Nga raketat iraniane te spiunimi i OKB-se

Nga raketat iraniane te spiunimi i OKB-se
Është Irani ankthi i vërtetë i monarkive arabe të Gjirit dhe programi bërthamor i Teheranit është arma finale që Arabia Saudite, Emiratet dhe Bahrejni e cilësojnë si vdekje politike për regjimet e tyre. Sipas “Wikileaks”, mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah, në një takim me gjeneralin James Jones, i ka kërkuar Amerikës “t’i shtypë kokën gjarprit para se të jetë shumë vonë”. “Mbreti i ka shpjeguar gjeneralit Jones (këshilltar për sigurinë kombëtare)se nëse Irani do të arrijë të prodhojë bombën atomike, të gjitha vendet e rajonit, madje edhe vetë Arabia Saudite, do të kërkojnë të kenë të njëjtat mjete”, shkruan në një mesazh ambasadori në Riad, James Smith.

I njëjti paralajmërim (ndaleni Iranin para se të jetë vonë) vjen edhe nga princi trashëgimtar i Abu Dhabit, sheiku Muhamed, dhënë sekretarit të thesarit, Tim Gethner, gjatë një darke në korrikun e vitit 2009. Rreziku qëndron në faktin se programi bërthamor shoqërohet me kërkimin për raketat shumë të sofistikuara që mund të veprojnë në çdo rreze veprimi. Në një dokument të nëntorit të vitit 2009, Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se “Irani ka programin raketor më aktiv në gjithë Lindjen e Mesme”, dhe se Koreja e Veriut u i ka dhënë Teheranit 19 raketa në gjendje të godasin kryeqytetet e Europës Perëndimore, apo edhe Moskën.

 Aleat i monarkive arabe të Gjirit Persik është shteti i Izraelit. Një telegram i vitit 2007 saktëson në katër pika propozimin politik të kreut të “Mossad”-it, Meir Dagan: në një takim me zëvendëssekretarin e shtetit, Nick Burns, Dagan paraqiti katër pikat e vizionit izraelit: 1) Masa sekrete, mbi të cilat dokumenti nuk jep të tjera detaje. 2) Përpjekja për të penguar transferimin në Iran të përdorimit të teknologjive bërthamore. 3) Vendosja e sanksioneve ekonomike (“Tri banka janë afër falimentimit”, bënte me dije Dagan). 4)Të inkurajojmë në Iran ndryshimin e regjimit duke mbështetur lëvizjet demokratike dhe studentore apo grupet etnike.

Arabia Saudite

Rrjetet bamirëse islamike të Arabisë Saudite dhe Katarit janë mbështetëset më të mëdha ekonomike të grupeve militante të sunitëve islamikë

Sipas një kabllogrami të Departamentit të Shtetit të dhjetorit të kaluar, të publikuar në sajtet e pesë gazetave që morën përsipër nxjerrjen e materialeve të “Wikileaks”, rrjetet e financuesve të Arabisë Saudite, janë mes mbështetësve më të mëdhenj ekonomikë të grupeve militante sunite si “Al Kaeda”. Në kabllogram flitet edhe për shtetin e Katarit. Ky shtet i vogël i Gjirit Persik, që për vite me radhë ka “pritur” bujarisht forcat e armatosura amerikane, është më i keqi në rajon për sa i përket efikasitetit në luftën kundër terrorizmit. Në fakt, shërbimet e sigurisë së Katarit, “hezitonin të vepronin kundër terroristëve”, lexohet në kabllogramin e dhjetorit.

Guantanamo

Premtimi i bërë drejtuesve të Sllovenisë për të pranuar të burgosurit: “Nëse do të prisni ndonjë të burgosur, do t’ju garantojmë një takim me Presidentin Obama”

Mënyra dhe mjete nga më të ndryshmet janë përdorur nga funksionarët e diplomacisë amerikane për të bindur disa vende që të mirëpresin të burgosurit e Guantanamos, në përpjekjen për të mbyllur burgun e sigurisë së lartë në qendër të polemikave për të drejtat njerëzore. Kabllogramet diplomatike të publikuara nga “New York Times” tregojnë se drejtuesve politikë të Sllovenisë iu kërkua të pranonin ndonjë të burgosur në këmbim të një takimi me Presidentin Barak Obama. Përkundrazi, miliona dollarë për investime ekonomike iu ofruan si shpërblim për pranimin e një grupi të burgosurish, qeverisë mikroneziane të ishujve Kiribati. Ndërsa Belgjikës iu tha nga Departamenti i Shtetit se marrja e të  burgosurve do të ishte një “mënyrë low-cost për të fituar dominimin e Europës”.

Pakistani

Nga 2007-a përpjekja për të hequr një reaktor bërthamor nga Pakistani. Përplasjet e drejtuesve pakistanezë me ambasadoren Anne Patterson

Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2007 kanë vënë në jetë një përpjekje të konsiderueshme sekrete për të zhvendosur nga Pakistani një reaktor bërthamor me uranium të pasuruar, me bindjen se vendi aziatik e përdor materialin bërthamor për trafiqe të paligjshme. Në maj të vitit 2009, ambasadorja Anne W Patterson referoi në Uashington se Pakistani refuzonte në mënyrë sistematike lejimin e ekspertëve amerikanë për të vizituar impiantet e tij bërthamore. Arsyeja e refuzimit, duke përdorur fjalët e një drejtuesi pakistanez që u zu me ambasadoren amerikane, qëndron në faktin se nëse gazetat vendase do të merrnin vesh për heqjen e reaktorit me siguri titulli i tyre do të ishte: “SHBA merr armët bërthamore të Pakistanit”.

Nelson Mandela

Ish-presidenti afrikanojugor ka qenë në shënjestër të diplomatëve për përplasjen e tij me George Bush kur ky i fundit mori vendimin për të pushtuar Irakun. Mandela e kishte akuzuar se ishte racist.

Lideri afrikanojugor, Nelson Mandela, përmendet në më shumë se një dokument. Në vitin 1990, një diplomat amerikan dërgoi një telegram entuziast në Cape Towen, ku tregonte se si një avokat i Mandelës sapo e kishte informuar se lideri i atëhershëm i “African National Congress” ishte gati duke u liruar. Teksti përshkruan entuziazmin e diplomatit për momentin e jashtëzakonshëm historik, plot perspektiva për të ardhmen e Afrikës së Jugut. Por ish-presidenti afrikanojugor përfundoi në shënjestrën e diplomatëve amerikanë për përplasjen e tij me George Bush kur ky i fundit vendosi të pushtonte Irakun. Mandela e kishte akuzuar se ishte racist, duke deklaruar se Presidenti amerikan kishte injoruar kërkesat e Kombeve të Bashkuara, sepse sekretari i Përgjithshëm i saj në atë kohë, Kofi Anan, ishte i zi.

Subjekti i lajmit Diplomatët spiunë

Direktiva mbi “human intelligence” e vitit 2008: “Gjeni numrat e kartave të kreditit dhe destinacionet e fluturimit të politikanëve, sepse kështu mund t’i kontrollojmë”

Edhe diplomatët amerikanë janë përfshirë në misionin e mbledhjes së informacionit në një mënyrë jo shumë bindëse, për t’ia dhënë më pas shërbimit të inteligjencës. Në një telegram dërguar të gjithë vartësve, Departamenti i Shtetit shpërndau “National Humint Collection Directive”: direktivë e vitit 2008 mbi veprimet jo shumë diplomatike që duhen adoptuar. “Humint” është shkurtimi i “human intelligence”, pra spiunazhi njerëzor. Diplomatëve u kërkohej para së gjithash të gjenin bazat e të dhënave, numrat e telefonave të bashkëbiseduesve, e-mail-et, numrat e kartave të kreditit, por edhe biletat e udhëtimeve për të ndjekur lëvizjet e diplomatëve apo politikanëve që duheshin pasur nën kujdes kur lëvizin nëpër botë. Të dhënat i kalonin Agjencisë Kombëtare të Sigurimit që ndjek trafikun elektronik dhe atë të telekomunikacionit në të gjithë botën.

David Cameron

Kryeministri aktual britanik nuk gëzon ndonjë popullaritet të madh në Shtëpinë e Bardhë, por edhe paraardhësi i tij, Gordon Brown, nuk pëlqehej shumë nga administrata amerikane

Ambasada amerikane në Londër jepte gjykime jo entuziaste për David Cameron-in, liderin e partisë konservatore që më pas u bë Kryeministri britanik. Kjo është një tjetër nga të “palarat” që ka nxjerrë në shesh “Wikileaks” dhe të botuar në të përditshmen londineze “Guardian”. Mendimet për liderin e konservatorëve u takojnë muajve të parë të vitit 2010, d.m.th, përpara zgjedhjeve të majit të fituara nga Cameron dhe përpara formimit të qeverisë së koalicionit me liberaldemokratët. Ky rrëfim mund ta bëjë më të vështirë raportin mes konservatorit David Cameron dhe dy liderëve amerikanë që drejtojnë politikën e jashtme amerikane, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, dhe Presidentit Obama, edhe pse vetë Hilary Clinton telefonoi në “Dowing Street” disa ditë më parë për t’i paraprirë kështu  impaktit që mund të shkaktonte publikimi i sekreteve përvëluese nga “Wikileaks”

Shërbimi inteligjencës në OKB

Personeli amerikan i akredituar në OKB duhet të mbledhë informacion dhe të spiunojë mbi planet e OKB-së dhe qëndrimet e sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki- Moon 

Në vitin 2009, Departamenti Amerikan i Shtetit i kërkoi në një shkresë të dërguar 38 ambasadave vëzhgimin e detajuar të diplomatëve të huaj në Kombet e Bashkuara. Në direktivë specifikohej mbledhja e informacionit mbi planet e OKB-së, mbi qëllime të sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, si dhe të sekretarit të këtij të fundit mbi tema specifike siç është për shembull Irani. Po ashtu, rekomandohej të merrej informacion në mënyrë të veçantë për përfaqësuesit e pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit: Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe. Po ashtu, vëmendje e veçantë u duhej kushtuar funksionarëve dhe përfaqësuesve të Sudanit, Afganistanit, Somalisë dhe Koresë së Veriut. Personeli diplomatik dhe konsullor i akredituar në OKB dhe vendet të cilave u ishte drejtuar shkresa ngarkoheshin të vinin në ekzekutim një “spiunazh të llojit të dobët”.

Bashkimi i Koreve

Nëse regjimi i Koresë së Veriut do të shkojë drejt kolapsit, do të duhet të mendojë për bashkimin e vendit, duke marrë parasysh edhe problemet ekonomike. Por, më parë, duhet të bindim Kinën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë diskutuar me funksionarët e Koresë së Jugut mbi mundësinë e një Koreje të Bashkuar, në rast se Koreja e Veriut do të shkonte drejt kolapsit për shkak të problemeve të saj ekonomike dhe atë të kalimit të pushtetit nga një lider te tjetri. Dokumentet u referohen takimeve të bëra në shkurt të vitit 2010. Në to përshkruhet edhe tema për ta bindur Kinën që të pranojë situatën e një Koreje të bashkuar. Gjithmonë për Korenë e Veriut, dosjet e “Wikilekas” tregojnë se regjimi komunist i ka shitur 19 raketa balistike ndërkontinentale Iranit. Raketat, bëjnë me dije diplomatët, mund t’i japin Iranit për herë të parë mundësinë që të godasë një kryeqytet europian ose Moskën dhe forca e tyre e madhe goditëse mund të përshpejtojë zhvillimin iranian të raketave balistike ndërkombëtare.

Lufta informatike kineze

Sulmi informatik ndaj “Google” futet në kuadrin e një fushate sabotimi të organizuar nga funksionarë, ekspertë të sigurisë private dhe piratë të rekrutuar nga qeveria kineze

Sulmi informatik kundër “Google” në Kinë në janar të këtij viti u urdhërua nga zyra politike e komitetit qendror të Partisë Komuniste kineze. Dokumentet e bëra publike së fundmi tregojnë për një luftë të vërtetë informatike për të cilën Pekini ka bërë bashkë një “ushtri” të madhe ekspertësh. Sipas asaj që raportohet në një kabllogram, një informator kinez i ka treguar ambasadës amerikane në Pekin se sulmi i hakersave ndaj “Google” ishte pjesë e një fushate të koordinuar sabotimesh informatike, të bërë nga një skuadër e vërtetë ekspertësh. Kjo skuadër përbëhej nga piratë të rekrutuar nga qeveria kineze, ekspertë të sigurisë private dhe “kriminelë” informatikë. Përveçse infiltruan në sistemin e “Google”-it, që prej vitit 2002 hakersat kanë arritur të penetrojnë në kompjuterët e qeverisë amerikane, në sistemet informatike të vendeve aleate të SHBA në Perëndim, të Dalai Lamës dhe të kompanive të tjera të mëdha amerikane.

Në mars, “Google” deklaroi e nuk do t’i bindej më urdhrit të Pekinit për të censuruar motorin e kërkimit duke shpjeguar se ka qenë objekt sulmesh informatike të koordinuara dhe se korrespondenca e disidentëve kinezë të kaluar përmes g-mail-it ishte dhunuar gjatë sulmeve të tilla. Në të kaluarën, SHBA-të kanë folur për mundësinë se sulmet informatike vinin nga Kina, por nuk e kanë akuzuar kurrë publikisht regjimin e Pekinit. Në dosjet e “Wikileaks”, Kina përmendet edhe në urdhrin e dërguar nga Uashingtoni për të spiunuar takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB, dhe në veçanti anëtarët e vendeve të përhershme, ku siç dihet bën pjesë edhe Kina. Në mënyrë jo direkte, Pekini shfaqet edhe në bisedimet për mundësinë e bashkimit të dy Koreve. Dokumentet tregojnë bisedat e SHBA-së me funksionarët e Seulit për bashkimin e Koreve dhe pjesa më e madhe e tyre bazohet në mënyrën për të bindur Kinën të pranojë bashkimin e tyre.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama