Nga Zhan D’Ark te Mata Hari femrat qe vdekja i beri te famshme

Nga Zhan D’Ark te Mata Hari, femrat që vdekja i bëri të famshme
Bashkëshortja e dytë e Henrit, edhe pse mendohet se ka qenë e pafajshme është dënuar me prerje koke për tradhti. Historia e saj është pasqyruar në shumë libra, filma e pjesë teatrale. Edhe bashkëshortja e pestë e Henrit VIII ka pasur të njëjtin fat. Femrat e familjeve mbretërore angleze, në përgjithësi nuk kanë pasur fat të mbarë. Të paktën ato të pasqyruara këtu. Ledi Xhejn Grei, stërmbesa e Henrit VIII do të kishte të njëjtin fat si dy gratë e tij edhe pse ajo njihet si një prej femrave më të edukuara dhe të mësuara të kohës së saj. Edhe mbretëresha më e famshme franceze, Mari Antoneta nuk i ka shpëtuar fatit të zi të dënimit me vdekje. Për dy gjëra është e njohur ajo, për shpenzimet e saj ekstreme dhe ekzekutimin e saj. Figura e saj është portretizuar në filma dhe libra të ndryshëm dhe një prej fjalive të saj më të njohura kur i thanë që ajo nuk duhej të shpenzonte aq shumë se populli nuk ka bukë të hajë, është, “Po le të hanë kek”. Ajo u ekzekutua në gijotinë në kulmin e Revolucionit Francez për krimin e tradhtisë. Meri, mbretëresha e Skocisë është një tjetër figurë mjaft e njohur dhe që ka pasur një fund tragjik. Ajo u dënua me prerje koke me sëpatë dhe vuajti shumë gjatë ekzekutimit pasi u godit shumë herë nga sëpata. Lista e femrave të ekzekutuara në shekuj përmban dhe heroinën kombëtare franceze, e cila u dënua për herezi për t’u kthyer në një martire e shenjtore më vonë. Kësaj liste i përkasin dhe femrat spiune si Mata Hari, e cila konsiderohet më së shumti si “spiune rastësisht” dhe jo e qëllimshme, Lilian Vera Rolfe e Violete Reine Elizabet, të dyja këto të cilësuara si heroina të Luftës së Dytë Botërore.


Ane Bolin
1507-1536
Bashkëshortja e dytë e mbretit Henri VIII dhe nëna e mbretëreshës Elizabeta I. Ane Bolin është e njohur për ekzekutimin e saj me prerje koke me akuzë për tradhti ndaj bashkëshortit dhe ndaj vendit. Ajo konsiderohet të ketë qenë e pafajshme dhe më vonë është përshëndetur si martire në kulturën protestante angleze. Jeta e saj është pasqyruar në shumë filma, pjesë teatrale, romane, opera etj, duke përfshirë “Ana e një mijë ditëve”, “Tudorët”, “Gjashtë  gratë e Henrit VIII”.


Elizabeta Filipine Marie Helene e Francës
1764-1794
Elizabeta e Francës ose siç quhej zakonisht Madamë Elizabata, ishte motra më e vogël e Mbretit Luiz XVI i Francës. Ndërkohë që jetoi Revolucionin Francez pranë mbretit dhe familjes së tij ajo u ekzekutua gjatë trazirave. Elizabeta, e cila sapo kishte mbushur 30 vjeç në kohën e vdekjes së saj, u ekzekutua thjesht sepse ishte motra e mbretit.


Leidi Xhejn Grei
1537-1554
Stërmbesa e Henrit VIII të Anglisë mbretëroi si mbretëreshë pa kurorë e Anglisë për nëntë ditë në korrik të vitit 1553. Mbretërimi i shkurtër i Xhein përfundoi dhe kur autoritetet e anuluan kërkesën e saj për të qenë mbretëreshë. Regjimi pasues e dënoi me vdekje për tradhti. Leidi Xhein njihet si një prej grave më të edukuara e të formuara të kohës së saj dhe shkrimtarja historike Alison Ueir e përshkruan atë si një “prej mendjeve më të mëdha femërore të shekullit”.
 

Katerine Hauard
1540-1542
Katerine Hauard ishte bashkëshortja e pestë e Henrit VIII të Anglisë. Ajo shpesh herë përmendet me emërtimin “trëndafili pa gjemba”. Katerina u martua me Henrin VII në vitin 154 sapo u anulua martesa e tij me Anën. Sidoqoftë, sjellja e Katerinës dhe historitë e saj sentimentale të së kaluarës u konsideruan të pahijshme. Ajo u dënua me prerje kokë për tradhti në më pak se dy vite pas martesës së saj.

Mari Antoneta
1755-1793
Mari Antoneta ishte mbretëresha e Francës si bashkëshortja Luisit XVI. Ajo ishte pasardhëse direkte e sërës mbretërore më të fuqishme të Evropës duke përfshirë Ferdinandin e Aragonit dhe Izabelën e Kastijës. Ajo u martua në moshën 14-vjeçare me Luisin XVI. Ajo mbahet mend më së shumti për shpenzimet e saj marramendëse dhe vdekjen e saj. Ajo u ekzekutua në gijotinë në kulmin e Revolucionit Francez për krimin e tradhtisë.

Meri, Mbretëresha e Skocisë
1542-1587
Ajo është një prej monarkëve më të njohur skocezë për shkak të jetës së saj tragjike. Ajo u vu para gjyqit për tradhti nga rreth 40 fisnikë, pasi supozohej se kishte sanksionuar përpjekjen për vrasjen e Elizabetës. Meri i mohoi akuzat dhe u përpoq të mbronte veten e saj. Një prej vargjeve të saj më të famshme prej gjyqit është “Mbani mend zotërinj, teatri i historisë është më i gjerë se mbretëria e Anglisë”. Ajo u dënua me prerje koke me sëpatë dhe pati një vdekje të dhimbshme.

Zhan D’Ark
1412-1431
Zhan D’Ark është heroina kombëtare e Francës. Ajo u gjykua dhe u ekzekutua për herezi kur ishte vetëm 19 vjeçe. Pas 24 vitesh nga vdekja e saj ajo u cilësua martire. Në vitin 1909 ajo u lumturua dhe u pranua si shenjtore në vitin 1920. Zhan D’Ark pohonte se kishte vizione nga Zoti, të cilat i rrëfenin asaj të rimerrte vendin e saj nga dominimi anglez në fund të Luftës Njëqindvjeçare.

Mata Hari
1876-1917
Mata Hari ishte emri skenik i Margaretha Gertruida Zelle, një valltare ekzotike holandeze dhe kurtizane, e cila u ekzekutua nga skuadra e pushkatimit për spiunazh gjatë Luftës së Parë Botërore.
Gjatë Luftës së Parë Botërore duke qenë se Holanda ishte neutrale, Margaretha Zelle mund të kalonte kufijtë lirshëm. Pas vdekjes së saj, shumë autorë kanë shkruar se ajo nuk ishte një spiune e mirëfilltë por thjesht është përdorur nga shërbimet sekrete.

LILIAN VERA ROLFE
1914-1945
Lilian Rolfe konsiderohet si një heroinë e Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse u rrit në Paris, kur ishte e re ajo i vizitonte shpesh gjyshërit e saj që jetonin në Londër. Më pas familja e saj u zhvendos në Brazil dhe Lilian filloi punë në ambasadën britanike në Rio de Zhaneiro. Për shkak të rrjedhshmërisë së saj në frëngjisht ajo u rekrutua nga Operacionet Speciale Ekzekutive (SOE). Ajo u arrestua nga gestapoja në vitin 1944 dhe u torturua për ditë me radhë. U ekzekutua nga një gjermanët në vitin 1945.


Violete Reine Elizabet (Violette Reine Elizabeth Bushell Szabo)
1921-1945

Violete ishte një agjente sekrete e Luftës së Dytë Botërore. Aktivitetet e saj të luftës në Francën e pushtuar janë ekranizuar në filmin “Carve her name with pride”, i bazuar në romanin me të njëjtin titull nga R.J. Minney. Ajo u rekrutua nga SOE dhe mori trajnim intensiv. Ajo u kap nga ushtarët gjermanë në Francë në vitin 1944. U ekzekutua më 5 shkurt 1945 në moshën 23-vjeçare.

Shkruar nga Blendina Cara
Nga : Gazeta TiranaObserver

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama