresi i Manastirit vendosi njehsimin e alfabetit, kurse ky "Kongres" i dytë pas 60 vjetësh, do të vendosë për njësimin e drejtshkrimit të gjuhës sonë letrare".
Ky sugjerim u prit me mjaft entusiazëm nga shkencëtarët e gjuhësisë, të cilët iu vunë punës seriozisht, që nga kryearkitekti i "projektit" shkencor për të ardhmen e gjuhës shqipe, prof. Eqerem Çabej me bashkëpunëtorët e tij të vjetër e deri te gjuhëtari më i ri dinamik, Androkli Kostallari.
Kështu u konceptua dhe u arrit të organizohej Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili i zhvilloi punimet në Tiranë, nga data 20 deri në 25 nëntor 1972, në sallën e Kuvendit. Në Kongres morën pjesë 87 delegatë dhe mbi 300 të ftuar nga të gjitha rrethet e vendit, nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë. Ishin ftuar edhe albanologë të huaj.
Enveri asistoi në Kongres në ditën e hapjes dhe në seancën e mbylljes. Ndoqi me shumë interesim dhe vëmendje referatin dhe diskutimet e shkencëtarëve gjuhëtarë dhe kur nga presidiumi ku isha unë, hidhja sytë nga llozha ku ishte Enveri, pashë që ishte shumë i emocionuar saqë, fshehurazi, fuste në gjuhë ndonjë trinitinë, që i mbante në xhepin e jelekut. Kur u kthyem në shtëpi, ende i prekur, më shprehu përshtypjet e tij për referatin dhe diskutimet, vlerësoi lart kumtesën e Çabejt, duke e cilësuar si "dijetar i shquar i gjuhës sonë dhe me horizont të gjerë mbi trashëgiminë kulturore të vendit".
Ndër të tjerë ai veçoi profesorin kosovar Idriz Ajetin, për të cilin tha (dhe që i ka të shkruara në ditarin e tij): "foli shumë mirë" dhe e cilëson si "luftëtar i shquar i mbrojtjes e i përhapjes dhe më në fund i vendosjes së gjuhës letrare shqipe edhe në Kosovë".
Në pushimin mes seancave të mbylljes së Kongresit atij i thanë se Komisioni Organizues i Kongresit mendonte që "Rezoluta", përpara se të nënshkruhej, t'i nënshtrohej miratimit të të gjithë pjesëmarrësve. Enveri, pasi vlerësoi me fjalë sipërore "Rezolutën" e këtij Kongresi u tha: "Është mirë që atë ta shtypni disa herë, si kopje të parë dhe jo me riprodhim, që çdonjëra të jetë si dokument original, me qëllim që këtë dokument ta ruajmë në institucionet tona, por ashtu si ne, në original ta kenë edhe vëllezërit tanë në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Pa dyshim, edhe ata do ta ruajnë si ne. Njësimi i gjuhës letrare është një fitore e përbashkët e të gjithë pjesëtarëve të kombit tonë".
Është për të ardhur keq, që ende në ditët e sotme vazhdohet të mohohet e të anatemohet çdo arritje pozitive dhe fitore në të kaluarën, gjatë regjimit të pushtetit popullor socialist, në emër të luftës kundër komunizmit, sipas devizës famëkeqe "deri në kuotën zero".
Janë krejt artificiale dhe me prapamendime të liga, që i bëhen Enver Hoxhës, sikur vendimet që mori Kongresi i Drejtëshkrimit ishin të imponuara nga ideologjia e tij komuniste si dhe si jugor ishte ai që në bazën e gjuhës letrare vuri toskërishten.
Për të gjithë është e njohur që as profesori i nderuar, iniciatori i hershëm për lëvrimin shkencor të gjuhës shqipe, as edhe ata rilindës e luftëtarë, shkronjat e alfabetin shqip para atij, as profesori i shquar, Eqerem Çabej e shumë nga bashkëpunëtorët e tij, që e ngritën gjuhën shqipe në shkencë, nuk ishin komunistë, por ishin patriotë e njerëz me kulturë, që dashuria për gjuhën shqipe i bëri t'i përkushtohen me passion shkencës së gjuhësisë.
Arritjet shkencore në gjuhën shqipe janë meritë e padiskutueshme e gjuhëtarëve tanë, të atyre në Shqipëri e në Kosovë. Pas këtyre zërave kritikë për mendimet e Kongresit të Drejtëshkrimit, që çuditërisht po vijnë nga Kosova e porsaçliruar dhe e shpallur si shtet më vete, fshihen disa forca që kanë qëllime të errëta, që synojnë kthimin prapa, që kërkojnë prapë ndarjen e gjuhës shqipe në të folmen toskërishte dhe gegërishte, ndarje pas së cilës fshihen qëllime të tjera edhe më të dyshimta, siç është ajo që po dëgjojmë: "copëzimi" i kombit shqiptar, i idealit dhe ëndërrës shekullore të shqiptarëve për bashkimin e kombit, i paska ikur koha, shfaqjet patriotike në erën mondialiste, globaliste , euroatlantike quhen anakronike, teza e prirje këto jo më pak të rrezikshme nga ato që na serviren nga Serbia. Gjuha letrare e përbashkët, unike e shqipes, është aliazhi magjik, i madhërishëm i bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm i respektuar e si i barabartë në Ballkan dhe anëtar i denjë në Bashkimin Evropian.
Ndonëse Enveri dhe Cabej nuk shiheshin shpesh, seicili i dhënë pas punës, disa herë iu drejtuan njëri-tjetrit dhe komunikuan vazhdimisht si miq.
Kur filloi puna për botimin e veprave të Enverit, redaksia ra në hall, pasi, për shembull, në shkrimet e dy vëllimeve të para, që i përkisnin periudhës së luftës, Enveri ka përzier dy dialektet, duke e bërë këtë me vetëdije, me qëllim që të theksonte se shkrimi, trakti, thirrja për luftë e liri i drejtohej gjithë popullit në Jug e në Veri.
Kur ia thamë këtë preokupim Enverit, si autor që ishte, ai nuk u nxitua të përgjigjej, por iu drejtua Cabejt, të cilit ia pozoi problemin dhe e pyeste: "Si thua duhet t'i unifikojmë?".
"Jo iu përgjigj shkencëtari, shkrimet të ruajnë origjinalitetin e kohës kur janë krijuar...".
Më pas erdhi radha e veprave të mëvonshme, sidomos e kujtimeve, ku Enveri nuk ndalej në të shkruar dhe, ndërsa nxitonte për t'i hedhur në letër, nuk kursehej por përdorte shumë fjalë dhe shprehje nga gjiha frënge. I sugjeruam Enverit t'i përkthenim disa prej tyre në shqip. Përsëri na tha: "Do të marr mendimin e Cabejt...!".
Dhe gjuhëtari i shquar i gjuhës shqipe i tha Enverit: "Jo, nuk është nevoja, është më mirë që të ruhet koloriti i gjuhës suaj në të folur dhe në të shkruar, aq më shumë kur është fjala për shkrime të karakterit personal, si kujtimet, ditaret etj".
Kështu, kur vinte puna për të bërë ndonjë redaktim në këtë drejtim dhe nuk bindej për nevojën e tyre, Enveri na thoshte: "Unë kam leje nga Eqerem Cabej...". Dhe me këtë na e mbyllte gojën. Kjo tregon besimin që ai kishte te miku i tij shkencëtar dhe sa e vlerësonte atë.
(Vijon)
Gazeta Shekulli