Në “udhëtimin” e tij në det për rreth 24 orë, Voltolina do të shoqërohet nga një anije e Guardia di Finanzza-s, por nuk do të ketë mjete të tjera përveç kostumit të banjës dhe syzeve të notit.
Projekti “Adriatik” është kalimi i parë me not i Adriatikut pa ndihma të jashtme. Për Voltolinën, kjo do të jetë një sfidë e re, pasi në rekordin e 2006-s në kanalin e La Manshit, ai u ndihmua nga një kafaz. Pas 13 orësh not, Voltolina vendosi rekordin e tij. Sipërmarrja e Voltolinës është e destinuar të futet në historinë e sportit, kjo edhe për faktin se i pari që e provoi një gjë të tillë në vitin 1985 ishte Paolo Pinto, i cili u mbyt për shkak të kushteve të këqija të motit në det.
Në prezantimin që iu bë sot nga Konsullata Italiane në Vlorë, nisma e Voltolinës u pa edhe si një eveniment që i jep akoma më shumë vlerë bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit. Në evenimentin e datave 4-5 shtator do të jetë e pranishme edhe Irene Piveti, politikane dhe gazetare italiane. Organizata jofitimprurëse e drejtuar prej saj është njëra nga mbështetëset e iniciativës së Voltolinës.