Në një bisedë me të, na tregon se është martuar 19 vjeç e gjysmë. Në ato kohë sapo kishte mbaruar shkollën e mesme. Gjatë gjithë kësaj kohe ka punuar në punë të ndryshme, por nuk ka ndonjë profesion. Djali, Eni është 4 vjeç e gjysmë, ndërsa vajza e saj e madhe, Erisa të dielën e kaluar mbushi 9 vjeç. Për herë të parë e ëma e uroi nga një ekran i madh në lidhje direke, tashmë e famshme.
Pse vendose të marrësh pjesë në këtë konkurs?
Gjithmonë kam pasur dëshirë të këndoj. Kudo që gjendesha, në shtëpi në shkollë, unë këndoja dhe të gjithë e pëlqenin zërin tim. Kur dëgjova për audicionet e X Factor u lumturova sepse ka qenë ëndrra ime të merrja pjesë. E kam ndjekur X Factor në shtete të ndryshme dhe aty më është rikthyer pasioni të ndjek ëndrrën time, këngën. Shtytësi më i madh ka qenë bashkëshorti im, pa këmbënguljen e tij s’do isha këtu.
Pse tani e jo më parë, çfarë të ka penguar?
Në atë kohë kur isha adoleshente kushtet në Kosovë s’kanë qenë të përshtatshme që unë ta zhvilloja këtë pasion. Rrjedha e jetës qe e tillë: Në fillim lufta pastaj martesa, erdhën fëmijët dhe unë të gjithë vëmendjen time e drejtova me dashurinë më të madhe drejt familjes time. Tani ishte koha më perfekte për këtë gjë.
Si e priti familja, shoqëria pranimin dhe daljet tuaja publike në X Factor?
Jam aq shumë e lumtur sepse familja, të afërmit dhe të gjithë të njohurit e mi janë mbështetësit kryesor për mua. Entuziazmi i tyre vazhdon të jetë shtysa që unë të rri larg tyre .Shpeshherë gjatë performancave të mia, ata mblidhen së bashku për të më dëgjuar.
U surprizua dikush nga familja juaj, ndoshta nuk e dinin më parë që ju këndonit?
Nuk mendoj se dikush nga familjarët e mi nuk e ka ditur që unë këndoj. Sepse mua, siç e thash edhe më parë, gjatë gjithë kohës gjendem me këngë në gojë. Surpriza e tyre ka qenë, ndoshta fakti që unë mora guximin të vij në X Factor.
Na tregoni pak për familjarët, nga sa njerëz përbëhet ajo?
Familja ime e ngushtë përbëhet nga bashkëshorti, unë dhe dy fëmijët, vajza dhe djali. Familja ku jam rritur është më numerike. Jam rritur në mes të tri motrave dhe dy vëllezërve, me dashurinë e dy prindërve të mrekullueshëm.
Ku jetoni në Kosovë dhe me se merreni atje, cili është profesioni juaj?
Jetoj në Gjilan. Tashmë të gjithë ju e dini që unë jam përkushtuar vetëm familjes. Jam martuar e re dhe si profesion të vetëm kam pasur angazhimin ndaj familjes. Jam shtëpiake.
Sa kohë u bë që jeni në Tiranë?
Në Tiranë kam ardhur për X Factor edhe gjatë gjithë kësaj kohe unë kam qenë këtu. Pra ka disa muaj.
A flisni më fëmijët tuaj?
Padyshim që po çdo ditë flasim në telefon dhe në internet. S’mundem të kaloj asnjë ditë pa i parë. Ata janë të vegjël dhe kërkojnë të jenë çdo ditë pranë. Të paktën virtualisht me anë të internetit na hiqet pak malli për njëri-tjetrin. Edhe pse në prova jemi shumë të ngarkuar shpesh gjej kohën të shkoj te ata në Kosovë.
Ata e dinë së përse gjendeni këtu?
Po të dy ata e dinë këtë gjë. Vajza që është më e madhe dhe kupton më mirë me ka thënë që një ditë dëshiron të bëhet si unë. Ndërsa djali, gjatë kohës kur jam në Kosovë dhe kthehem për në Tiranë, më thotë gjithmonë: Mami po ti do ikësh, po neve kush do na vëre në gjumë. Të dy fëmijët e mi gëzohen shumë kur më shohin në televizion duke kënduar.
Cili është synimi juaj në fushën e muzikës?
Për momentin është të qëndroj sa më gjatë në X Factor. Më vonë shpresoj të kem këngët e mia. Tani jam e fokusuar vetëm në këngët e garës që të jap më të mirën e vetes sime.
Çfarë planesh keni pas X Factor? E keni menduar?
Plane muzikore për momentin nuk kam menduar. I vetmi plan që më ka pushtuar mendimet është që pas X Factor të kaloj një kohë të më familjen time dhe të çmallem me të gjithë. Të tjerat ia lë kohës.
Tani që jeni bërë e famshme do ndryshojë gjë në jetën tuaj?
Ndoshta do të ndryshojë vetëm fakti se në angazhimet e mia do të futet kënga. Tashmë do të bëhem me dy profesione. Kënga plus familja.
Keni tentuar të vazhdoni ndonjë shkollë më parë?
Kam aplikuar në polici. Kam kaluar dy testime por të tretin dështova. Tani po e kuptoj që zoti më kishte rezervuar një rrugë më të mirë, rrugën e X Factor. Tani jam e kompletuar.
Ëndrra? Skena e Eurovizionit
Liria e di shumë mirë që gjithë kjo periudhë për të, është sakrificë për familjen e saj, por kjo nuk e pengon të jetë çdo ditë e më e fort duke përkushtuar gjithë energjitë e saj tek muzika. Ajo pohon se: “Po, gjithë këtë sakrificë timen dhe të familjes time nuk dua ta mohoj. Tani që më erdhi rasti nuk do ta anashkaloj më dashurinë time për muzikën”. E kur e pyet për planet, është pak supersticioze: “S’dua të bëj plane para kohe. Më pëlqejnë festivalet sidomos ata më me emër. Meqë po jetoj një ëndërr me lejohet të ëndërroj akoma shpresoj një ditë të prek skenën e Eurovizionit”.