Janë drejtues shtetesh. Presidentë, kryeministra, politikanë. Drejtojnë superfuqi ekonomike apo ushtarake. Edhe pse agjenda e tyre është e zënë, ata gjejnë kohën të mos mungojnë në stadiume kur luajnë ekipe e tyre të zemrës. Dhe jo vetëm kaq, por janë edhe tifoz të thekur. Gazeta “Tirana Observer” në suplementin e saj sportiv të së premtes zbulon se me kë bëjnë tifoz politikanët. Nga Barak Obama, Xhorxh Bush, Silvio Berluskoni deri tek politikanët shqiptarë si Bamir Topi, Fatos Nano, Edi Rama, etj. Por veç tifozë, një pjesë e politikanëve në rini të tyre kanë qenë vetë sportistë, ku mund të përmendim Edi Ramën apo Ilir Metën.
BARAK OBAMA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve të kolegjit ka luajtur basketboll, madje sipas mediave amerikane, ai ka qenë një lojtar i nivelit të pranueshëm. Obama është fotografuar disa herë duke luajtur basketboll. Veç basketbollit, presidenti amerikan është i njohur si një tifoz i “Chicago Ëhite Sox”, një ekip bejzbolli nga Çikago. Obama ka pasur pasion edhe golfin, madje ishte një mik i mirë edhe lojtarit më të paguar në botë, Tajgër Udsit, duke i telefonuar e këshilluar këtë të fundit gjatë periudhës së skandalit me të shoqen të këtij të fundit. Ndërkohë që Obama nuk lë mënjanë as futbollin.
XHORXH BUSH
Edhe ish-presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, ka qenë një i pasionuar i madh i sportit. Ai kishte në bashkëpronësi ekipin e bejzbollit të Texas Rangers. Gjatë kohës si student ai ka luajtur bejzboll, por dhe një lojtar i nivelit mesatar i ragbisë. Bushi zhvilloi një garë miqësore me Lens Armstrongun në fermën e tij të Teksasit. Gjatë një vizite në Kinë, kur në Pekin zhvilloheshin Lojërat Olimpike ai përshkroi 16 kilometra me biçikletë, përfshirë edhe 6 kilometra në një shpat mali, i shoqëruar nga gjashtë çiklistë. Bushi kishte ngarë një biçikletë në Pekin në vitin 1975, kur i ati i tij, Xhorxh Bush, kishte hapur një zyrë lidhjeje amerikane. Edhe babai i tij, ish-presidenti Xhorxh Bush ishte kapiteni i ekipeve të bejzbollit dhe futbollit në kohën kur ishte student në Akademinë Filips.
BILL KLINTON
Bill Klinton, ish-presidenti amerikan ka qenë një fans i zjarrtë i golfit. Madje duke e pasur pasion, por dhe një defekt ai ka marrë mësime golfi edhe gjatë kohës kur ai ishte në detyrë. Bill Klinton është i pasionuar pas futbollit, madje ishte i pranishëm në dy ndeshje të Shteteve të Bashkuara në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut.
DIMITRI MEDVDEV
Kryeministri rus, përveç se është një fans i muzikës hard rok ka pikë të dobët dhe sporttet. Trupshkurtër, por edhe truplidhur, Medvedevi në moshën e gjimnazit kishte një pasion të madh për sportet, dhe në veçanësi për peshëngritjen. Në vitin 1987, kur ai ishte vetëm 22-vjeç ai u përfshi në grindjen masive që shpërtheu gjatë ndeshjes së hokeit midis Kanadasë dhe Rusisë në turneun botëror për rinj. Medvedev gjithashtu luan shah dhe është një tifoz i madh i ekipit të qytetit të tij, Zenit Saint Petersburg.
VLADIMIR PUTIN
Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin, një ish-shef i KGB-së, është i pasionuar në artet marciale, e sidomos në xhudo. Putini është trajnuar edhe në sambo, qysh në moshën 14 vjeç, përpara se të merrej me xhudo, të cilën vazhdon ta praktikojë çdo ditë. Putini ka fituar disa kampionate për të rinj në qytetin e tij, Saint Petersburg. Putini është gjithashtu bashkautor i një libri për xhudon. Edhe pse ai nuk është lideri i parë që praktikon xhudon, Putin është i pari lider në nivelet të avancuara. Putini është nderuar me medaljen “Mjeshtër i Sporteve”, për xhudon në vitin 1975 dhe sambon në vitin 1973. Gjatë një vite shtetërore në Japoni, Putini i ftuar nga instituti Kodkan, u tregoi studentëve dhe zyrtarëve japonezë teknika të ndryshme të xhudos.
PRINCI ALBERT
Princi Albert i Monakos është një tjetër i pasionuar pas sportit, madje ai është martuar me notaren nga Afrika e Jugut, Çarlen Uitstok. Princi Albert dhe Çarlen kanë qenë së bashku në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore “Torino 2006”, por dhe në ato Verore, “Pekin 2008”. Në Monako zhvillohet Çmimi i Madh i Formula 1 dhe princi Albert e ndjek me pasion garën.
MBRETI HARALD V
Mbreti i Norvegjisë, Haraldi V, në rininë e tij ka qenë një i sportist i garave me varka dhe jahte. Ai ka përfaqësuar Norvegjinë në Lojërat Olimpike të Tokios (1964), Meksikës (1968) dhe Munihut (1972), ku ka fituar edhe medalje të arta, argjendi dhe bronzi. Në Tokio ai ka qenë madje flamurmbajtësi i Norvegjisë.
SILVIO BERLUSKONI
Është politikani më i famshëm dhe kontrovers në Itali. Ish-kryeministrit italian, njëkohësisht presidenti i Milanit, klubit me më shumë trofe ndërkombëtarë në botë, është një fans i thekur i futbollit. Berluskoni deklaroi së fundi se pasioni i tij për futbollin e ka bërë atë dhe familjen e tij të shpenzojë gjatë 25 viteve si president i Milanit, më shumë se 1 miliardë euro. Berluskoni në sport njihet edhe për marrëdhënien e vështirë më trajnerët e tij, pasi kërkon ekipi të luajë sipas skemave të tij.
DAVID KAMERON
Kryeministri i ri britanik, David Kameron, është një i pasionuar pas vrapimeve, madje edhe në minimaratonat promocionale, ku ka ai ka vrapuar përkrah atletëve me emër, përfshirë dhe pjesëmarrës anglezë në Lojëra Olimpike, si Kristin Ohurugou dhe Kolin Xhakson, ish-kampione e botës në vrapimin me pengesa.
ERDOGAN-GYL
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka qenë një futbollist gjysmë-profesionist për një periudhë gati 13-vjeçare (1969-1982). Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl është një tifoz i thekur i Beshiktashit të Stambollit.
TADIÇ-PAPULIAS
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjatë rinisë së tij ka luajtur vaterpol me Partizanin, por u tërhoq për shkak të dëmtimit. Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, ka qenë një volejbollist kampion, madje ka qenë edhe presidenti i Shoqatës së Sporteve të Greqisë.
Kush është tifozi më i madh, sportet me të cilat janë marrë
Ja skuadrat me të cilat janë tifozë politikanët shqiptarë
Tifozi më i madh nga politikanët shqiptarë është ish-presidenti Bamir Topi. Ai është fans i “Tiranës”, klubit rekordmen përsa u përket titujve në vend, dhe ka qenë ish-president i saj, përpara se të jepte dorëheqjen për shkak të detyrës.
Ndërsa kryeministri Berisha nuk është një tifoz i thekur futbolli, por ai i ndjek shpesh evenimentet më rëndësi botërore, si Kampionati Botëror apo ai Europian. Një i apasionuar i madh pas futbollit është Fatos Nano. Ish-kryeministri në Shqipëri bën tifo me “Partizanin”, ndërsa në Itali është besnik deri në vdekje të Interit, edhe pse një nga miqtë e tij më të mëdhenj është ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, presidenti aktual i Milanit.
SALI BERISHA
Kryeministri shqiptar nuk është një tifoz i thekur futbolli, por ai i ndjek shpesh evenimentet më rëndësi botërore, si Kampionati Botëror apo ai Europian. Kryeministri është tifoz i “Besës” së Kavajës duke qenë se aty ka qenë deputet për një kohë të gjatë. Në arenën ndërkombëtare, kryeministri simpatizon Francën.
BAMIR TOPI
Lideri i FRD-së, Bamir Topi, është një tifoz i vjetër i futbollit. Ai është fans i Tiranës, klubit rekordmen përsa u përket titujve në vend, dhe ka qenë ish-president i saj, përpara se të jepte dorëheqjen për shkak të detyrës. Në arenën ndërkombëtare, Topi është tifoz i Italisë.
Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, veç tifoz, ka qenë edhe vetë sportist. Ai ka luajtur basketboll kur ishte i ri. Por basketbolli nuk kanë qenë pjesa më e rëndësishme e jetës së tij. Kur mendonte se mund të shkëlqente në fushë, braktisi sportin dhe nisi të merrej vetëm me punën akademike në shkollë. Lideri i PS-së, është tifoz i “Partizanit”, ndërsa në arenën ndërkombëtare është tifoz me Italinë.
FATOS NANO
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është një pasionuar i madh i futbollit. Në Shqipëri bën tifo me “Partizanin”, ndërsa në Itali është besnik deri në vdekje të Interit, edhe pse një nga miqtë e tij më të mëdhenj është ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, presidenti aktual i Milanit.
ILIR META
Kreu i LSI-së Ilir Meta, veç tifoz, ka qenë edhe sportist. Ai ka ushtruar sportin e peshëngritjes në rininë e tij. Ish-kryeministri ka qenë peshëngritës, fillimisht me “Tiranën”, e më pas me te “Dinamo” e “Partizani”, për një periudhë të shkurtër. Pavarësisht se nuk ka pasur ndonjë rezultat, ka qenë një sportist i pasionuar. Në arenën ndërkombëtare ai është tifoz me Hollandën.
ALEKSANDËR MEKSI
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi është një tifoz i vjetër i “Partizanit”. Por veç ekipit kryeqytetas, Meksi është edhe tifoz i Mançester Junaitid në Angli.
BASHKIM FINO
Ish-kryeministri Bashkim Fino është një tifoz i thekur i futbollit. Ai është tifoz me “Partizanin”. Por deputeti socialist në arenën ndërkombëtare është edhe një tifoz i madh i Italisë.
RIDVAN BODE
Ministri i Financave, Ridvan Bode, është arkitekt i ngritjes në elitë të ekipit të Korçës, “Skënderbeu”. Por Bode, veç tifoz i ekipit të qytetit të tij është edhe tifoz i Gjermanisë në arenën ndërkombëtare.
Dash Sula, deputeti “ultras”
Deputeti demokrat Dashnor Sula është një tifoz i thekur i futbollit. Ai është mjaft i njohur për ngjarjet që ndodhen në Peqin kur luan ekipi i tij, “Shkumbini”. Shpesh herë Sula ka qenë protagonist në faqet e shtypit sportiv. Sula e meriton edhe termin si një politikan “ultras”.
AHMET ZOGU
Mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu ka qenë i pasionuar pas peshëngritjes. Një foto e madhe e Zogut është publikuar madje edhe në revistën e Federatës Europiane të Peshëngritjes. Në fakt, Ahmet Zogu e ka ushtruar sportin e peshëngritjes, por këtë më tepër e ka bërë më tepër si një ushtrim gjimnastikor, për të mbajtur trupin në formë.