Nga arkivat ne territor. A do te kete Tirana nje muze te arkitektures?

Nga arkivat në territor. A do të ketë Tirana një muze të arkitekturës?

I themeluar në vitin 1939 ky arkiv përmban me mijëra vizatime, skica, plane rregullues, arkitekture. Një lloj Urban Center që dëshmon identitetin e kulturës së nëntëqindës dhe krijon një marrëdhënie me të sotmen

Në tre katër vitet e fundit është mbajtur gjallë si asnjëherë përpara një debat shkencor mbi arkitekturën e qyteteve në Shqipëri. Zhvillimi i shpejt urban, sidomos i kryeqytetit ka qenë shtysa për t'u krahasur me traditën, me të shkuarën dhe për të bërë njëfarë parashikimi për të ardhmen.

Për paradoks arkitektët dhe arkitektura pro njeriut, arkitektura jotregtare duket sikur është zhvendosur në pjesën ex katedra të refleksioneve, sepse në praktikë rezulton tjetër arkitekturë. Tirana moderne është shembulli i një refleksioni pas dëmit, i diskutimit pas përvojës, i një qyteti pothuajse të lindur në shpërgenj të arkitekturës së shekullit të njëzetë. Por vazhdimi është një histori e gjatë e komplikuar e vragave që lanë pushtetet politike dhe sipërmarrësit, biznesmenët e rinj shqiptarë.

Edhe njëherë dje u rimorën temat për arkitekturën e nëntëqindës në Shqipëri.
Në kuadrin e Javës së Bashkëpunimit Universitar, Shkencor dhe Tenologjik Itali- Shqipëri, u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar konferenca ndërkombëtare "Arkitektura e Nëntëqindtës në Shqipëri: kultura italiane dhe shqiptare në perspektivat e reja të zhvillimit urban dhe territorial".

Arkitektë dhe profesorë nga Universiteti Politektinik i Torinos dhe nga homologu i tij në Tiranë, u takuan siç kanë bërë rregullisht këto tre vitet e fundit në një konferencë që kishte në sfond një ekspozitë të veçantë.

Prof. Maria Adriana Giusti, Universiteti Politeknik i Torinos bëri një prezantim të materialeve për vlerësimin e modernes në Shqipër; prof. dr. Sermet Bega, nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit në Tiranë trajtoi angazhimin e AQTN në ruajtjen dixhitalizimin, restaurimin e vizatimeve të arkitektëve italianë në Shqipëri; për projektin e restaurimit dhe përmirësimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë foli prof. Marco Petreschi nga Fakulteti i Arkitekturës, Universiteti "La Sapienza", i Romës, etj..

Ishin disa nga temat që në fokus kishin objekte dhe vepra monumentale me autorë arkitektë dhe inxhinierë italianë të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.

Kur flitet për traditën monumentale të Tiranës po edhe për modernitetin e saj, objekt diskutimi janë aksi qendror, kompleksi i ministrive në Sheshin Skënderbe, Hotel Dajti, Pallati i Luogotenencës dhe kompleksi në sheshin e Liktorit, stadiumi kombëtar, apo objekte të veçanta brenda dhe jashtë rrezes së aksit si Banka e Tiranës apo Pallati i Brigadave, e gjitha shprehje e një arkitekture të maturuar ndërmjet viteve njëzetë dhe dyzetë nga arkitektë dhe urbanistë si romani Armando Brasini, Florestano Di Fausto, fiorentini Gherardo Bosio apo Giulio Bertè e Ferdinando Poggi. Disa prej tyre përpunuan edhe plane moderne rregullues.

E veçanta kësaj here ishte paraqitja e arkitekturës së nëntëqindës në Shqipëri në një ekspozitë e cila u hap dje në mbrëmje po në Muzeun Historik Kombëtar. Është një prezantim me skica e vizatime nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit në Tiranë. Pasuria e këtij arkivi është e jashtëzakonshme, kurse ajo që mund të bëhet në të ardhmen me këtë arkiv do t'i shërbente drejtpërdrejt arkitektekturës po dhe qytetarëve, një dialogu për arkitekturën.

Kjo ekspozitë është rezultat i një itinerari nga arkivat në territor një "proces kërkimor të kryer nga Universiteti Politeknik i Torinos më 2005-2009 në partneritet me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit në Tiranë, në bashkëpunim me disa institucione kulturore, si Instituti i Monumenteve të Kulturës, Arkivi i Shtetit."

Projektet e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit burojnë nga Zyra Qendore e Urbanistikës dhe e Arkitekturës e ngritur nga qeveria italiane në vitin 1939. Është pikërisht pasuria dhe trashëgimia e ndërtuar në fillimet e nëntëqindës deri në vitin 1943 që identifikohet me veprimtarinë e arkitektëve italinë në Shqipëri, thelbi nga merr udhë ky kërkim.

Në prezantim e ekspozitës thuhet se rezultati i parë i kërkimit janë baza e projektit të restaurimeve të disa ndërtesave në pronësi të shtetit të cilat ndodhen në kryeqytetin shqiptar: Pallati dhe kopshti i brigadave (ish Vila Mbretërore), Pallati i Kryesisë së Këshillit të Ministrave (Ish pallati i Mëkëmbësit), Hotel Dajti.

Aty sheh skica të sistemimit të llampave elektrike në pjacën e ministrive-1935, vizatim i Sheshit të Likorit Tiranë, nga G. Bosio, 1939, skica të Planit Rregullues të Durrësit të vitit 1942, skica të Vilës së Zogut në Durrës, në vitin 1928, skemë të trafikut të Tiranës, skicë të zonifikimit, skica të planimetrisë së përgjithshme të kryeqytetit etj.

Vend të rëndësishëm në dokumentat arkivore të AQTN-së zënë ato që kanë të bëjnë me veprimtarinë e inxhinierëve dhe arkitektëve italianë të përmendur më lartë të cilët u përfshinë në një program të gjërë ndërtimi dhe projektimi veprash të rëndësishme, në disa qytetee si Tiranë, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani, Korça.

Hartuesit e kësaj ekspozite thonë se këto projekte tregojnë sa e rëndësishme është një proces njohjeje që mund të realizohet nga përgjithësime mbi ngjarjet historike dhe mbi përvojat bashkëkohore të mbrojtjes dhe rikuperimit duke e bërë trashëgiminë e skicave dhe vizatimeve të ruajtura në arkiva pjesë të veprimtarisë së ndërtimit, formimit dhe debatit shqiptar.

Dhe "për t'i nxjerrë më në pah këto materiale propozohet krijimi i një muzeu-laborator i arkitekturës i cili do të vendosej në një ndërtesë monumentale të aksit qendror të Tiranës."

Sipas Prof. Maria Adriana Giusti nga Universiteti Politeknik i Torinos, nga Departamenti Shtëpi-Qytet, ky do të ishte një muze i hapur me arkiva në ekspozim të përhershëm, do të ishte një lloj Urban Center i cili do të ndihmonte për të forcuar identitetin e kulturës së nëntëqindës dhe të krijonte një marrëdhënie me proceset e sotme të zhvillimit.

Një nga promotorët e këtyre takimeve dhe që e mbështet këtë propozim, është edhe Ardiano Ciani, atashe për Bashkëpunim Universitar Shkencor e Teknologjik pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, i ngarkuari me punë për këtë bashkëpunim prej të cilit ka marrë rrugë edhe projekti për rivlerësimin e arkitekurës së nëntëqindës në Shqipëri.

Sipas Cianit ky muze i arkitekturës në Tiranë do të ishte një vend që do të shërbente për ekspozita, debate, informacione për arkitekturën, për qytetin dhe territore, kjo nevojë lind ngaqë Tirana ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshime të mëdha duke tërhequr vëmendjen e sipërmarrësve të një niveli ndërkombëtar.

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama