Nga sot, kushdo që merr një vizë amerikane do të ketë vlerë për 3 vjet, dhe jo më për 1 vit. Lajmi u bë publik mbrëmjen e së enjtes nga ambasadori në ikje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu.
Ndërkaq, kreu i delegacionit të SHBA në vendin tonë theksoi se pas këtij afati, këto viza mund të kenë një kohëzgjatje 5-vjeçare.
Në një sqarim të Ambasadës Amerikane në vendin tonë, theksohet se kualifikimet për marrjen e një vize nuk kanë ndryshuar dhe se secili aplikant duhet të vërtetojë se nuk do ta përdorë vizën për të emigruar ilegalisht në SHBA.
Sipas ambasadës, afati 3-vjeçar i vizës amerikane krijon më shumë lehtësi për shqiptarët, të cilët bëjnë pushimet, studiojnë ose që vizitojnë shpesh familjet e tyre në SHBA.
Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ka ende shumë punë për të bërë, deklaruar Arvizu. Ambasadori Arvizu po largohet nga vendi ynë, pas 4 vite qëndrimi dhe në këtë detyre do të vijë Donald Lu, i cili tashmë ka bërë edhe betimin.