Sipas “bushong”-ove (grupe etnike) të Afrikës Qendrore, para nesh ekzistonin vetëm errësira, uji dhe Zoti i madh “Bumba”. Një ditë kur Bumba u sëmur nga stomaku, “volli diellin”, i cili ngrohu një pjesë të uji. Më pas volli hënën dhe yjet; më vonë pastaj volli leopardin, krokodilin, breshkën dhe në fund fare qeniet njerëzore. Si shumë mite të tjera të krijimit, edhe ky version lidhet me pyetjen mbi origjinën e universit. Por sot për fatin tonë të mirë kemi një mjet të rëndësishëm për t’iu përgjigjur pyetjeve tona dhe ajo është shkenca.
Zbulimi i parë shkencor rreth mistereve të ekzistencës ndodhi para tetëdhjetë vjetësh, kur Edwin Hubble filloi vrojtimet me teleskop nga maja e malit “Wilson”, në Los Anxheles. Për çudinë e tij, Hubble zbuloi se pothuajse të gjitha galaktikat largoheshin prej nesh. Përveç kësaj, sa më larg të ishin, aq më me shpejtësi largoheshin. Zgjerimi i universit ka qenë një nga zbulimet intelektuale më të rëndësishme të të gjitha kohërave. Ajo e dhënë i dha një kthesë debatit mbi origjinën e universit. Nëse galaktikat largoheshin, kjo do të thotë se në të kaluarën kanë qenë më afër. Nëse shpejtësia e tyre do të ishte konstante, atëherë miliona vite më parë paskan qenë njëra mbi tjetrën. Kështu e paska pasur zanafillën universi? Në atë epokë shumë shkencëtarë nuk e vlerësuan teorinë e origjinës së botës, sepse prekte dështimin e fizikës. Për të kuptuar se si kishte lindur universi, vetvetiu të shkonte mendja te një agjent i jashtëm, që për koincidencë mund të quhej Zot. Kështu, shkencëtarët propozuan teorinë në të cilën universi zgjerohej, por nuk kishte zanafillë. Ndoshta më e njohura ishte ajo e gjendjes së palëvizshme, që doli në vitin 1948. Sipas kësaj teorie, universi ka ekzistuar ngaherë dhe ka qenë i njëjtë gjithmonë. Kjo karakteristikë mund të kishte fatin e madh t’i nënshtrohej një verifikimi, një element shumë i rëndësishëm i metodës shkencore, por nuk arriti ta kapërcente provën.
Variacione të vogla
Pas vrojtimeve të ndryshme, provat konfirmuese të idesë se në origjinë universi ishte shumë i ngjeshur, erdhën në tetor të vitit 1965 me zbulimin e një mjedisi të dobët valësh, i pranishëm në hapësirë. I vetmi interpretim i besueshëm i fenomenit është se bëhet fjalë për rrezatimin e mbetur të një gjendjeje fillestare të ftohtë dhe të ngjeshur. E ndërsa universi zgjerohej, rrezatimi ftohej derisa u bë mbetja që mund të tregohet sot. Edhe teoria konfirmonte këtë mendim. “Së bashku me matematikanin Roger Penrose, tregova që nëse relativiteti i përgjithshëm i Anjshtanjit është i saktë, atëherë duhet të ketë një veçori ku e ka zanafillën koha”, thotë shkencëtari.
Universi filloi me “Big Bang”-un, për t’u zgjeruar më pas me një shpejtësi marramendëse. Ky fenomen quhet inflacion dhe me sa duket në kozmos, inflacioni ishte jashtëzakonisht i shpejtë: në një fraksion të sekondës universi i dyfishonte përmasat e tij shumë herë. Kështu, inflacioni e bëri universin të paanë, uniform dhe të sheshtë. Natyrisht jo të gjithin uniform, megjithatë vihen re variacionet e vogla nga njëri vend në tjetrin të cilat shkaktuan ndryshimin e temperaturave minimale, që sot kapen në rrezatimin kozmik. Ndryshimet bëjnë të mundur që disa zona të përhapen më ngadalë. Herët ose vonë zonat më të ngadalta nuk do të përhapen më, dhe kështu do të ngjishen duke formuar galaktika të reja, yje dhe sisteme diellore.
Me sa duket ekzistencën tonë ua detyrojmë këtyre ndryshimeve. Nëse universi i sapolindur do të kishte qenë uniform, nuk do të ekzistonin yjet dhe s’do të zhvillohej as jeta. Ne jemi produkt i luhatjeve të hershme kuantike. Megjithatë, sa më shumë u afrohemi përgjigjeve të këtyre pyetjeve të vjetra, aq më të mëdha bëhen misteret për t’i zgjidhur. Nga vijmë? A jemi qeniet e vetme të universit që bëjmë këto pyetje?