Nga Alitalia te Telecom arratisja drejt Shqiperise

Nga 'Alitalia' te 'Telecom', arratisja drejt Shqiperise
“Forca djema, t’i futemi punës, më shpejt!”, thërret një vajzë rreth të 25-ave që drejton 12 kolegë, të cilët qëndrojnë kokulur dhe mbajnë kufje në vesh. “Pronto, buona sera, chiamo per proporle una nuova tariffa” (Alo, mirëmbrëma, ju telefonojmë për t’ju propozuar një ofertë të re), thotë Erisa me një theks më tepër shqiptar sesa italian.

“Vodafone”, “Tim”, ose “3”; “Mediashoping”, “Edison” ose “Sorgenia”, “Fastweb”, “British Telecom”, ose kë të dëshironi ju: nëpër “call center”-at që na shesin këtë ose atë, ose na tërheqin përmes kontratave dhe ofertave, valëvitet flamuri shqiptar me ngjyrë të kuqe si gjaku dhe shqiponjën me dy kokë në mes. Edhe mes tyre, pranë makinerive të kafeve, apo mes pushimeve të shkurtra, qindra djem e vajza bëjnë shaka me njëri-tjetrin në gjuhën italiane. Zhvillimi i “call center”-ave në Tiranë është mbresëlënës: para shtatë vjetësh nuk ekzistonte asnjë e tillë, sot ka të paktën 70 shoqëri që shesin gjithçka: “Tregtojmë edhe pelena”, thotë një punonjëse. Cesare Regolo nga “Albacall”, nëndega shqiptare e grupit kalabrez “Abramo”, i ardhur në Tiranë në 2010-n tregon: “Në Shqipëri e kemi nisur punën me një godinë shumë të vogël që nxinte vetëm 130 veta, ndërkohë që sot, në një hapësirë prej 5000 metër katrorësh, numri i punonjësve arrin në 1300”. Pronari i “call center” që ishte jashtë vendit për të hapur një zyrë të re quhet Alessandro Gala, është italian dhe “krijesa” e tij – “Future Generation”, e hapur para dy vitesh me një partner të ri shqiptar – ka një ushtri të vogël prej 300 punonjësish.

Një mizë, në krahasim me ushtrinë e shqiptarit Agron Shehaj, që pas diplomimit në ekonomik, përfundoi edhe një master në Bolzano: “U ktheva në Tiranë në vitin 2005, ndërsa prindërit e mi vazhdojnë të jetojnë në Itali. Kur hapa ‘call center’-in e parë të shoqërisë sime, ‘Ids’, klientët më pyesnin: Në Shqipëri? Po nuk ka luftë atje? Sot kam 2000 vartës dhe ‘fuçia’ nuk është mbushur as deri te gjysma: ka shumë punë për të bërë këtu”, thotë ai. Ndërsa flet për karrierën e tij prej ylli biznesi, na shoqëron për te zyrat e reja, dy hapa larg ish–Bllokut, lagjja e vjetër e pakalueshme e ish-diktatorit Enver Hoxha e shndërruar tashmë në zemrën e Tiranës, ku deri në orët e para të mëngjesit, mund të gjesh hapur restorante, bare dhe lokale sipas modës. “Kemi marrë katër kate, kemi një rritje të vazhdueshme. Kemi tetë degë të tjera në qytete të ndryshme. Këtu të gjithë e flasin italishten”, shton Shehaj.

“Kjo nuk është më një botë të rinjsh. Mosha mesatare është rritur. Punëtorët janë 40 vjeç dhe mbi të gjitha, familjarë. Po flasim për 50 mijë punëtorë. Tregu po kërkon më shumë fleksibilitet dhe kosto të ulët pune”, thotë Andrea Borgialli i “Fistel-Cisl”.

Për çdo kontratë, korporatat pretendojnë zbritje: kjo është arsyeja që në Itali shumë “call center” dhe porositë “fluturojnë” jashtë vendit. Rreziku social është shumë i lartë. “I shqetësuar? Pak”, buzëqesh Agroni. “Në fakt, janë klientët tanë ata që na garantojnë se do të vazhdojnë të investojnë këtu. Kjo është në interesin e tyre”, shton ai.

“Un punoj në ‘call center’ që kur isha 17 vjeçe, ndërkohë që shkoja edhe në shkollë. Tani jam 24 vjeçe dhe ndjek Fakultetin e Ekonomikut në Tiranë. Punoj gjashtë orë në ditë dhe fitoj 350 euro në muaj. Kjo është një rrogë e mirë për mua. Marr më shumë se një kamerier ose shitëse dhe orari i përcaktuar dhe i shkurtër më jep mundësi që të frekuentoj edhe shkollën”, thotë Jetmira Ramolli. Në Itali, për gjashtë orë punë, një punëtor merr mesatarisht 850 euro.

“Nuk kemi reshtur kurrë së qeni një koloni italiane dhe nuk na vjen keq për këtë. Importojmë nga Italia 70% të mallrave. Thuajse çdo gjë është italiane, duke filluar nga uji natyral te makaronat, nga mobiliet te ndriçimi. Jemi të dashuruar me Italinë, pavarësisht se italianëve iu pëlqejmë pak”, përfundon Agroni.
 
Bumi i “call center”-ave në Shqipëri

Firma që kanë kontrata për Italinë

 TLC MOBILE
“Vodafone”, “Tim”, “3”, “Wind”
TLC FIKSE
“Telecom Italia”, “Fastweb”, “British Telecom”

TV dhe TELESHITJE

“Sky”, “Mediaset”, “Mediashoping”

ENERGJIA

Eni, Edison, Sorgenia, Acea


SEKTORË TË TJERË

Seat PG, Alitalia
Shoqëritë “call center” në funksion
Sot janë mbi 70. Në 2004-n nuk kishte asnjë

 

Shoqëritë kryesore

“Ids” 2000 vende pune, 8 degë (50 vende në 2005-n)
“Albacall” 1000 vende pune (130 në 2010-n)
“Teleperformance” 750 vende pune (100 në 2008-n)

Nëpunësit

Për të menaxhuar vetëm një klient, “Vodafone”, “Albacall” ka hapur 560 vende pune

 Pagat mesatare neto të llogaritura për 6 orë punë në ditë

Itali 850 euro në muaj
Shqipëri 350 euro në muaj

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama