MEHDI BUSHATI
Shqipëria për herë të parë mori pjesë në veprimtarinë zyrtare europiane në vitet 1962-1964. Është një histori e bukur për t'u kujtuar pasi shorti i hedhur nga UEFA e vuri ekipin kombëtar Shqiptar përballë atij grek.
Por ky i fundit, Greqia, për shkaqe politike e marrëdhënie jo të mira ndërshtetërore me vendin tonë, refuzon të luajë me Shqipërinë. Ky refuzim i pajustifikuar i Greqisë u mbajt në fshehtësi të plotë nga pala greke, por mbi të gjitha edhe nga struktura të përgjegjshme të UEFA-s.
Ajo nuk u botua as në faqen zyrtare të saj dhe si pasojë nuk u bë as koment i mediave sportive të kohës. E çuditshme, por e vërtetë. Aq diskret u mbajt, sa edhe ne futbollistët e parë të përfaqësueses kombëtare në këtë aktivitet nuk u bëmë me dije dhe qartazi nuk e kuptuam eliminimin e Greqisë e marrjen e gjashtë pikëve në tavolinë.
Për rrjedhojë, ne kaluam në turin e dytë të këtij Europiani duke u rreshtuar në 16 skuadrat më të mira në këtë kompeticion, gjë e cila erdhi dhe se në këtë veprimtari zyrtare të parë në kontinent munguan disa shtete anëtare të UEFA-s si: Gjermania, Qipro, Finlanda e Skocia.
Shorti i hedhur në turin tjetër e vendosi Shqipërinë përballë Danimarkës. Takimi i parë më 29 qershor 1963 u zhvillua në Kopenhagen dhe përfundoi 4-0 për vendësit. Kurse ndeshja e kthimit u zhvillua në Tiranë, më 30 nëntor 1963, dhe u fitua nga Shqipëria 1-0. Gëzimit të fitores me Danimarkën, iu shtua edhe kostumi i parë sportiv i Kombëtares sonë Kuqezi, i cili prezantohej për herë të parë para publikut e tifozërisë së zjarrtë shqiptare.
Mbresëlënëse nga kjo ndeshje ka mbetur goli i artë i Panos, rrjedhojë e një kombinacioni të bukur midis dyshes Pano-Bushati afër zonës së rreptësisë mike, i cili e vë Panajotin përballë portierit danez Sorenson dhe gol. Si rrjedhojë e këtij rezultati, Danimarka kualifikohet në turin e tretë, në sajë të golavarazhit më të mirë.
Pas Europianit, Shqipëria mori pjesë në eliminatoret e Botërorit 1946-1966. Shorti e vuri në një grup me Holandën, Zvicrën e Irlandën e Veriut. Në fillim të viteve '60, futbolli ynë mori pjesë rregullisht në Kupat Ballkanike, me pjesëmarrjen e klubeve më të mira të Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë e Shqipërisë.
* * *
Pavarësisht vështirësive e rezultateve të arritura, e rëndësishme ishte përvoja e fituar nga këto veprimtari ndërkombëtare që ndikoi pozitivisht në ecurinë e futbollit tonë dhe rritjen cilësore të tij.
Dhe konkretisht: Deri në ato vite, mënyra e lojës dhe skemat e përdorura në futbollin tonë nuk ishin shumë efikase e bashkëkohore.
Predominonte një futboll statik e i mbyllur. Kështu, për shembull, reparti i mbrojtjes e përqendronte lojën kryesisht në gjysmën e fushës së tij. Ishin raste tepër të rralla kur një lojtar i mbrojtjes të kalonte në sulm, sikurse ishte i pazakontë që një lojtar i sulmit të kthehej në mbrojtje për të ndihmuar e bashkëpunuar me shokët e tij.
Pra, ekzistonte një ndarje e dallueshme midis repartit të mbrojtjes e sulmit. Afërsisht kjo marrëdhënie ishte dhe midis mbrojtjes e sulmit.
Afërsisht kjo marrëdhënie ishte dhe midis treshes së mbrojtjes e portierit. Ishte përjashtim që lojtari i mbrojtjes t'i pasonte përpara topin portierit ose ky i fundit t'i kalonte një pas me dorë ose me këmbë mbrojtësit të tij dhe prej aty të fillonte organizimi i lojës, nga mbrojtja në sulm sikurse veprohet sot në futbollin bashkëkohor, ku portieri është lojtar aktiv i formacionit të njëmbëdhjetëshes etj.
* * *
Si rrjedhojë e pjesëmarrjes në rritje në veprimtaritë ndërkombëtare, nisur nga ata në shkallë rajoni e në vijim, në kompeticionet europiane e botërore, në lojën tonë filloi të ndihet influenca e një futbolli modern. Nisën të aplikohen forma e skema tekniko-taktike më efikase.
Tani nuk të bënte më përshtypje pjesëmarrja e mbrojtësit në sulm e anasjelltas. Gradualisht po kalohej në fillimet e një futbolli total, sa në mbrojtje dhe në sulm. Kjo përvojë e përparuar, e fituar gradualisht nga pjesëmarrja në aktivitete të tilla ndërkombëtare, na solli pas rreth 20 vitesh në eliminatoret e Botërorit 1984-1986, finalet e të cilit u zhvilluan në Meksikë, kur Shqipëria pa inferioritet u përball në grupin e saj me Belgjikën, duke u mundur në "Qemal Stafa" 2-0, me golat e paharruar të Josës e Mingës, ajo Belgjikë që në finalet e këtij Botërori zuri vendin e tretë të këtij kompeticioni.
Ishte Kombëtarja jonë që për herë të parë zuri vendin e tretë në grupin e saj, duke lënë Greqinë në vendin e katërt. Për hir të së vërtetës, u deshën dhe tri dekada të tjera që futbolli ynë të bëjë hapin më të madh në historinë e tij duke zënë vendin e dytë në grupin e vet në eliminatoret e këtij Europiani.
Është ky pozicion që e çoi në finalet e "Francë 2016" dhe është arritja më e lartë e Kombëtares shqiptare.
Kuptohet, duke e vlerësuar maksimalisht ekipin e respektuar gjithë brezat e futbollistëve tanë, duke filluar nga Përfaqësuesja jonë e parë në Europian e vijuar me breza të tjerë të Kombëtares sonë për dekada të tëra, të cilët me shpirtin e lartë të sakrificës e dëshirën për fitore kontribuan në këtë arritje të madhe të futbollit shqiptar.