Shpalosja e identitetit kombëtar të shqiptarëve jepet përmes një analize dhe një përshkrmi historik shumë të kujdesshëm të historianit të njohur...
Emërtimi arnaut po përdoret çdo ditë e më tepër në mediat tona në mënyrë përbuzëse jashtë kuptimit real dhe kontekstit historik për njerëz të pacivilizuar, malokë, kryesisht myslimanë, madje, fanatikë deri në fondamentalizëm. Përpjekja e paradokohshme, në mjediset akademike, për t’ia kundërvënë etnonimin shqiptar atij arbëresh ndikoi në përhapjen e përceptimeve të gabuara lidhur me këtë temë. Pretendohet, me të madhe, se emërtimin etnik arnaut e paskemi “peshqesh” nga turqit. Ata na e veshën këtë për të na detyruar ta harrojmë emërtimin arbën e arbëresh që na lidhte me epokën e Skenderbeut, për të na shkëputur nga Europa katolike (?!)
Paradoksi
Në këtë vazhdë nëpër medjat tona arrihet deri atje sa Shqipërinë, jo rrallë here, ta quajnë “Arnautistan”, siç nuk e ka emërtuar asnjëherë as adminnistrata perandorake osmane. Evropianizimi i saj në formën “Albanistan”, sot kur edhe një vend si Kazakistani po mendon të quhet thjesht “Kazak”, flet qartë për prirjet antishqiptare të tellallëve të këtyre epiteteve ahistorike të emërtimeve etnike e kombëtare të shqiptarëve.
Zotërimet e Kastriotëve, Muzakajve, Jonimëve, Zenebishëve e sa e sa prijsave shqiptarë osmanët fillimisht i përfshinë në një njësi administrative të vetme të quajtur Sanxhaku i Shqipërisë. Pra, shihet qartë, se koncepti neoarbëresh i Skenderbeut epirot i shtrirjes territoriale të shqiptarëve iu imponua dhe sundimtarëvet të rinj. Më vonë për interesa të kuptueshme, ata ndoqën politikën e përçarjes administrative të këtij sanxhaku në vilajete dhe sanxhaqe të shumta me popullsi etnikisht të përzjera.
Ndërkaq, vendet fqinje dhe më tutje zyrtarisht qenë emërtuar Junanistan, Maxharistan (Hungaria), Lehistan (Polonia) e të tjerë. Prapashtesa “stan” nuk ndeshet në turqisht për emërtimin e shteteteve të mëdha si Anglia, Allemania, Fransa, Austria, Italia e vetë Turqia. Turkistan, pa bërë fjalë për Turkmenistanin, emrohet një krahinë në Kazakistan. Shqipëria emrohet me një prapashtesë të veçantë: Arnavutluk. Me të turqit shënojnë mjaft vonë, çka është mjaft me interes, nacionalizmin e tyre, turkizmin (türklük).
Për ata që nuk e dinë ende, emërtimi i turqizuar arnaut bazën e vet e ka te emërtimi etnik i përbashkët i parardhësve tanë që nga mesjeta paraosmane arbën, arban, alban, raban, arvanid, arnaud. Këto ndryshime gjuhëtarët i kanë shpjeguar me ligjet fonetike të gjuhëve të popujve fqinjë që i kanë përcjellë ato trajta në shekuj. Pra, etnonimi arban ka mbijetuar as për meritë e as për faj të turqve osmanë. Është meritë historike e arbërve epirotë, siç i quajti dhe vetë Skenderbeu, qofshin arbëreshë katolikë apo arvanitas ortodoksë, të cilët edhe kur filluan të islamizoheshin u paraqiten para sundimtarëve të rinj të bashkuar me gjuhën, prejardhjen dhe traditat historike. Dhe prandaj, osmanët vijuan t’i quanin nënshtetasit e tyre të ri, në thelb, po arbën (pra, arnaut), pa farë kompleksi për lidhjet e këtij emërtimi me katolicizmin. Osmanët vendin tonë nuk e quajtën Arnautistan. Në internet dhe madje dhe në shtyp, element kinse të europianizuar, që këmbëngulin për aktualizimin dhe deislamizimin e traditës arbërore, e arkaizojnë etnonimin tone historic me një prapashtesë para osmane dhe paraislame. Osmanët e shekullit XV e emërtuan vendin tonë jo vetëm “stani” i arbërve, arnautëve, por Arnavutlluk. Paraardhësit tanë që nga shek. XV i bindën sulltanët më të fuqishëm me vetëdijen e tyre etnike të rrënjosur thellë, se në Ballkanin perëndimor kishin të bënin jo vetëm me trojet e shqiptarësisë, por, për më tepër, dhe me hapësirat e shqiptarisë, shqiptarizmit. Jemi disa shekuj më parë se sa turqizmi (türklük) të lindte dhe të zinte vend në Anadoll nën udhëheqjen e Ataturkut, i diferencuar qartë nga veshjet dinastike dhe fetare.
Vijoi të përdorej
Pavarësisht nga lindja e etnonimit të ri kombëtar pas vetemërtimit të neoarbëreshëve epirotë si shqiptarë etnonimi i mëparshëm paraosman arbër vijoi të përdorej nga të huajt si në Perendim në trajtën alban ashtu dhe në Lindje në trajtën arvanid apo arnaut. Shumë e rëndësishme për temën tonë është marrëveshja historike madhore e paraardhësve tanë, të cilët demonstruan unitetin e tyre etnik e më pas atë kombëtar shqiptar, duke përballuar pasojat fatale të ndarjes së tyre në milete të ndryshme sipas besimeve. Kjo ndarje pengoi ndjeshëm jetesën e tyre të përbashkët si element etnik i njëjtë. Edhe pse flitshin që të gjithë një gjuhë dhe i përkisnin një kombi, shqiptarët myslimanë, ortodoksë dhe katolikë drejtoheshin nga krerë fetarë që u përkisnin tri e, më pas katër apo pesë qendrave fetare të veçanta. Kryetarët e tyre qenë që të gjithë të huaj. Edhe kur rastiste të ishin me prejardhje shqiptare ajo nuk luajti ndonjë rol në qëndrimin e tyre ndaj bashkëkombësve të vet në rrafsh politik nacional.
Shqiptarët të ndarë në tre besime u nënshtroheshin autoriteteve të ndryshme gjyqësore të drejtuar nga krerët fetarë. Ata banonin në lagje të veçuara dhe si rregull nuk martoheshin midis tyre. Ndërsa për të frekuentuar shkollat e njeri tjetrit, deri vonë, as që bëhej fjalë.
Sa u tha më sipër, kjo politikë e Perandorisë e bazuar te sistemi osman i mileteve bëri që pozita e shqiptarëve të ndarë në disa besime, në kuadër të tij të ishte e vështirë deri dhe e rrezikshme në rrafsh etnik. Ajo nuk ka krahasim me pozitën e fqinjëve sllavë, katolikë, ortodoksë e myslimanë, apo me atë të armenëvet të largët, gregorianë, ortodoksë e katolikë, dhe nga shekulli 19, dhe protestanë. Këta, pavarësisht nga besimi që konfesonin, në shkollat e tyre mësonin gjuhën amtare dhe në kisha, pavarësisht nga sekti që praktikonin, në predikime përdornin po gjuhën armene apo sllave.
Ndërsa shqiptarët ishin të detyruar të frekuentonin shkolla të huaja në gjuhë të huaja, turqisht, greqisht, italisht, serbisht, gjermanisht. Mësimi i gjuhës shqipe ndiqej dhe persekutohej jo vetëm nga autoritetet shtetërore dhe fetare osmane por ca më tepër nga Fanari. Vetëm në gjuhën e tyre amtare nuk kishte shkolla dhe as nuk lejohej mësimi në gjuhën shqipe. Kjo filloi të futej në çerekun e fundit të shekullitt XIX vetëm në shkollat austriake dhe më pas dhe ato protestane e italiane.
Prandaj, Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në luftën për shkollën shqipe dhe kishën kombëtare iu desh të përballej, jo vetëm me Portën e Lartë, por dhe, madje më shumë, me Fanarin dhe forca të tjera kundërshtare.
Perandoria Osmane qe bërë shesh lufte midis përfaqësuesve të institiucioneve fetare të ndryshme. Shtetet perëndimore, duke u mbështetur në kapitulasionet që kishin shtënë në dorë, filluan të ngrejnë “sisteme mbrojtjeje” (protektorat të kultit) mbi nënshtetasit osmanë jomyslimanë. As mbrojtja e interesave të bullgarëve, serbëve dhe rumunëve në rrafsh kombëtar nuk sigurohesh dot brenda miletit “rum” për shkak të politikës greke të Fanarit dhe të Athinës.
