Nga stilimi ne pikture rruga kalon nga nje lule

Nga stilimi në pikturë, rruga kalon nga një lule
Një ridiskutim me këtë rast, lidhur me nudot e përfolura gjendet dhe ne rreshtat e parë të kësaj interviste. Por më e rëndësishme për të, është ajo që po afron, "sfilata" në telajo. Piktura te Merita Toçila është dhe destinacioni final që dhe jetës së saj i ka dhënë këtë konfigurim në vite: pikturon pa ndërprerje që e vogël, por...studion për cikël të ulët, në vitet kur e drejta e studimit ende jepej me pahir (medemek për t‘u bërë zyshë). Më pas, kur vjen koha e lirisë së zgjedhjes, studion për Gjuhë-Letërsi (medemek për të qenë presore). Nuk mjaftohet me kaq, por merr dhe një master për menaxhim-biznes nga IFG- L`Institute Français de Gestion (Tiranë) dhe L`Universite de Bordeaux (Francë)(master) dhe në fund, mbërrin atje ku pasioni do ta çonte më hir apo më pahir, në Akademinë e Arteve

ku diplomohet për Stilim e Pikturë. Drejton një studio arti që për emër ka mbiemrin e saj e në pak vite, është pjesëmarrëse në disa realizime televizive e filmash si kostumografe, stiliste, piktore. Në dy vite rresht, ka hapur tri sfilata personale, ku më e fundit, provokoi drithërima te publiku prezent në dy anët e pasarelës për shkak të dy nudove...


Fillimisht, të flasim për dy nudot tuaja në sfilatën e fundit. Pati shumë reagime. Ndoshta disa prej tyre dhe mundet të të mos kenë pëlqyer, ashtu si dikujt nudot e tua. Pas kaq muajsh, në distancë me atë atmosferë, ç‘koment mund t‘i bëni asaj performance të rrallë të kompozuar prej jush?

Unë nuk u shqetësova aq për komentet që nuk më pëlqyen, sesa për komentet që i mëshonin më shumë nudove të nxjerra dhe jo konceptit mbi të cilin ato u shfaqën. Si artiste mua më duhej të prezantoja diçka më tepër se një stilist i thjeshtë. Unë nuk shoh limite midis fushave të ndryshme të artit ç‘ka më bën të kaloj me lehtësi nga moda te piktura. Ato nudo ishin sjellja në mënyrë poetike e historisë së njerëzimit që nga koha kur ai ishte i thjeshtë naiv, i pastër, i zhveshur e deri në ditët tona kur prezantohet mjaft i sofistikuar dhe duket sikur ka humbur rrugën në përpjekjen për t‘u përsosur. Ishte një vështrim artistik i abstraguar te fillesa jonë.


Të qëndrojmë sërish këtu. Mund t‘i bëni një përkufizim artistik nudizimit?

Nudo? Eshtë një pyetje e vazhdueshme dhe e riformuluar pambarimisht. Trupi dhe arti e njohin njëri-tjetrin që në fillesë dhe po nga ajo kohë janë në një proces të pafundmë transformimesh. Trupi si një pikë rëndese midis tokës dhe qiellit paraqitet në një konfiguracion marrëdhënieje me veten dhe me rrethin social. Përderisa trupi mbulon hapësira intime dhe mbeten gjithmonë hapësira që pambarimisht duken të reja, kërkimi konsiston në mënyrën e të vështruarit si një hapësirë refleksioni. Një nudo përkthen artistikisht marrëdhënien e individit me veten dhe me kolektivin.


Çfarë diference etimologjike ka mes nudizmit dhe lakuriqësisë, që rrjedhimisht mund të jetë dhe diferencë kumtesh?

Është pikërisht mungesa e këtij këndvështrimi.


Ju mbani të fshehur një tjetër dell tuajin përveç stilimit, pikturën? Kur do ia zbuloni publikut?

I fshehur nuk është mbajtur, por thjesht nuk është ekspozuar në atë masë sa ç‘është bërë me sfilatat. Shumë shpejt edhe piktura ime do ekspozohet. Unë po përgatis një koleksion në punë me vaj, janë punë të dimensioneve të mëdha të realizuara me reliev dhe do t‘i prezantoj së afërmi para publikut.


Do të këtë dhe aty pak nudo?

Jo, koleksioni që kam në dorë është i një natyre krejt tjetër, do të jenë lulet subjekti kryesor. Unë e sjell të parë në një këndvështrim ndryshe, duke e paraqitur tredimensionale në pikturë dhe kam dëshirë që shikuesin ta detyroj të përqendrohet në pikturën time dhe nëpërmjet pikturës edhe te lulja, kjo gjallesë kaq e bukur dhe e thjeshtë deri në përsosmëri. Në kohën e sotme njerëzit rendin drejt fitimit dhe harrojnë që dita mund të nisë bukur edhe duke parë një lule në parvazin e dritares apo lulishten e qytetit.


Keni bërë një afirmim të "ngutshëm" si stiliste, por keni lënë në hije pikturën. Mos është kjo një përllogaritje e juaja me doza "menaxhim biznesi"?

Përqendrimi në punë ka qenë i njëjtë për të dyja. Nuk mund të them që si stiliste ka qenë një afirmim i ngutshëm. Përkundrazi, ka ardhur shumë natyrshëm, madje ka ardhur ashtu siç duhej, pas një afirmimi dhe plotësimi nga ana profesionale për të ecur me shumë siguri në rrugën në vazhdim. Porse stilimi është përditshmëria ime dhe të mos harrojmë që publiku është më i ndjeshëm ndaj modës, sepse veshja ka të bëjë direkt me çdo shtresë të shoqërisë, ndërsa piktura kërkon një nivel më të lartë për t‘u pranuar dhe shijuar. Thjesht ndryshon masa e prekshmërisë, ndaj në Shqipëri është ende e vështirë të jetohet me pikturën.


Ua bëra pyetjen e mësipërme, duke pasur parasysh që ju keni studiuar dhe për menaxhim biznesi pra. Dhe në këtë pikëpamje do ju pyesja se a ka arritur sot arti shqiptar të përfshihet në standarde biznesi dhe të menaxhohet si i tillë në lojën e tregut, paçka se këto terma duken pak të rënda përballë fjalës përshpirtshme "art"?

Kjo është një pyetje që edhe mua më shqetëson dhe do paraqes një cikël shkrimesh për të sensibilizuar dhe kontribuuar sado pak për artin. Arti figurativ shqiptar sot jeton në mbretërinë e së pamundshmes, dhe prandaj ndodhet në ngërç, sepse situatat jofavorizuese janë më të forta se talentet dhe energjitë e njerëzve që krijojnë. Më parë se të kesh besim tek e ardhmja duhet luftuar me vështirësitë, të guxosh dhe të flakësh mosbesimin që gërryen shpirtin, paralizon iniciativat, vdes dëshirat e bllokon reagimin. Së pari, duhen shpikur metodat për të thyer akullin, artistët duhet të dalin nga izolimi në të cilin punojnë për t‘i rezistuar shpejtësisë së ndryshimeve dhe të punojnë në grup duke shkëmbyer përvojat dhe energjitë për të mbijetuar artistikisht.


Ju keni një post administrativ në Ministrinë e Kulturës, drejtorinë, zyrën për artin viziv? Çfarë mund të bëni ndryshe nga paraardhësit tuaj, meqë keni një natyrë ambicioze?

Unë po përpiqem që t‘u krijoj mundësi të gjithë artistëve cilësorë të artit viziv që me ekspozitat që do të hapin në galerinë "Ibrahim Kodra" në Ministrinë e Kulturës, të promovojnë krijimtarinë e tyre të re, të jenë të pranishëm herë pas here në projektet që janë miratuar për t‘u shndërruar me punën e tyre në faktorë të rëndësishëm të Artit Figurativ në Shqipëri. Kjo ka filluar të realizohet, por pas muajit gusht ka për t‘u ndierë më fort.


Muzika apo piktura? Jo në kuptimin akademik. Ta shtjelloj pyetjen. Në Shqipëri po gëlon një industri muzike, si pasojë e urisë për muzikë më së shumti pa zgjedhur se çfarë fusin në "bark", duke u helmatisur më lloj ushqimesh të skaduara (nënkupto: muzikë jashtë çdo kriteri të mirëfilltë artistik). Ndërkohë ju, himizoni artin viziv përballë kësaj lloj muzike për mbajtjen e shpirtit gjallë (shpirtit jo instinktiv). Atëherë, pse piktura e në përgjithësi arti viziv?

Është e vërtetë që muzika e ka gjetur rrugën e tregut pavarësisht cilësisë dhe nivelit që ajo prezanton dhe piktura ka mbetur mbrapa. Piktura për sa thashë më lart kërkon një nivel më të lartë shoqëror. Kur dikush blen një disk nuk është e njëjta gjë kur blen një pikturë. Kur blen një pikturë ke futur një pasuri në shtëpi, aq më tepër kur ajo i përket një artisti cilësor.

Artet kanë secili pjesën e tyre në trashëgiminë kulturore të një populli, porse piktura apo skulptura, është arti që prezanton në nivelin më të lartë zhvillimin tonë si komb, është një pasuri që mbetet dhe u trashëgohet brezave. Veprat e artit asnjëherë nuk janë parë dhe shijuar më vete, ato janë parë të shoqëruara e të rrethuara nga një numër i pafundmë pyetjesh, diskutimesh, shkrimesh kritikash, nga studiues, kritikë, muzeografi etj., të cilët veprojnë direkt mbi veprën duke ia transformuar idenë, duke ndikuar dhe në jetëgjatësinë e saj. Sipas kësaj piktura është një organizëm i gjallë që merr jetë sapo fillon të krijohet mbi telajo dhe vazhdon jetën edhe pasi autori i saj nuk është më në jetë. Vepra e artit ka jetën e vet në të cilën nuk respektohen ligjet njerëzore- pavdekësinë.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama