Nga varret e hebrenjve ne Prishtine me nje shkrimtar nga Beogradi

Nga varret e hebrenjve ne Prishtine me nje shkrimtar nga Beogradi

- holokausti si kulturë -

Në Prishtinë, në lagjen Velanije, sa fillon kodrina, mes barit të madh janë varret e hebrenjve, të rrethuara me kangjella që i ngjanë kujtesës, kur është e kujdesshme, por jo e fortë.

Shkova ta vizitoja, por mbartja së brendshmi dhe një homazh të heshtur. Ne si popull i ndjejmë dhe i duam hebrenjtë dhe mua më afron më shumë me ta edhe letërsia e tyre dhe rrënueshëm më shumë “holokausti”.

Holokausti si kulturë. E gjeta së pari tek shkrimtari nobelist, hebreu hungarez Imre Kertesz, që ka qenë i mbyllur në kampin e Aushvicit, dhe kjo përbën thelbin e krijimtarisë së tij, e të vetmit argument, “…por cili autor, në fund të fundit, – pyet ai, – a nuk është shkrimtar i Holokaustit?” dhe i shton thënies së famshme të Adornit se pas Aushvicit nuk mund të shkruhet më poezi, një kundërshti të tij: pas Aushvicit mund të shkruhen poezi vetëm për Aushvicin.     

Sipas Kertesz“Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon… Ai thekson se “holokausti tani ka krijuar një kulturë”, e cila tashmë s’mund të mohohet se ka ardhur dhe vjen ende, dhe letërsia e kësaj kulture mundi të frymëzojë Shkrimet e Shenjta dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane, – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të lindë faljen ose vetë shpirtin dhe katarsisin.                                                                  

Kur lexojmë“hebre”dhe“holokaust”, unë kam të drejtë të nënkuptoj i burgosur dhe masakër burgu.“Evropa nuk është vetëm treg i përbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin”. Dhe do të takoja një shkrimtar hebre këto ditë në Prishtinë dhe ai vinte nga Beogradi e shkruante në serbisht. Bënte letërsi serbe, Filip David. Ishim të ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë, “Polip 2014” nga Shqipëria e Serbia, Mali i Zi e Maqedonia, Ukraina e Greqia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Gjermania, etj. dhe do të lexonim poezi disa mbrëmje rresht.“Vij nga Beogradi për herë të parë në Prishtinë, – tha ndër të tjera Filip David në çelje të festivalit – me një ndjenjë faji e përgjegjësie, se duhej dhe mund të bënim më shumë. Kam qenë në opozitë me Millosheviçin dhe kam krijuar një lidhje tjetër shkrimtarësh, të shkëputur nga regjimi… Shoh një Prishtinë ndryshe nga ç’na e japin mediat atje, me rini dhe besim…”– e mbylli ai bisedën duke falenderuar edhe një herë për ftesën.                                  

Teksa pija kafe me të,më tha përsëri se gjente një mikpritje të përzemërt në Prishtinë, “në rrugën më ndalin njerëz, nga që më panë në media…”,shtoi duke qeshur. Befas  e pyeta nëse e dinte që në Prishtinë ka një varrezë të hershme hebrenjsh? Dhe u befasua kur po i tregoja se gjatë luftës atë varrezë serbët donin ta rrafshonin, ta prishnin si pjesë të kujtesës historike të popullit me të cilin po luftonin, por shqiptarë në Kosovë nuk i lanë. Pikërisht ata shqiptarë që dikur kishin mbrojtur jetët e hebrenjve, mbrojtën dhe varret e tyre.

Shkrimtarit Filip David i shkëlqyen sytë me entuziazëm të dhimbshëm nisi të flasë për mbështetjen dhe sakrificat e shqiptarëve në mbështetje të hebrenjve si asnjë popull tjetër në Europë. Dhe pastaj u bë më intim, më tregoi si kishte lidhje farefisnore me Frojdin. Dhe përsëri më falenderoi për fjalën në përurimin e romanit të tij të porsadalë në shqip në Prishtinë, do e marr me vete, më tha, mbase e botonte dhe në vendin e tij. Por unë do të doja të botohej së pari këtu…             

 

