Nga lindja deri ne vdekje

Nga lindja deri në vdekje
Ky projekt i cili çelet zyrtarisht me promovimin e Odave të iso-polifonisë, në qytetin e Përmetit më 31 mars 2008, synon të garantojë këtë traditë të jashtëzakonshme të ekzistencës së shumëzërëshit muzikor popullor, duke u përqëndruar veçanërisht në transmetimin e saj tek brezi më i ri. Aktivitetet e planifikuara me këtë rast përfshijnë ngritjen e Odave tradicionale të iso-polifonisë (në Përmet, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër); duke krijuar një Regjistër të debutuesve, duke dhënë trajnim për dixhitalizimin e trashëgimisë shpirtërore si dhe duke promovuar publikime të shkruara dhe elektronike, siç është rasti i gazetës "Iso-polifonia".

Siç dihet, nga pikëpamja etno-kulturore, iso-polifonia është tipike për dy zona të mëdha, Toskëria dhe Labëria. Si polifonia labe edhe ajo toske janë të pasura në formë dhe përmbajtje, duke përfshirë krijime muzikore nga lindja deri në vdekje si: ninulla, vajtimet, baladat, këngët historike, këngët lirike, këngët humoristike, këngët e kurbetit, një shumicë gjinish të muzikës me vegla si Kabaja, valet etj.

Deri në fund të viteve 1990 të shek. XX-të, iso-polifonia në Shqipërinë Jugore është transmetuar në rrugë tradicionale nga prindërit tek fëmijët, por duket se këto 20 vitet e fundit, kjo mënyrë transmetimi u prish kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike dhe emigrimeve dhe migrimeve në shkallë të gjerë. Pjesa më e madhe e fshatrave dhe qyteteve në Shqipërinë Jugore kanë sot grupe iso-polifonike vokale dhe ato me vegla. Këto grupe folklorike ftohen në festa familjare dhe shoqërore si dhe marrin pjesë rregullisht në ngjarje dhe festivale vendore e kombëtare si Festivali Kombëtar Folklorik Tipologjik i Sazeve të Shqipërisë së Jugut në Korçë; Festivali Kombëtar Folklorik i Iso-polifonisë në Vlorë; Festivali i Fyellit Magjik në Butrint, Sarandë; Festivali Kombëtar Folklorik i Instrumenteve në Gjirokastër; si dhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, që zhvillohet çdo katër vjet në këtë qytet-muze të shpallur nga Unesco si "Pasuri kulturore e njerëzimit".


Gjatë dekadave të fundit, rritja modeste e turizmit kulturor dhe interesi në rritje i studiuesve në këtë traditë folklorike unike kanë kontribuar deri në një farë mase për një rizgjim të iso-polifonisë. Megjithatë, tradita ndikohet negativisht nga varfëria në zonat rurale dhe mungesa e mbështetjes financiare për bartësit dhe debutuesit e saj, duke kërcënuar transmetimin e repertorit të pasur të këngëve dhe teknikave muzikore të kësaj dukurie të jashtëzakonshme. Eksodi i të rinjve drejt qyteteve dhe jashtë shtetit në kërkim të punës, e përforcon këtë rrezik. Në këto rrethana, vazhdimësia e iso-polifonisë shqiptare ruhet kryesisht nga këto grupe folklorike, dhe jo më nga strukturat familjare tradicionale, të cilat ende e kryejnë këtë funksion por nuk mund që ta garantojnë më atë. Duke marrë parasysh sa më sipër, ky projekt synon nxitjen dhe përtëritjen e iso-polifonisë duke përshtatur mënyrat tradicionale të transmetimit me realitetet e reja shoqërore dhe mënyrat e jetesës. Për këte arsye, përbërësit kryesorë të projektit janë: trajnimi dhe transmetimi i aftësive dhe ekspertizës; dokumentimi dhe inventarizimi; rritja e ndërgjegjësimit publik ndaj kësaj vlere.


Në tërësi, përfituesit kryesore të projektit janë bartësit dhe debutuesit e iso-polifonisë shqiptare dhe, veçanërisht, rinia e cila do të mësojë këngët tradicionale, teknikat dhe stilet e debutimit. Gjithashtu përfitimet priten të shtrihen edhe tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, me ndihmën e një fushate ndërgjegjësimi në media. Përfitues të projektit janë edhe studiuesit e iso-polifonisë shqiptare, specialistët e trashëgimisë kulturore jomateriale si dhe publiku i gjerë.

Besojmë që ky projekt do të shërbejë si model për projekte ose aktivitete që duhet të organizohen dhe nxiten nga specialistë të trashëgimisë kulturore shpirtërore në nivele lokal dhe qendror. Në këtë pikë, besojmë se do të ndikohet sadopak në riformatimin e politikave kulturore të shtetit shqiptar ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore. Projekti do të ndikojë gjithashtu në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe kombëtare për garantimin e transmetimit të iso-polifonisë dhe trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare në përgjithësi, nëpërmjet mbështetjes dhe zhvillimit të rrjeteve të debutuesve dhe kujdestarëve dhe hartimit të Inventarit të Debutuesve të isopolifonisë; si dhe në rizgjimin e interesit tek të rinjtë për të. Projekti do të zbatohet nga Këshilli i Muzikës Shqiptare, anëtar i IMC/UNESKO-s. Për të mundësuar projektin u aprovua VKM Nr. 82, datë 19.01.2007 "Për miratimin në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe UNESCO-s, për mbështetjene projektit "Mbrojtja e iso-polifonisë shqiptare, Kryevepër e Unesco-s dhe trashëgimi gojore e shpirtërore e njerëzimit"; si dhe u nënëshkrua "Marrëveshja mes UNESCO-sdhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve datë 25. 07. 2007".

Pritet që si rezultat i këtij projekti, të arrihet të konstatohet një interes më i madhkundrejt muzikës iso-polifonike nga të rinjtë shqiptarë. Kjo do të shkaktojë ripërtëritjen e formave të përcjelljes së iso-polifonisë, duke mundësuar edhe vazhdimësinë e traditës ekzistuese.

Prof. Dr. Vasil S. TOLE Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama