Nga gabimi meson!

Nga gabimi, meson!
Kjo është pedagogjia e re e Festivalit të Gabimit në Paris

Nga 180 artikujt shkencorë, të publikuar nga Ajnshtajni, 40 kanë gabime domethënëse. Nëse sot kemi në dispozicion penicilinën dhe vaksinat e ndryshme, për këtë i detyrohemi gabimeve të bëra nga zbuluesit e tyre, të cilët kërkonin diçka tjetër. Edhe zhvillimi i qenieve të gjalla bëhet i mundur falë këtyre gabimeve të vogla. “E kur bënte gabime shkencëtari më i madh i historisë, pse sot një nxënës duhet të përmbahet, që të mos ngrejë dorën dhe të thotë përgjigjen të cilën ka në kokë në atë moment”, pyesin organizatorët e “Détrompez-vous”, Festivali i Gabimeve që zhvillohet në Paris. Shfaqja filloi para dy ditësh në selinë e “École normale supérieure”. Qëllimi i evenimentit është afrimi i të rinjve me shkencën, nxitja e tyre për të guxuar, për të dalë nga ajo guaskë ku mbyllen shpeshherë, për të shprehur mendimet dhe për të propozuar ide të reja, sepse të gabosh do të thotë të devijosh nga rruga e zakonshme. Nuk ekziston asnjë shkencëtar që ka arritur suksesin pa dalë fillimisht në përfundime të gabuara.

Tematika e festivalit parisien janë hapat fals të historisë së shkencës, së bashku me perceptimet e gabuara që na sugjeron truri, duke na mësuar të shohim me skepticizëm edhe faktet evidente. Në përfundimin e duhur mund të arrihet duke ndjekur shumë rrugë. Vizitorët e festivalit e mësuan këtë gjë ndërsa përpiqeshin të kombinonin përbërësit e ndryshëm të një recete kuzhine. “Për pjesën më të madhe të objekteve që na rrethojnë nuk ekziston një përdorim i vetëm korrekt. Fantazia dhe kapaciteti për të krijuar gjëra të reja janë cilësi shumë të rëndësishme që duhen kultivuar”, shpjegon një nga ideatorët e festivalit dhe profesor i “Conservatoire national des arts et métiers”.

Shfaqja franceze, e gjitha falas, ka si qëllim afrimin e të rinjve me shkencën dhe “frenimin e hemorragjisë” së studentëve universitarë, prej të cilëve vuajnë këto disiplina. Për këtë arsye në edicionin e këtij viti, qëllimi i festivalit është të thyejë lidhjen logjike mes gabimeve dhe notave të këqija, si dhe të tregojë anën tjetër të medaljes së një përgjigjeje të gabuar: “Çdo gjë që bëjmë, e kemi për të mirën e shkencës”, thotë ideatori i festivalit. Shfaqja u ideua pas një raporti të OSBE-së, i cili e vinte theksin te frika e nxënësve francezë që kishin për të ngritur dorën dhe se kur jepnin përgjigje të gabuar rrezikonin të viheshin në lojë nga shokët dhe shoqet.

“Te lëndët shkencore nuk futen vetëm matematika e fizika, por edhe disiplinat humanitare. Zakonisht jemi të prirur të mendojmë se sa e rëndësishme është të njohësh gabimet e tua, t’i pranosh ato dhe pasi ta kesh kuptuar këtë gjë të thuash: ‘Gabova, duhet të ndryshoj rrugë’. Dialogu, diskutimet dhe përballja janë bazat themelore të shkencës, por edhe një nga përbërësit thelbësorë të të jetuarit në komunitet”, thekson ideatori i festivalit.

Të korrigjosh një fëmijë që përmbys koshin e plehrave për ta përdorur si karrige, do të thotë “të sterilizosh fantazinë e tij”, ta detyrosh të sillet brenda rregullave, edhe kur në fund të fundit nuk po bën ndonjë gjë të madhe. Shpeshherë nëpër shkolla bëhen provime me alternativa, gjë që e pengon krijimtarinë e fëmijëve. Për këtë arsye, në Festivalin e Gabimeve dhe Paradokseve që po zhvillohet në Francë, organizatorët po përpiqen të ndihmojnë më shumë fëmijët e turpshëm, të cilët frikësohen dhe e kushtëzojnë veten nga përgjigjja që duhet të japin. Me këtë ata duan t’u tregojnë atyre se mendimi duhet shprehur, qoftë edhe gabim, sepse në shkollë shkohet për të mësuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama