Nga lideri i padiskutueshëm në mesfushë te mbrojtësit e krahut të përshtatur, për të mbërritur te stafeta "Go-Go" e sulmit. Më poshtë do të njiheni me forcën e Gjermanisë së Joakim Lëvit. Të ndihmuar nga numrat do t'i kuptoni më mirë pesë pikat e forta të kampionëve të botës që në rrugën e tyre gjatë këtij Europiani fati deshi që të përballeshin me "macen" e tyre të zezë.
Komandon Krosi
Është si Andres Iniesta për Spanjën. Madje më shumë se Iniesta nëse do të bazohemi te numrat. Loja e Gjermanisë praktikisht kalon nga këmbët e Toni Krosit. Në fitoren që regjistruan teutonët përballë Ukrainës (u mposht 2-0), ish-mesfushori i Bajernit të Mynihut mori gjithsej 103 topa nga shokët e ekipit. Ndërsa në fund të takimit ai kishte dhënë 105 pasime të sakta prej 113 që kishte bërë në total. Statistika të tilla kaq të frikshme ai regjistroi edhe në duelin e dytë në grup, atë kundër Polonisë (0-0). Ish-bavarezi realizoi 102 pasime të sakta në 110 që kishte tentuar në tërësi. Edhe më e frikshme ishte statistika e ndeshjes Gjermani-Irlandë e Veriut. Në këtë duel, Kros ishte 93% i saktë në pasime, pasi prej 130 pasimeve që kishte tentuar në total kishte gabuar vetëm 90. Në takimin e fundit ai kishte marrë 120 pasime. Në këtë aspekt, numrat e tij ulen ndjeshëm në përballjen me Sllovakinë (e fituan gjermanët 3-0). Në atë ndeshje Kros mori 89 topa. Po aq ishte numri i pasimeve të sakta në 96 tentativa. Për të shpjeguar edhe më mirë tipin e lojtarit, duhet thënë se ai kërkon shumë rrallë "pykën" e ekipit, Mario Gomez. Ky i fundit prej Krosit ka marrë vetëm dy pasime nga mesfushori i talentuar në ndeshjen Gjermani-Irlandë e Veriut.
Kontroll, kontroll dhe kontroll
Kontrolli i topit nga ana e katër herë kampionëve të botës edhe më irritues se ai Spanjës. Në katër takimet që kanë zhvilluar deri më tani, gjermanët i kanë mbyllur ndeshjet me kontrollin e topit respektivisht në shifrat 63%, 63%, 71% e 59%. Ata janë mjaft të saktë në pasime (shumë tek ato nga gjysmë distanca): 621 nga 678, 523 nga 585, 650 nga 704 dhe 536 nga 601. Qendërmbrojtësi i tyre Mats Humels (ose edhe zëvendësuesi i tij Shkodran Mustafi në takimin e parë) është lojtari që kërkohet më shumë nga Krosi. Me pak fjalë, Gjermania nuk përton t'i nisë aksionet nga prapa kur zonat përpara janë të mbyllura.
Mario "Go-Go"
Gomez brenda, Gëce jashtë. Në dy takimet e fundit, Joakim Lëv ka lënë mënjanë projektin e tij me "falso nueve" Gëcen për të aktivizuar në majën e sulmit të Gjermanisë një "pykë" si Mario Gomez. Ky i fundit ka fituar besimin e Lëvit pasi ka shënuar dy gola në dy takime ku e ka nisur si titullar. Një tjetër statistikë që flet në favorin e tij është se ai kërkohet shumë pak prej shokëve. Kundër Irlandës së Veriut ai mori 19 pasime, ndërsa ndaj Sllovakisë vetëm 11 të tillë. Praktikisht ai ka shënuar një gol në dhjetë pasime të marra. Për Gëcen nuk ka lajme të mira. Talenti në dy takimet e para ishte sulmues i parë. Në ndeshjen e tretë u spostua në linjën e trekuartistëve (me Ozilin dhe Mylerin), ndërsa në sfidën e katërt, atë kundër Sllovakisë, u ul në stol pasi Lëv preferoi Drakselin që, për fatin e tij të keq, shkëlqeu. E ardhmja duket e vështirë për djaloshin e artë, i cili dy vite më parë vendosi finalen e kupës së botës.
Mbrojtësit e përshtatur
Të tilla probleme nuk ka Jonas Hektori. Mbrojtësi i krahut të majtë, i cili i shënoi Italisë në miqësoren e marsit, është një siguri për Lëvin që i është dashur të eksperimentojë për të arritur maksimumin edhe në anën tjetër. Këtë Europian si mbrojtës krahu të djathtë e nisi Benedikt Hëvedes, i cili pas dy takimeve të para u ul në stol pasi komisari teknik preferoi që të aktivizonte Joshua Kimishin. Mesfushorit i ka shërbyer eksperienca me Pep Guardiolën. Ky i fundit në Mynih e ka aktivizuar edhe si qendërmbrojtës (ndonëse është 176 centimetra). Mbase Gjermania ka gjetur pasardhësin e Lahmit, pasi Kimish kundër Irlandës së Veriut e mbylli ndeshjen me 9 harkime në zonë. Ndryshe nga Kimish, Hektori e ka nisur karrierën si mbrojtës krahu, por vitin e fundit te Këlni ka interpretuar rolin e mesfushorit. Nëse do t'u bazohemi numrave, Hektori ka ardhur duke u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje.
Nuk shënohet? Nuk goditet!
Por e dhëna që të bie më shumë në sy është shifra zero në kolonën e golave të pësuar. Dyshja e qendërmbrojtjes e formuar nga Zherom Boateng dhe Mats Humles është e nivelit botëror, por duhet thënë se e gjithë skuadra interpreton mjaft mirë fazën defensive. Gjermania deri më tani ka pësuar vetëm gjashtë goditje në portë. Nëse do të numëronim dhe ato të pritura nga portieri apo edhe goditjet e përfunduara jashtë, ky numër shkon në vetëm 23. Shumë pak... për të shkuar në anët e Nojerit sfidantëve të kampionëve të botës u duhet shumë punë.