Kur duhen edhe pesë ditë nga grumbullimi i ekipit, te durrsakët nuk ka asnjë lëvizje. Edhe pse nuk bëhen të ditur emra lojtarësh, drejtuesit nuk po qëndrojnë të qetë. Ata po vëzhgojnë elementë cilësorë, të cilët do t'i shërbejnë ekipit. Te durrsakët janë afruar vetëm Raboshta dhe Ismaili, por që pritet të ketë prurje të tjera.
Të paktën katër afrime mendohet të bëhen te Teuta gjatë merkatos. Nuk dihet ende fati i portierit Shpëtim Moçka, i cili, pas përfundimit të Ligës së Europës, duhet të bisedojë për të qëndruar në Durrës ose jo. Huazimi që kishte nga ekipi i Laçit i ka përfunduar dhe tashmë është përsëri pjesë e kurbinasve. Ndërkaq, ndërhyrje pritet të ketë edhe në repartin e mbrojtjes ku Shkalla, R.Hoxha, Shehi, Kotobelli dhe E.Hoxha janë pak për të plotësuar nevojat e trajnerit dhe për të filluar sezonin e ardhshëm.
Mesfusha ndoshta është reparti më i kompletuar, por që mund të ketë afrime edhe në këtë repart duke pasur më shumë mundësi zgjedhjeje. Sa i përket sulmit, durrsakët sezonin e shkuar kanë shënuar lojtarë nga të gjitha repartet, edhe pse Magani dhe Lamçja kanë treguar nivel të mirë loje. Megjithatë, ardhja e Raboshtës e forcon akoma më shumë këtë repart. Klubi vështron alternativa, të cilat do të ishin më efektive për fazën ofensive.
Jeton Rexhmati