Emri i fshatit ku më 15 mars 2008 ndodhi gjëma, është tejet i lakuar në nivele të ndryshme figurash të ligjërimit. Duke dashur të analizojmë “prurjet” e fjalës Gërdec, le t’ia nisim nga etimologjia. Thuhet se në burim kjo fjalë shenjon një sëmundje veneriane...
Di që në Shqipërinë e Mesme përdoret një mallkim: “Të raftë gërdeci!”, duke patur parasysh epidemitë veneriane. Në idiomën arkaike kjo shprehje është po aq e njohur sa dhe idiomat anatemuese “Të raftë tartakuti”, “U ftofsh n’tajare” etj. Me sa di unë, nga sllavishtja e vjetër “Gërdec”, do të thotë “Gërdi”, d.m.th., krrupë, neveri.
GËRDEC! Në fjalorin e shqipes gjashtë shkronjat e këtij emri do të hyjnë si një nocion jo më toponimik. Nëse në shkencën okulte të Kabalës përdoreshin kombinimet e 22 shkronjave të alfabetit hebre për të mbërritur mistere të epërme, duke i kombinuar ato, si në rastin e tetragramatonit JAHVE që përbënte emrin e Zotit, atëherë në rastin e Gërdecit ne kemi një hekzagramaton. Polisemantika GËRDEC vazhdon të zbatohet gjerësisht si term kategorial për të përgjithësuar dukuri të frikshme, fatale, regresive. Vetë përmasat e gjëmës ta sugjerojnë një përdorim të tillë. Por në ligjërimin politik ky emërtim ka shërbyer si bazë pjellore për të arritur efekte të stërfryra (konkave), herë të qëlluara, e herë të sforcuara.
Si e shpjegoni zhvendosjen e këtij emri nga nominimi i një fshati të Tiranës deri dje të panjohur, në metaforë pjellore.
Një vëmendje kaq e përqendruar mbi një fjalë, ia rrit asaj aftësinë shenjuese për të shprehur hiper-realitete negative; por bashkë me kuptimet e reja, dalin në pah edhe domethëniet e vjetra. Pra fjala i nënshtrohet një biografie rrënjësore të prejardhjes, në kohën e pagëzimit të saj, apo dhe konotacioneve të jetërave paralele që ka patur kjo fjalë, siç janë ngjashmëritë tingullore apo asociacionet që përmendëm me sëmundje veneriane apo me diç të papastër. Sigurisht që, me përmasat e fatkeqësisë që ndodhi, - një fatkeqësi që mund të ishte mënjanuar mjaf që të këmbëngulte vullneti qoftë edhe i një njeriu të përgjegjshëm – fjala Gërdec, përveçse metaforë e zisë dhe e dhimbjes, është dhe metaforë e alergjisë popullore të filozofisë derdimene me “varja sot, e varja nesër”. Gërdeci është metafora arketipike e alergjisë popullore që shkapetet në dritë të diellit.
Cili është konotacioni më i goditur?
Janë klishetë e ligjërimit publicistik: “gërdecizimi i politikës shqiptare”; “qeveria e Gërdecit”; “Gërdeci i jetës sonë”. Ndërsa unë do të shtoja diçka për çdo shqiptar, në frymën e një libri të Heminguejit: “Një Gërdec që e ke gjithmonë me vete” në vend të titullit të shkrimtarit: “Një festë që e ke gjithmonë me vete”.
Cili është krahasimi më i gjetur me fjalën Gërdec që keni lexuar apo dëgjuar këto kohë?
Ah, po. Një gazetar e niste analizën e tij me frazën: “Të gjithë ne, në një mënyrë a në një tjetër, jemi pjella të Gërdecit...”. Pas kësaj fraze, edhe sikur të mos shkruhej asnjë fjalë, secili, sipas takatit, formimit apo prirjes filozofike mund ta vazhdojë vetë meditimin. “Gërdeci – një masakër e paralajmëruar” apo “Gërdeci si postskriptum i jetës sonë të paqëndrueshme”. Apo dhe “Nga Gërdeci në Gërdec...”. Vetë fjala është produktive me një rimë të pashmangshme: “ngec”. Është njëfarë bllokimi, qorrsokaku, ngecjeje, çmërsi. Është një hemorroid në organizëm, disfunksion, paralizë. Gërdeci është mizë që përplaset në retinë dhe verbon perspektivën.
Cili eufemizëm e fsheh më bukur realitetin që shkaktoi shpërthimi në Gërdec?
Jo aq eufemizëm, se sa tradhtimin e vetvetes. Gërdeci është Çernobili ynë shqiptar, i pavënë re ose i vënë re, porse i shpërfillur.
Të rinjtë kanë nisur të përdorin shprehje “U bë Gërdec”, “është bërë fare Gërdec” për të nënkuptuar “është dehur nga marijuana” apo stimulantë narkotikë, siç ka edhe shprehje politike si "Sali Gërdeci", "Gërdeci rrëzon Berishën" apo "zbardhja e Gërdecit"...
Gërdeci, para së gjithash, është kategori e disfatës mentale, njëfarë kotjeje e dremitje në kufij të vdekjes e masakrës, prandaj dhe si gjendje ai paraqet jetën e vetëdijes në koma, në podrum, çka e bën të lakmueshme paralelizmin me vetëdijën e errësuar të konsumatorëve të narkotikëve. Gjithashtu përvoja e hidhur e Gërdecit lidhet me situatat minus vigjilencë, me kapjen gafil, me daljen e situatës jashtë kontrollit, çka lidhet me përgjegjësitë shtetërore, politike e administrative. “Zbardhja e Gërdecit” më shumë se sa procedurë hetimore, ka të bëjë me gjendjen mentale sa të vetëdijës sonë shtetërore, aq dhe të asaj publike e qytetare, sepse nuk ka det që të zbardhë një krim ku pjesëmarrës janë të gjithë aktorët.
Cila shprehje apo kuptim zë sipas jush kreun e kompozimeve me fjalën “Gërdec”?
Sipas asociacioneve kuptimore dhe tingullore, të parët që të vijnë në mendje janë “Gërdi” dhe “Kërdi”, d.m.th., masakër. Prishje e ekuilibrit moral, ethja për të nxjerrë maksimalisht fitime në një ndërrmarrje të paligjshme dhe kërkimi i kësaj aventure vdekjeprurëse në lëkurën tënde.
Në bisedën e para pak ditëve ju e lidhnit këtë emër me një temë sociologjike mbi kulturën e banimit. Deri vonë ka qenë komuna e Kamzës dhe e fshatrave brenda saj e prekur në ndonjë diskutim të këtij lloji që ka të bëjë me fenomenin e tokave të lira, “pa zot”, por të panjohura nga “të ardhurit”.
Në Gërdec kemi një pikëtakim fatkeq të botës shqiptare, gjykuar nga konfiguracioni përbërës i këtij fshati: malësorë të provincave të Veriut dhe të Jugut dhe elementi vendas. Një kokteil amalgamë i tranzicionit vanitoz shqiptar. Kemi një Shqipëri në miniaturë brenda këtij fshati, me përpjekjen për të mbijetuar në çfarëdo mënyre dhe me aventurën karakteristike të mentalitetit shqiptar që nuk kursen asgjë për shfrytëzimin e çdo mundësie mbijetese, duke i hedhur dorashkën vdekjes, në kuptimin më të drejtpërdrejtë.
Supozojmë se ne të dy jemi banorë të Gërdecit... për çdo mbrëmje, pas punës, mblidhemi të pimë një kafe, të kuvendojmë mbi gjëra të zakonshme apo “të larta”, ndërkohë që ditë e natë, ndanë asaj kafeje, kalojnë komionë, maune e tatra të mbushura me armë, fishekë, dinamit e predha. A thua vallë nga gjithë kuvendimet tona mbi gjërat e përditshme dhe ato “të lartat”, asnjëherë të mos dalë njëri e të thotë: “Kjo është marrëzi, një ditë do të hidhemi në erë, duhet ndërprerë kjo çmenduri!”. Aq më keq nëse gratë, burrat apo fëmijët e familjeve tona janë të përfshirë në këtë garë vdekjeje!
Pra të gjithë e dinin dhe askush nuk u ngrit ta shpallë, ta bëjë problem çka tregon shkallën e kulturës së banimit. Të jeni të sigurtë se asnjë provincë italiane, greke, europiane apo dhe ballkanike, nuk do të pranonte të flinte mbi depo eksplozivi. Vetëm ne nuk e vrasim mendjen dhe jetojmë përditë me rrezikun e vdekjes përbri. Dakord që fajtor është shteti, por pa vullnetin e banorëve, asnjë shtet nuk mund të veprojë si të dojë, aq më tepër kur është fjala për jetën njerëzore që është një, e vetme dhe e pakthyeshme.
Ju e quani Gërdecin një simptomë incesti të shoqërisë. Me "shaka" si këto mos po hyjmë në zonën e kuptimeve që i zhveshin tragjeditë nga solemniteti dhe respekti i nevojshëm që kur mungon, dëshmon shkallë të ulët të ndërgjegjes qytetare?
Kjo është një metaforë e përshtatshme që do ta shpjegoj. Përvoja tragjike e Gërdecit nuk ndodhi vetvetiu. Ajo vjen nga tjetër kohë dhe është një pikëzim i kolapsit tonë historik, politik dhe social. Është flligështi apo incest në këtë kuptim: armët janë e shkuara jonë diktatoriale, pra koha e shkuar, me të cilën ne përpiqemi t’i lajmë hesapet në një kohë tjetër. Nuk është shpikje e qeverisë së sotme, por një praktikë që ka nisur para se ajo të vijë në pushtet (ja dhe një pikëzim tjetër që përfshin pozitën dhe opozitën).
Projektuesit dhe menaxhuesit e situatës së sotme të Gërdecit qenë po ato firma dhe sekserë të opozitës së sotme. Populli – po ai popull, i djeshmi dhe i sotmi, pozitë dhe opozitë nga të gjitha regjionet. Të gjitha këto pikëtakime janë të përfshira në një situatë të përbashkët bashkëpunimi, të cilën metaforikisht e quaj “incestuoze”. Dhe nga situatat incestuoze, dihet që, gjenetikisht, përftohen pasardhës me gjymtime e të meta të mëdha. Kjo nuk është shaka, por skemë e të menduarit të shëndoshë që duhet marrë në analizë, pasi tragjedinë nuk e zhbën dot më.
Si çdo metaforë që ka një kuptim të fshehur për mesazh, cili është morali i Gërdecit metaforë?
Gërdeci si metaforë është gjendja katastrofike e vetëdijes qytetare tek ne. Gërdeci na rrëfen me përvojën e vet tragjike se sa jemi larguar ne nga përgjegjësia që kemi për mbrojtjen e jetës tonë, të fëmijëve dhe familjeve tona, por na mëson se, besimi mitik apriori tek shteti dhe pushtetet është një atavizëm kundërproduktiv, i trashëguar nga diktatura. Secili duhet të kërkojë llogari ku banon, si banon, në çfarë kushtesh. Ka gjithmonë një “pse” për gjërat e paqarta që kërcënojnë hapësirën e banimit publik tok me jetën tënde dhe të familjes.
Ideja e dikurshme se “partia i di të gjitha; partia na udhëheq dhe ne i bindemi verbërisht; atë punë e di partia etj”, besoj se i ka dhënë për 45 vjet frutat e helmëta. Duhet të mësohemi se shteti, pushteti dhe partitë edhe nëse diçka dinë, e dinë për interesin e vet. E si mund t’i varësh shpresat dhe sigurinë e jetës tënde, fjala vjen, tek aftësitë teknike e profesionale të delijorgjëve?
Gazeta: Shekulli