Duke spekuluar me ndarjet fetare midis shqiptarëve, propaganda kishtare dhe arsimore panhelenike, pansllaviste e të tjera, ndikuan etnikisht jo pak në tkurrjen e elementit shqiptar përmes helenizimit dhe sllavizimit. Qarqet zyrtare dhe klerikale të vendeve fqinje punuan intensivisht për përvetësimin, asimilimin e përthithjen prej tyre të sa më shumë shqiptarëve të krishterë në gjirin e “miletit” të vet. Duke dashur të ruajnë, siç pretendohet me të madhe, fenë e të parëve, ata humbën identitetin e tyre kombëtar. Ndërsa shqiptarët e islamizuar edhe pse “tradhtuan” fenë e të parëve ata mbetën shqiptarë.
Porse, në fund të fundit, politikat antishqiptare nën petkun e fesë tejet agresive nuk patën suksesin e shpresuar. Përndryshe, sot nuk do të kishim shqiptarë, si të tillë, e kemi fjalën në rrafsh kombëtar, por do të kishim grekë, sllavë, lëtinë (latinë) apo edhe turq.
Kur turku pyetej, aso kohe, se çfarë ishte, përgjigjej që ishte mysliman dhe jo turk. Kurse shqiptari pa dallim besimi, në të shumtën e herës, përgjigjej, siç dëshmojnë kronikat e kohës dhe udhëpërshkrimet e shumta, se ishte shqiptar. Kur qëllonte që të binte në kurthin e kësaj politike teokratike, shqiptari edhe mund të gabonte e nuk arrinte të shprehej drejt, ai përgjigjej turk, grek latin në kuptimin thjesht fetar të këtyre emërtimeve aso kohe. Me ngatërrimin e qëllimshëm të fesë me kombësinë në mesin e shqiptarëve është spekuluar shumë atëherë dhe vijohet të manipulohet jo pak dhe sot e kësaj dite.
Në Shqipëri mbi bazën e këtij sistemi lejohej vetëm hapja e shkollave turke, greke, serbe, bullgare, italiane, austriake dhe vetëm shqipe jo. Gjuha shqipe depërtoi në ndonjë shkollë që gëzonte mbrojtjen e mileteve të huaja. Përphapja e protestantizmit u diktua dhe mori atë shtrirje që mori vetëm në saj të interesave të Lëvizjes Kombëtare të shqiptarëve, nga nevoja e qarqeve atdhetare shqiptare për të shfrytëzuar këto institucione për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave në këtë gjuhë për t’iu kundërvënë shkollave dhe kishave në gjuhë të huaja, kryesisht, greke.
Megjithatë, sistemi osman i mileteve nuk ka zënë vend në mendësinë e shqiptarëve, siç pretendohet dhe sot e kësaj dite sa të bëhet fjalë dhe për ekzistencën e një sistemi shqiptar të tillë të veçantë ?! Në Francë është mbrojtur edhe një doktorate e cila mëton të provojë një tezë të tillë.
Në kundërshtim me sa pretendohet, kombi shqiptar mbijetoi dhe Shqipëria e pavarur u bë e mundur vetëm duke iu kundërvënë fuqimisht sistemit të mileteve dhe duke u ngritur mbi ta.
Midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme nuk ka pasur luftra të atilla fetare si ato që kanë bërë kërdinë në Evropë. Ndryshe nga sa ka ndodhur atje në mesjetë, nuk duhet harruar, që shqiptarët, megjithëse të ndodhur në kushte tejet negative, të cilat mund ta shndërronin ndarjen fetare të trashëguar që nga mesjeta paraoasmane në përçarje kombëtare, e ruajtën bashkimin kombëtar. Kjo nuk është një meritë e vogël historike e tyre, sidomos, po të kemi parsysh atë që ndodhi me fqinjët sllavë. Serbomalazezët ortodoksë, kroatët katolikë dhe boshnjakët myslimanë, ndarja fetare, veç të tjerash, i çoi në copëzim kombëtar. Ata edhe në fund të shekullit XX u kacafyten midis tyre në luftra etno-fetare të egra të padenja jo vetëm për fundin e mijëvjeçarit por dhe për dhjetravjeçarë shumë më të hershëm.
Islamizimi i shqiptarëve nuk solli asnjë pasojë në gjendjen e tyre etnike, nuk pati ndikim të ndjeshëm në psikologjinë dhe ndërgjegjen e tyre kombëtare. Për turqizimin e tyre as që bëhet fjalë.
“Ndryshimi” mes myslimanëve dhe të krishterëve
Sado që u ndërlikua përbërja fetare e popullit, ajo nuk solli ndryshim në qëndrimin e myslimanëve ndaj bashkëkombësve të tyre të krishterë. Lidhjet territoriale, të gjuhës, të kulturës së lashtë, të traditave dolën më të forta se sa ndarjet fetare. Gjithë kjo në një kohë kur këto besime të ndryshme mund të bëheshin urë për përthithjen dhe asimilimin e shqiptarëve nga popujt fqinjë, siç kishte ndodhur në të vërtetë në trevat anësore shqiptare. Feja nuk arriti të luante një rol të tillë ndarës dhe përçarës në radhët e shqiptarëve, me gjithë përpjekjet e forcave të interesuara për nxitjen dhe zhvillimin e një procesi të tillë divergjent në gjirin e popullit tonë.
Trajtimi i shqiptarëve si tri “milete”, bashkësi të veçuara fetare, përmbante në vetvete rrezikun e një zhvillimi kulturor dhe shoqëror e, madje, dhe politik të veçuar nga njeri tjetri. Një rrethanë e tillë do të ndikonte patjetër negativisht në procesin e formimit dhe të thellimit të ndërgjegjes së përbashkët kombëtare, duke e ngadalësuar sidoqoftë atë. Veprimi i mileteve do të vështirësonte jo pak veprimin e njësuar të shqiptarëve në kuadër të Lëvizjes Kombëtare, në luftë kundër armiqve të përbashkët. Kjo dëshmohet dukshëm në fushën kulturore edhe nga përhapja e alfabeteve me bazë greke, turkoarabe dhe latine. Në Kongresin e Manastirit, për arsye ngushtësisht sektare, pavarësisht diskutimeve filologjike, rivalizuan dy variante të alfabetit me bazë latine nga Shkodra, alfabeti i Stambollit i plotësuar me shkronja cirilike, pa bërë fjalë për variantin e revistës “Albania” të F. Konicës.
Pavarësisht nga ndikimet e shumta negative që rridhnin nga ekzistenca e besimeve të ndryshme dhe, madje, dhe kundërshtare në vend trashëgimi etno-kulturor i përbashkët, i përforcuar mbi bazën e një zhvillimi historik, ekonomik, shoqëror, territorial, unitar i bëri ballë veprimit divergjent të faktorit fetar. Shqiptarët përballuan me sukses dhe pasojat tejet negative përçarëse dhe asimiluese të sistemit bizantino-osman të mileteve, duke shpalosur identitetin e tyre shqiptar.
Rilindasit tanë punuan pa dallim besimi për zgjimin dhe përforcimin e ndërgjegjes kombëtare, mbi bazën e së cilës do të arrihej bashkimi i të gjithë shqiptarëve rreth idealit kombëtar, pa dallim feje, duke vënë interesat kombëtare mbi ato fetare. Parullës “Për fe e për atdhe”, të huajtur nga mjedise ballkanike, rilindasit tanë iu kundërvunë me moton të shprehur në mënyrë lapidare nga Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, duke vënë çështjen kombëtare mbi gjithshka. Kurrsesi këto vargje nuk kishin përmbajtje antifetare, nuk i kundërviheshin besimeve fetare, nuk mohonin as zotin as doktrinat fetare, as të drejtën e besimit. Kush trembet nga kjo parrullë kërkon të thellojë ndarjen fetare, në mos dhe ta shndërrojë atë në përçarje fetare.
Lëvizjet kombëtare të popujve fqinjë u zhvilluan nën parulla fetare për ringjalljen e të kaluarës së tyre mesjetare, lartësimin e mbretërve dhe perandorëve, të shenjtëruar nga kishat e tyre, për rikrijimin e perandorive mesjetare. Ndryshe nga këto vokacione historike të tejkaluara në kohët e reja, Rilindja jonë Kombëtare, duke iu drejtuar së kaluarës, në radhë të parë epokës së Skenderbeut, frymëzohej nga idealet e qytetërimit modern, të lirisë, të së drejtës, të barazisë, të kulturës dhe të arsimit mbi baza kombëtare dhe laike.
Dhe shqiptari mbeti shqiptar dhe sot e kësaj dite, siç thoshte dhe Samiu, edhe pasi u bë i krishterë dhe mysliman, çka nuk ka qenë diçka e lehtë për të për të mos u ndarë nga njeri tjetri.
Sepse dihet që institucionet fetare dhe personeli i tyre janë përdorur nga armiqtë e kombit shqiptar në shkallë të madhe, për të mos thënë, tërësore, sikurse dhe shkollat e huaja, për asimilimin e shqiptarëve apo të paktën për deshqiptarizimin e tyre. Këto institucione, në përgjithësi, për të mos thënë tërësisht të huaj, janë përdorur si platforma për përçimin e politikave të caktuara antishqiptare, të cilat synonin përjetësimin e zgjedhës së huaj apo për kalimin e tyre nën një apo disa zgjedha të reja.
Kombi shqiptar është një komb i ngritur mbi dallimet fetare, mbi një pluralizëm fetar që karakterizon dhe mjaft qeliza bazë të shoqërisë shqiptare, edhe familjet e tyre. Ky përbën një tipar dallues të tij, që flet për një shkallë të lartë emancipimi, shembull edhe për të tjerët. Ai përfaqëson një vlerë, e cila pasuron qytetërimin botëror. Dihet që kombet moderne, zakonisht, janë ngritur mbi ndarjet krahinore, mbi copëzimin feudal. Porse, nuk njohim komb të ngritur, ashtu sikurse kombi shqiptar, jo vetëm mbi ndarjet krahinore e partikularitetet feudale por edhe mbi ndarjet fetare.
Kombi plurifetar shqiptar përfaqëson marrëveshjen historike madhore ndërmjet pjesëtarëve të tij, të ngritur mbi shumë mosmarrëveshje të nxitura nga politikat antishqiptare. Filozofinë e kësaj marrëveshjeje me gjithë karakterisitkat dhe veçoritë e saj e kristalizuan dhe e formuluan në mënyrë të plotë dhe e shprehën qartë ideologët e mëdhenj të Rilindjes sonë duke filluar me Pashko Vasën, Sami Frashërin e të tjerë. Pikëpamjet e tyre ata i shpalosën te Traktati “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” të P. Vasës për botën e jashtme dhe me “Alfabetaren” e Shoqërisë së Shkronjave të Stambollit për bashkatdhetarët. Programin politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ata dhe aktivistët më largpamës ia bënë të qartë fuqive të mëdha në memorandumin dërguar lordit Bikonsfild më 13 qershor 1878 nga Shkodra me kërkesën për pavarësi dhe në programin autonomist të Lidhjes së Prizrenit të 15 qershorit të po atij viti. Në këto dokumente rilindasit revolucionarë shpalosën qartë identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe aspiratat strategjike dhe të momentit të kombit mbifetar shqiptar, të cilat delnin jashtë kriterit mesjetar të identifikimit të kombit me fenë, kornizave bizantino-osmane të sistemit të mileteve. Koncepti i rilindasve tanë për kombin u binte ndesh koniunkturave diplomatike të Europës, interesave politike të monarkive të Ballkanit e më gjerë dhe, për më tepër synimeve të tyre ekspansioniste mbi trojet shqiptare. Përpjekjet për ta mohuar këtë identitet në ditët tona i shërben politikave të huaja jo vetëm me ineteresat e shqiptarëve por dhe me prirjet e zhvillimeve të sotshme politike europiane dhe më gjerë
Kjo ndërgjegje kombëtare në vitet 1878-1881 u perhap dhe në masat e gjera të luftëtarëve për mbrojtjen e trojeve amtare nga copëtimi dhe zbatimin e programit autonomist të Lidhjes sidomos në luftimet për mbrojtjen e qeverisë së Prizrenit. Këngët popullore kushtuar atyre viteve janë dëshmi bindëse të shpalosjes së identitetit kombëtar shqiptar për çka ai u vetëdijesua në shkallë të lartë. Në këngët e tij ai i dha termit “milet” kuptimin modern komb e popull, koncept i panjohur, përgjithësisht, deri vonë në mendimin politik në Perandorinë Osmane. Si koncept dhe si praktikë ai u bë i njohur dhe u zyrtarizua në Turqinë qemaliste.
Ideja e Miletit shqiptar
Tek vëllimi folklorik “Zana popullore” të Kasem Taipit ndeshim vargje kuptimplotë që dëshmojnë katërcipërisht vetëdijen e lartë etnike e mund të thuhet dhe kombëtare të këngëtarëve:
“Pa gjak malet mos me i lshue/jena nis’ me u ba milet”. Më pas poeti popullor konfirmon me plot gojën: “Sot Shqypnija asht ba Milet”. Që fjala është për kombin, miletin, plurifetar e mbifetar, shqiptar shpjegohet qartë në vargje të tjera: “Ju devleti ju ka lshue/Bini mrapa me milet”. Përderisa shteti i sulltanit kalif, i organizuar mbi ndarjen fetare në milete, i kishte lëshuar tokat e shqiptarëve myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, në duart e armiqve të tyre të krishterë, këta shpëtimin nuk mund ta prisnin te mileti islam as te ndonjë milet tjetër, por do ta gjenin te kombi, “mileti” i vet.
Këtë ide të miletit modern shqiptar më të plotë e zhvillon këngëtari mirditor: “Mbanie besën ndërshej veti./S’ka ç’u ban kurrfarë mileti”. Këtë vetëdije shpreh malsori i Mirditës, pas përvojave që kishte fituar gjatë luftimeve për padishahun nën flamujt e bajraqeve të krahinës së vet përkrah ushtrive të tjera osmane në brigjet e Danubit e të Detit të Zi dhe vise të tjera të perandorisë. Atje ata kishin vajtur nën komandën e bajraktarëve të vet e deri dhe të pashallarëve Bib Doda e Preng Biba. Për këtë shërbim që i bënin Perandorisë ata, babe dhe bir, nuk qenë të detyruar, siç pretendohet jo rrallë në ditët tona, sikurse masa e bejlerëve dhe e pashallarëve, të ndërronin fenë për të siguruar, trashëguar dhe ruajtur postet. Me sa duket, duke i qëndruar besnikë fesë të të parëve ata i shërbenin dhe më mirë, në kohët e reja, khalifit të 250 milion myslimanëve të botës së atëhershme. Prandaj këngëtari mirditor i viteve të Lidhjes arrinte në përfundimin realist: “Po s’e mbajtët besën bashkë, /Do tu dalin b….a jashtë”. Prandaj, në vitet e para të shekullit XX, Filip Shiroka ngulte këmbë në vijim të thirrjes së Pashko Vasës së viteve të Lidhjes: “Besa e shqiptarit asht shqiptaria.”
Vetëdija etnike e masës së mirditorëve qysh në vitet e Lidhjes, qëndronte më lart se sa ndërgjegjja krahinariste, kantoniste e Preng Bib Dodës. Pashaj osman i Mirditës, edhe pas 28 nëntorit 1912, sipas Syrja bej Vlorës, krenohej me gradat e medaljet me të cilat e kishte nderuar Abdyl Hamidi. Uniformën e pashajt e mbajti deri në fund të jetës së bashku me fesin karakteristik me xhufkë. Mbi bazën e këtij koncepti modern të miletit-komb populli shqiptar luftrat e tij nën udhëheqjen e Lidhjes i emërtoi “Lufta e Miletit” (Lufta kombëtare), çka do të thoshte luftë kombëtare, nacionale. Edhe marshin e Lidhjes “Bashkimi i Shqipnisë” me tekst të Pashko Vasës dhe muzikë të mjeshtrit napolitan Xhovani Kanale e quajti “Kanga e Miletit”, dmth. Hymni Kombëtar. Ky është himni i parë kombëtar i shqiptarëve. Ai qëndron, për mendimin tim, mbi çdo hymn shtetëror koniunkturor apo edhe historik qoftë. Njohja jonë jo e saktë e madje dhe e sakatuar nga paragjykime fetare për arnautët e miletet nuk pasqyron drejt realitetin shqiptar në periudhën osmane. Gjithë kjo flet në raste të tilla për një vetëdije historike mjaft më të ulët se sa vetëdija kombëtare e madje dhe ajo etnike e të parëve tanë. Përpjekjet e atyre që rreken të provojnë krizën e identitetit kombëtar të shqiptarëve dëshmojnë veçse krizën e thellë identitare tyre në disa rrafshe.