Do të doja ta thosha qysh në fillim, fare thjeshtë, me statusin e një lexuesi, që romani i Filip Davidit, “Ëndrra për dashurinë dhe për vdekjen”, më ka pëlqyer, më ka emocionuar dhe më ka vënë në mendime për atë që rrëfehet dhe se si është rrëfyer, një përzierje teknikash romaneske. Kumtet ngërthejnë përvojën e një kolektiviteti të përvuajtur dhe magjepsës në Europë, me shijen vetanake, ndërkohë dhe të universalizuar, që ngjajnë dhe si të porsarizbuluara dhe na joshin, ku personazhet dhe koha e tyre kanë sa mistikë, po aq dhe realizëm, ku mistika ngjan më reale dhe realja më mistike, deri dhe të zhveshura në pamëshirshmëri, marramendëse dhe gjakftohta. Krijohet kështu një gjendje shpirtërore, që të afron me qiellin duke të bërë tokësor më shumë, madje dhe nëntokësor, të botës së përtejme, ku vijnë të vdekurit dhe ti shkon tek ta e kthehesh prapë, teksa duhet të konfliktohesh me ata të maqinerisë së vdekjes, aq sa parakë, po aq dhe modernë, në emër të jetës dhe dashurisë së saj…

 

Në veprën “Ëndrra për dashurinë dhe vdekjen” janë dy romane sintetikë brenda njërit, ku secili ngërthen më shumë se aq. Qëndrojnë dhe më vete dhe pikërisht kjo mëvetësi duket sikur bëhet dhe shkak i bashkimit. Janë tekste për dashurinë dhe vdekjen dhe aleatët e saj cinikë, të përplasjeve me ta dhe bashkëjetesës sëdetyruar.

Dy çështje themeltare, më të mëdhatë e njerëzimit, dashuria dhe vdekja, që sa më shumë shkruhet për to, aq më të parrokshme duken, por aq më shumë bëhen pjesë e mendësisë tonë, e gjendjes, përditësohen e japin kuptimet e të përhershmes njerëzore. Janë dy shqetësimet e përjetshme dhe të përbotshme, dy kulmet, që njëri duket se qëndron aq sa mban jeta dhe tjetri aq sa vazhdon vdekja, të kundërta në dukje, që të dyja, por dhe vazhdime ndërkohë. Që, kur është njëra, nuk është tjetra, pra ku ka dashuri nuk ka vdekje dhe ku ka vdekje… a thua mbaron dashuria?

 

Romani i shkurtër për dashurinë na tregon se ato dhe përzihen, dashuria ka brenda tragjizëm, vdekje krahas jetës dhe po kështu ka dhe dashuri që e tejkalon vdekjen, edhe pas saj dhe vdekja del si pjesë integrale e jetësisë.

Por vdekja e vërtetë është tjetër gjë, e zhveshur, është mungesa e dashurisë, urrejtja e më pastajme.

Jakovi, protagonisti i parë, djaloshi hebre, sheh një ëndërr dhe brenda kësaj ëndrre një tjetër dhe po si një ëndërr e tretë është realiteti, kur dhe ëndrra është realitet. I shfaqet një bukuroshe, Rokela, dashurohet me të, del nga ëndrra ashtu siç ndodh të dalim nga shtëpia dhe e kërkon gjithandej. Dhe nis kështu rrugëtimi mistik, ku bota nuk është vetëm hebraike.                                                                                                                      

Por ajo, e dashura e ëndrrës, qenkësh e vdekur dhe për dashurinë kjo nuk përbëka pengesë të pakapërcyeshme.           

Martesa e tyre kalon dhe dyshimin se mos djaloshi është i marrë a i përhënur, kur ai është thjeshtë i dashuruar dhe dashuria nuk ka masë, i mjafton përplotshmëria e vet.                        

Nëse bota nuk do të dijë ta përcjellë këtë lajm themeltar të shpirtit njerëzor, pra të qenit i dashuruar të dikujt, të kujtdo, të të gjithëve, që të besohet natyrshëm dhe të pranohet me gëzim, vetë ajo, bota kështu, do të jetë shkaktare e mynxyrave të mëdha, epidemive, përmbytjeve, mërzive, tërmeteve, urrejtjes masive,  plogështive kolektive, luftërave.

Gjithçka e keqe ka shkak mungesën e dashurisë…



Që do të na i shpalosë rrëqethshëm, me një ftohtësi cinike, pjesa e dytë, romani i shkurtër për vdekjen.

Protagonist është Erik Vajsi, djali i Jakovit, cilit Jakov, atij të romanit të mëparshëm?Mbase. Po dhe jo, njëlloj është, s’ka rëndësi. Është djalë me probleme të përtej moshës, autist, i mbiaftë që arrin ta shohë veten si të ishte një tjetër, sheh dhe ato që s’kanë ndodhur, madje, me një mbyllje të trishtë sysh bën që të ndjehet i munguar etj, etj.

Ishte koha kur po triumfonte morali i dhunës vrastare, i seleksionimit njerëzor, shkenca e racizimit po bëhej sistem, më saktë: politika naziste. Që donte të krijonte njeriun e ri në një botë të re ashtu si komunizmi më pas, me një maqineri ligjesh, ku kujtesa shihej si krim, ku duhej të harronin se kush ishin dhe jo të gjithë meritonin të jetonin etj, etj.

Vajsin e çojnë “në jetimore”, ku eksperimentohej me njeriun në shërbim të Luftës II Botërore, teksa hebrenjtë po ripërndiqeshin. Duhej shpikur njeriu-grup, njeriu-kolektiv, pa vetveten. Ja, kjo është një nga vdekjet më të mëdha.

Monologë të brendshëm, informacione shkencore dhe të policisë sekrete, ndërprerje dhe befasira, parapsikologji dhe neuroza, vegime etj, etj, ndikojnë në stilin postmodernist të veprës…

Lufta mbaron, mbeten të sëmurët shpirtërorë, populli në përgjithësi, mes tyre dhe Erik Vajsi, mendja e të cilit s’kupton sa duhet dhe kupton më shumë se ç’duhet, ndërsa shpirti dhe emigron gjetiu. Eriku ndërkaq ka aftësinë që vetëm duke vështruar me sytë e tij të çakërdisur, të mund të ndezë një zjarr, dhe ku? Mu në një anije të korruptuar, që s’dihej se ç’punë të pistë do të përmbushte dhe lumi aty duket si metafora e kohës që rrjedh. Zjarri të jep idenë e një zbardhëllimi mashtrues, por agimi ishte larg…

Brenda këtij diptiku, si një sy i tretë, ka dhe një roman të tretë, mendoj, i fshehur, që përhapet si mjegull mbi të dy të dukshmit dhe tretet, është romani i Ëndrrës, po aq i fuqishëm në jetën njerëzore, që projekton të ardhmen dhe i jep kuptim të tashmes. Ëndrra ka fuqinë magjike që e bën njeriun të gjithëkohshëm.

Vepra e Filip Davidit është në fund të fundit romani i Ëndrrës. Që përbën, si të thuash, mbrojtjen nga bjerrjet sociale, nga rrënimi moral, nga kërcënimi i së keqes, është identiteti i tij vetanak dhe kolektiv, ai shpirtëror.

Në romanin e parë është udhëtimi, kur hebrenjtë po përndiqeshin, është kërkimi i vetvetes, i vetvetes së dashuruar, edhe përtej asaj bote strikte, tradicionale hebraike, dalje prej saj, po jo nga identiteti i shëndetshëm.

Në romanin e dytë është ngujimi i njerëzve, i fëmijëve në për kampe vuajtjesh dhe eksperimentesh në kohën kur një i çmendur, pacienti Adolf Hitler, udhëheq urrejtjen dhe zemërimin kolektiv në pushtimin e botës duke kërkuar medoemos zhdukjen e popullit hebre. Vdekja këtu nuk është thjesht vdekja e njerëzve, e kalimit në botën tjetër me dhunë, por vdekja e Njeriut si cilësi, e njerëzores së tij. Dhe ky është tmerri, fundi i botës. Që duhet të përballimi e ta përmbysim me sakrifica.

Vepra ka fuqi pasvepruese, edhe pasi kthejmë faqen e tij të fundit, romani vazhdon, e ndjejmë Autorin në opozitë me çdo tjetër “Hitleroviç”, qoftë ky dhe në vendin e tij dhe ata që do e pësonin nuk do të ishin më hebrenjtë, por psh, shqiptarët.                                                                                                                                          

Ëndrra për dashurinë dhe vdekjen është e njëjtë. Ky, besoj unë, është shkaku i parë që letërsia e hebrenjve lexohet më mirë se gjetiu nga shqiptarët.

Dhe ardhja ime nga Tirana për të folur në Prishtinë në promovimin e një romani të letërsisë bashkëkohore serbe, më duket sikur është vazhdim i këtij romani, një nga epilogët e shumtë të mundshëm, se kësisojshëm është ndërtuar ai, me njëlloj realizmi magjik hebreo-ballkanik që të bën bashkautor dhe përkthyesi ka ditur të sjellë nga fryma e veprës, që është më e vështirë se përkthimi i fjalëve…

Dhe e fundit, shpesh gjatë leximit unë kam përdorur yad-in e argjendtë, që është ajo dora e vogël, me gishtin tregues të shtrirë, që hebrenjve u shërben për të shfletuar Torahun.

Më duhej pikërisht ai gisht simbolik për të rrëmuar thelbin…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama