Nga Atlantiku ne Pacifik me nje Ford te vjeter

Të udhëtosh me një veturë ligavece, pe bregut të Atllantikut në atë të Pacifikut matanë, pa ditur as edhe njëzë frazë anglishte të pakëputur, vetëm Zikja mund ta bëjë! Vetëm një shqipo si ai, që është, o shumë i mbarë, o shumë i marrë!
Mezi ia pata mësuarë të ngiste veturën. Mezi ia patnë dhënë lejën të merrte në dorë timonin, në provim të shtatë, ngaqë në provimin e parë për patentë, i pat thyerë fenerët makinës të policisë rrugore që kish sjellë nja dy oficera, që do të vëzhgonin provimin!
Ama, me të marrë patentën, kish blerë për tetëqind dollarë një Ford të tetëdhjetedyshit, që nuku shihej me sy! Ish kaqë e varfër dhe e rrjepur vetura, sa i zoti i ri, sikurse dhe ay i vjetri, nuku e kyçte kurrë. Hajdutëve të veturave u therrnin sytë, sa herë u dilte përpara Fordi i Zikes dhe ndërronin drejtim, siç ndërrohet udhë, kur të del macja e zezë!
Zikja kish zgjedhur një targë nga ato që paguhen kripur, nga që shkruan në to ç’të do zemra. Do të shkruash “pirdhu”? Ashtu ta stampojnë e ta japin targën! Do që të shkruash “Na, prapanicën” që shoferët e tjerë të ta lexojnë kur t’i parakalosh? Po ama do të ta kuptojnë vetëm shqiptarët! Shkruaje, se amerikanët nuku zemërohen, se s’ta dinë gjuhën.
Kurse Zikja e kish bërë targën shprehje dashurie: e kish mbushur atë me një thes me gërma: MILKA BR 1991, pe të cilave, pesë të parat bënin emrin e së shoqes, dy të tjerat, kujtonin Beratin dhe numrat në bisht, shënonin vitin e martesës.
Brenda, makinës i punonin të tërë matësat, veç atij të shpejtësisë, që pat fiksuarë vetëm miljet që pat shkelur. Shifra kish mbetur aty tek 250 mijët. Veç nuku dihej, se kur kish pushuarë së numëruari, në cilin vit dhe nën cilin president.
Në Amerikë gjendet një kompani e madhe që shënohet me tri “A” të mëdha. Kjo “AAA”-ja të bën anëtar të sajin me pesëdhjetë dollarë dhe ka për borxh të të gjëndet pranë, sa herë mbetesh në rrugë. Vjen e ta ngre makinën me vinç e ta dorëzon në rregull, sa herë t’i telefonosh. Zikja u bë menjëherë anëtar dhe numërin e telefonit të asaj kompanie e thotë në gjumë e sipër mbi tri herë në natë, meqë ka raste që e thërret për ndihmë tri herë në ditë! Kompania “AAA” ka fitime të mëdha, sepse mbulon tërë Shtetet e Bashkuara dhe ka ajo ca anëtarë, që vdesin pa e thirrur asnjëherë. Llogaritë asaj filluan t’i prishen, që kur iu abonua Zikja.
Zikja e thërret kompaninë “AAA” edhe kur i bie goma. E ata të gjorët janë të detyruarë të vijnë. I thërret t’ia sjellin Fordin nga supermarketi, nga kinemaja, nga klinika e t’ia plasin në trotuar, para billdingut, ku e le të kalojë natën, ngaqë s’i gjen dot një strehim. Ka njerëz që kanë pare vinçat e “AAA”-së të vinë t’ia lëvizin makinën Zikes dhe nga trotuari që ka patur orar pastrimi, për t’ia shpënë në trotuarin karshi.
Ja, me këtë palo Ford, pa vajtur akoma asnjëherë në aeroport, rruga e parë e largët që mori përsipër të bëjë Zikja, ishte të çante Amerikën tejpërtej, nga Atllantiku në Pacifik. Që kur qe ndarë nga i kushuriri Nikollaqi, kish mbetur pa punë e pa mbështetje. I qe larguar kushos dhe desh t’i rrinte larg sa më tej.
- Më pret një shok në San Diego, - përsëriste. Ka në San Diego të Kalifornisë punë edhe për qorra, më thanë.
More de! Jo, do vete! More na, se do të bëhesh loloja i gazetave! Jo, do vete! E
po, prapa diellit! Në të sat’ëme vafsh! Akoma këtu ti,o?!
Një të vënë, i biri i botës, valixhet palë në bagazh, një të marrë e ngjeshur në sedilen pas, fustanët e së shoqes, nja pesë jastëkë me pupla dhe nja dy velenxe me thekë Tepelene; një të marrë Milkën, që pat veshur një rrobë kuq e zi, sikur do ngjiste Everestin në emër të Shqipërisë; një t’i plasur asaj mbi gjunjë një derro Atllas të Amerikës; një të ndezur radion, nga e cila nuku kuptonte një fjalë, as ai e as e shoqja; një të futur në folezë një kasetë, që kish vetëm këngën “Psherëtita, dolli flakë” e u nis.
U nis oreeee! Kur mos i kem tërë! “AAA”- ja qe ngritur në tërë Amerikën në gadishmëri numër një!
Zikja kish mbushur xhepet me monedha njëzetepesë centëshe, që të më merrte mua në telefon e ta ndihmoja, po të duhej të flisja si ndërmjetës me ndonjë amerikan gjatë rrugës. Dhe u bë erë.
Sapo Zikja kaloi tunelin e Linkolnit, ai ndaloi në një benzinatë e më bëri telefonatën e parë. Mua më dolli mbi ekran të telefonit prefiksi 201 dhe unë njoha shtetin e Nju Xhersit, pa ma thënë ai.
- Gjer këtu, mirë! – tha. Gjysmëora e parë, premton.
Prit, prit, thashë me vete, do të ta shoh bythkën më vonë. Janë tetë ditë rrugë për të bërë!
- Ecim si breshka, bre! Kështu, unë i bie ta zë Kaliforninë vitin që vjen! Sa kilometra i bie po ta ngasësh me dyqindenëntëdhjetepesë milje në orë? Le që ky Fordi im nuk i nxjerr dot aqë!…
- Do të të zerë policia, hajvan! Ç’punë ke me dyqindenënëtëdhjetepesën ti?
- Aqë thonë tabellat për shpejtësinë këtej!
- Nuk tregojnë shpejtësinë ato tabella, ore! Tregojnë numrin e autostradës.
- Ç’thua, mo! Mirë që nuku e provova. Do isha përmbysur.
Kish kaluar Nju Xhersin e të nesërmen nuku më harroi, po ma bëri thirrjen që pe një vendi diku andej nga Virxhinia.
- Alo?! Sapo u zgjuamë me Milkën, në një motel shumë të mirë. Tashi do vazhdojmë rrugën.
- Mbarë e paçi, - ia këtheva.
- Mos harroni të na bëni një vizitë në Kaliforni, Peçkë!
- Pse jo?! – thashë. Po arritët dot të vini ndonjëherë gjer atje, nuku ju lemë pa vizituarë!
Një ditë më pas, më telefonoi gjene prapë.
- Asnjë problem gjer tashi, - më tha.
- Po ç’problem do më shumë ti, mor gomar i *****! – i ulërita. Ti je kthyerë gjene në Nju Xhersi! Prefiksi i Nju Xhersit, më dolli tashi në ekran të cellularit!
Zikes sikur i ra pika.
- Vërtet, thua?!!! Po këtu autostradat dhe anët që i kufizojnë, bëhen tëra njëlloj, o u bëfsha tëmat! – ia bëri ay. Do jem ngatërruarë kur dola nga ajo benzinata e në vend që të merrja perëndim, mora gjene lindje! Ama po thoshja unë: çne, djelli, që mua gjer tashi më binte prapa qafës, nisi të më bjerë në sy! Ikë mo, se nuk do ta le pa blerë një busullë. Si i thonë busullës, o?
Dhe me një topkë busulle e me hartat e Shteteve të Bashkuara në prehër të Milkës, Zikja nisi të lundronte në hapësirën e gjërë, në fund të së cilës San Diegoja s’e kish hiç në defter këtë shqiptar kokëshkëmb.
Kaloi ai, pyje e shkretëtira, kapërceu ura, lumenj e thatësira, sa nuku pat parë në tërë jetën e tij!
Më merrte ndonjëherë në telefon, ky Kristofor Kollombi i San Diegos e më tregonte që kënga “Psherëtita, dolli flakë”, pas shtatë ditësh u qe mërzitur e pas kësaj radion e kishin mbyllur fare. Pa le që edhe hapur ta mbanin, as që do i kishin kuptuarë lajmet, që udhëzonin se për dy ditë, nuku duhej të dilte makinë në rrugë, se pritej një uragan, nga ata që kur shfryjnë, palosin katrash fshatrat e qytetet amerikanë, që gjejnë përpara. Ama, nuku shihte makinë atë mëngjes Zikja, as me sy e as nga pasqyrkat. I dukej sikur ajo autostradë qe, e tëra, e minuarë dhe ja-ja, do hidhej në erë! Zikja shtërngonte timonin, Milka bënte buzkat me të kuq e Fordi i vjetër hungërronte mbi xhade, nën një qiell të nxirë pus. Xhan-xhin, njeri përreth! Atyre u dukej sikur Amerika qe boshatisur e tëra, amerikanët ia kishin mbathur me soj e sorrollop dhe ua kishin lënë dorëzim kontinentin, Zikes e të shoqes! Patën bërë mënjanë në një benzinatë dhe u pat ardhur zemra në vend, kur kishin parë shitësin të zgjohej nga gjumi e t’u shërbente dyke u thënë ca fjalë, që as burri as gruaja nuku i kuptuanë. Në fund kur kishin ikur, ai shitësi paskësh zgjuarë dhe dy shokë të tjerë, që kishin shfaqur sytë e çakarritur prapa xhamave. Ata kishin ndjekur me lebeti Fordin, gjer sa xbriti udhishten e u fut gjene në autostradë, me hundë drejt Kalifornisë.
Pika që s’u bie, sikur nuku kanë parë femër këtyre viseve! – ia kish bërë Milka dyke nxjerrë pasqyrkën e saj për të shpjeguarë se çfarë ishin ato vështrimet me sy të shqyer të amerikanëve, që nuku guxonin të dilnin përjashta.
Pas kësaj pat filluarë dasma, uragani që pritej. Një erë e marrë ua kish ngritur një herë maqinën nga një krah, pastaj ua kish mbërthyerë mu në mes të autostradës, kur u kish plasur kryq mu te parakolpi trupat e dy palmave të mëdha. Milka pat ulëritur si e lojtur, kurse Zikja pat mallkuarë ditën që patën marrë vizat amerikane.
Beratasi i gjorë rrëfente, se si u kish rënë përsipër një qilim i lagur që era e tërbuarë e pat rrëmbyer me frymën e saj nga ndonjë shtëpi e rrafshuarë. Qilimi u kish zënë të tëra xhamat dhe që nga ay çast, i ziu burrë, shikonte vetëm sytë e çapluarë të gruas.
Se sa kish zgjatur kjo katrahurë, asnjëri pe tyre nuk e mbante mend. Njeriu u mësuake me llahtarën. Kjo kishte qenë për ta nata më e gjatë amerikane, se rrëshqitjet e dheut kishin sjellë një baltë të hollë rreth e qark Fordit të Zikes dhe niveli i saj qe ngritur mbi çati të makinës.
Ditën e tretë i pat nxjerrë nga balta një vinç i policisë rrugore. Ata kishin hapur dyertë dhe kishin gjetur çiftin tonë në një gjëndje, që nuku e imagjinonin dot: gruaja bënte buzët me të kuq, kurse burri pat ulur volumin e një kënge të panjohur beratase dhe u kish thënë atyre të ndihmës së shpejtë:
- No inglish!
Ishin habitur Zikja me Milkën, se si qenë mbledhur aty menjëherë një ushtëri e tërë gazetarësh, kamera të televizionit, me vinçierë të “AAA”-së dhe përfaqësuesa të prodhimit të Fordit. Gazetarët rriheshin me grushte, kush e kush t’i afrohej atij Fordit të vogël, me ngjyrë të zezë.
Mua më ra telefoni, sapo Zikja u kish zgjatur policëve numërin tim të cellularit.
I përktheva të tëra, ç’u thosh Zikja: që kish ardhur me rrugë legale, që nuku gjente dot punë në Nju Jork dhe i kishin premtuarë në San Diego, që Fordin e kish të blerë nga një që do ta hidhte dhe nga gjërat e makinës, të prodhuar pas tetëdhjetedyshit, kish vetëm patentën.
Zhurma që dëgjoja në cellular, po bëhej gjithnjë edhe më e madhe. Zikja, ja ai teleshmeni, që mezi kish marrë patentën dhe kish nisur tërë atë rrugë, si i lojtur që ish, si pa dashur, qe bërë i famshmë. Tërë gazetat e muarë dhe e vunë në faqe të parë aventurën e beratasit, që psherëtiu sa psherëtiu, po vërtet nxorri flakë, ama! Titujt e gazetave të vrisnin sytë nga gërmat e mëdha: COAST TO COAST!, që do të thotë “pe bregut në breg!” Ky titull u vinte i pari në mend tërë gazetarëve, për të përshkruarë odhisenë e atij shqiptarit, i cili për të gjetur punë, çau Amerikën mes për mes.
“AAA”-ja e bëri Ziken anëtar nderi të përjetshmë, pa pagesë. Në makinën e vjetër, që tregonte veç ato 250 mijë miljet e para, megjithë baltën që e kish mbuluarë, nuku pat hyrë as një currilkë uji dhe motori u ndez me të shkrepurën e parë. Nuku kish rekllamë më të mirë për Fordin dhe firma e shfrytëzoi! Qendra e prodhimit i dhuroi Zikes një veturë të re, akull dhe - ajo më e madhja - bordi drejtues i kompanisë vendosi të financonte një film mbi këtë ngjarje, për një emigrant që çan Amerikën me një Ford të vjetër. Zikja u kish kërkuarë të luanin në film, tok me Milkën rolet e tyre, por ata u kishin thënë që nuku bënin për këtë punë. Demek, ju e bëtë këtë punë, po ajo aventurë tashi u ka lezet artistëve të Kalifornisë, Tom Hanksit me shokë! Zikja i kish sharë nga nëna ç’mbanin pragjet e Hollivudit, po sa para bënte! Ia mbyllën sqepin me Fordin e ri!
Edhe Milka nuku mbeti duarbosh. Një firmë e madhe kozmetike i dërgoi njëmijë kalema buzësh dhe i premtoi, që cilido të qe prodhim i parë i firmës, do kalonte menjëherë falas mbi tryezat e nuses pe Berati.
Po hë bre, nuku të vjen të pëlcaç?! Një i mënçur nuku e bën kurrë punën që bën budallai! E prandaj të mënçurit mbeten trokë. Me një të lëvizur të bishtit, fati i fali Zikes shtëpi, punë e makinë. E po çfarë do më shumë një shqiptar normal, që merr rrugën e mërgimit?!
Nuku bien në tokë Zikja me Milkën! Unë e mora nja dy herë në telefon Ziken, po ai nuku ma zgjati shumë, se e prisnin kamerat, për intervista! E po të kesh dy barqe: një ta çash e një ta mbash, se të duhet! Tani unë nuku i bie më numërit të tij, se Zikja vajti lart shumë! E kur shokët e mij venë lart… Vuaj ca unë, kur më bëhen shokët të famshmë!
Të fundit herë që i bëra një zile, më kërkoi ndjesë, se kish një punë, që nuku priste.
- E po, Zike, gurë zënç me dorë, florinj t’u bëfshin! – i thashë dhe po mbyllja telefonin me një të sharë nëpër dhëmbë.
- Çfarë the ashtu, çfarë? – nxitoi të më pyeste, me një nuhatje pe qeni. Më shave, a?
- Po, - ia ktheva. Një çiçkë!
- Pa thuaje gjene!
- Në të sat’ëme, të veç!
Dhe ia përplasa telefonin me një inat që, kur mos i kem tërë, akoma nuku më ka dalë!


Të djelën e ardhshme do të lexoni rrëfenjën “Largësi që nuk maten me sy”

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama