Nga Lacio tek fushata jeta ime mes Romes e Tiranes

Nga Lacio tek fushata, jeta ime mes Romes e Tiranes
Igli Tare, Drejtori Sportiv i Lazios, dikur futbollist qendror i kombëtares dhe i disa klubeve në zë në Itali dhe Gjermani, është një njeri mjaft i angazhuar. Në telefon teksa po niset jashtë Italisë, ai pranon megjithatë t’i përgjigjet çdo pyetjeje që i bëjmë, me mirësjellje e pa u bezdisur. Tare kujton fushatën e 2005-ës, ku pranoi të shfaqet në krah të qeverisë së asaj kohe, pa harruar faktin se kjo solli më pas largimin nga puna të të gjithë të afërmve të tij në Tiranë

Igli Tare, dje futbollist i njohur i disa kampionateve europiane, sot drejtor sportiv i Lazios, njërit prej klubeve historisë së futbollit italian. Sa dhe si ka ndryshuar jeta juaj personale dhe profesionale?

Jeta ime ka ndryshuar në 360 gradë. Gjithçka është e ndryshme sot, krahasuar me periudhën kur isha futbollist. Të jesh drejtues klubi është një përvojë krejt e ndryshme, padyshim e jashtëzakonshme. Dhe nëse je drejtues i një klubi të madh si lazio, përgjegjësia është edhe më e madhe. Kur e nisa profesionin e drejtuesit sportiv, nuk e imagjinoja natyrën e punës, nuk e dija me saktësi atë që më priste. Sot mund të them se po filloj ta njoh futbollin nga një këndvështrim tjetër, krejt i ri dhe i pamundur për një lojtar.

Si ndjeheni tek lazio?

Fillimi im tek Lazio qe i vështirë, e kotë ta fsheh. Siç e thashë më lart, detyra që mora përsipër ishte e para e këtij lloji për mua dhe për këtë arsye, më dukej edhe e vështirë. Kam punuar fort dhe me këmbëngulje, sidomos në fillim, me qëllim që të njoh terrenin, problematikën e profesionit, anët poziteve, negative, të fshehtat dhe truket e tij. Sot mund të them se gjithçka shkon normalisht dhe se e kam “tretur” distancën që ndan postin e drejtorit sportiv, nga ai i futbollistit.

A është e saktë ideja që qarkullon disa herë rreth Lazios, si një klub me një tifozeri me tendenca ksenofobe?

Kjo është thjeshtë një legjendë urbane. Fakti që unë mbaj këtë post në hierarkinë e klubit, fakti që ne kemi shtatë futbollistë me ngjyrë, tregon krejt të kundërtën. Personalisht s’e kam ndjerë kurrë si problem, të qenit shqiptar, në krye të klubit. Kam bindjen se po kështu janë ndjerë edhe lojtarët me ngjyrë, që japin një ndihmë shumë të madhe për arritjen e rezultateve pozitive që po arrijmë.

Problemi i ksenofobisë është i shtrirë në të gjithë futbollin europian. Për fat të keq ai ngre krye aty-këtu edhe në futbollin italian, por natyrisht që nuk është Lazio shembulli negativ në këtë drejtim.

Kemi parë presidentin e Lazios Lotito, të marrë pjesë në disa festa e ceremoni në ambasadën tonë në Romë. A mund ta konsiderojmë Lotiton një mik të shqiptarëve tashmë?

Mund të them se presidenti Lotito e ka me sy të mirë Shqipërinë, ai ka ardhur në disa prej aktiviteteve që janë organizuar nga shqiptarët në Romë. Natyrisht që ai nuk mungon në ceremoninë e Festës tonë Kombëtare që organizohet çdo vit.

Si po ecin lojtarët shqiptarë në Itali? Cili është pozicioni që ata zenë sot në hierarkinë e klubeve italiane?

Mendoj se ka vend për të qenë i kënaqur me performancën e disa prej lojtarëve shqiptarë që luajnë në Itali. Dua ta nis nga Seria B, ku po bën një kampionat të shkëlqyer Ujkani, një portier që me siguri do ta shohim edhe në skuadra të njohura një ditë. Pa harruar natyrisht Bogdanin, niveli i të cilit njihet dhe që po jep një ndihmë të madhe për ekipin e tij, Cezenën. Mund të them se tashmë, krahasuar me periudhën kur unë erdha në Serinë A, lojtarët shqiptarë s’janë më fenomene të shkëputura dhe të panjohura, por një realitet i caktuar që po merr formë.

Le të kalojmë një moment në bregun tjetër të Adriatikut, në Shqipëri. Siç jeni në dijeni, pas pak ditësh, më 8 maj, shqiptarët do të shkojnë të votojnë. A po i ndjek zhvillimet politike Igli Tare?

I ndjek zhvillimet në Shqipëri me pasionin dhe interesin e një shqiptari që është i preokupuar për fatin e vendit të tij. Mund të them se përtej punës, që më detyron të lëviz shumë dhe të mos jem në Romë në mënyrë permanente, unë azhornohem çdo ditë me atë që ndodh në Shqipëri. Tashmë interneti të lejon të shohësh nga larg thuajse gjithçka. Mund të them pra, se jam një nga qindra mijë shqiptarët në botë, që e mbajnë një sy drejt vendit të tyre.

Dhe si e komentoni situatën që po kalon Shqipëria në këtë periudhë?

Duke e parë nga larg, e para që më vjen në mend dhe që më shqetëson, është dhuna. Ky është elementi që të vret sytë, teksa ndjek zhvillimet më të fundit, përfshirë fushatën elektorale që ka nisur. Kam frikë se klasa jonë politike nuk e ka mësuar ende mësimin e thjeshtë, se përmes dhunës nuk arrihet asgjë e mirë, përveçse krijohen kosto për sot dhe për nesër.

Ju patët një kontakt indirekt me politikën në vitin 2005, kur morët pjesë në fushatën e socialistëve. Si e kujtoni atë episod?

E kujtoj fare qartë. Ka qenë një angazhim thjesht qytetar imi në atë kohë, për mënyrën sesi e shihja dhe vazhdoj ta shoh dinamikën e zhvillimit të vendit. Mora pjesë në fushatën e maxhorancës së asaj kohe, për faktin se i konsideroja si pozitive disa prej elementeve të qeverisjes. Por vetëm kaq. Hyra si qytetar në një moment të garës elektorale dhe dëshëroj të mbetem i tillë.

Ajo që pasoi më vonë, me goditjen politike që iu bë familjes time pas zgjedhjeve, me largimin nga puna të babait dhe dy vëllezërve, më tregoi indirekt sesa peshë pati ai gjest i imi. Megjithatë s’kam ndryshuar aspak mendim për atë që bëra. Do ta bëja sërish, me bindje të plotë. Dua të them se si shqiptar dhe si qytetar, për mua s’kanë ndonjë rëndësi ndarjet politike, majtas apo djathtas. Mbetem i bindur se më i rëndësishëm është zhvillimi dhe progresi.

Do të vini në Shqipëri së shpejti?

Unë vij jo rrallë në Shqipëri, aty kam gjithë të afërmit, me të cilët mbetem në kontakt të përditshëm. Megjithëse u bënë shumë vite që jetoj në Perëndim, jam krenar që s’i kam humbur për asnjë çast lidhjet me vendin dhe njerëzit. Këtë e quaj një vlerë të palëvizshme në jetën time personale dhe profesionale.

A do ta shohim së afërmi Lazion në njërin prej stadiumeve të Shqipërisë?

Do të ishte një gjë mjaft e bukur, por që kërkon disa kushte që të realizohet. Ngarkesa e kampionatit italian, axhenda mjaft e ngarkuar me ndeshje dhe detyrime të tjera, ze një peshë të madhe për një klub si Lazio. Megjithatë do të ishte diçka e bukur që ky ekip me emër edhe mes tifozëve shqiptarë, të zbresë një dite në Shqipëri për të luajtur një ndeshje me një ekip shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama