Një djalosh nga Britania e Madhe, i cili kishte ‘ngecur’ për 18 muaj në Abu Dhabi për shkak të fobisë së tij nga fluturimi me avion, arriti të kthehej më në fund në shtëpi vetëm pasi u hipnotizua në avion gjatë gjithë kohës së udhëtimit.
Joe Thompson, tashmë 12 vjeç duhej të kthehej në Britani me familjen e tij që muajin qershor të vitit që shkoi, kohë kur kishte përfunduar edhe kontrata e punës që babai i tij kishte në Abu Dhabi, por fobia e tij nga udhëtimi, përfshi edhe atë me anije apo makinë, që filloi të shfaqej në mars të vitit 2012 e bënte të pamundur kthimin e tij në shtëpi.
Në këtë mënyrë babai Joe u detyrua të qëndronte me të ndërsa e ëma ishte kthyer prej kohësh në Britani, ku punonte.
Gjatë muajve të qëndrimit në Abu Dhabi Joe e provoi disa herë të hipte në një avion, por secilën herë ai shpërthente në lot dhe refuzonte të fluturonte.
Joe arriti të kthehej në shtëpi, një vit e gjysmë pasi u shfaq fobia e tij ndaj udhëtimit, vetëm me praninë e hipnoterapistit të shquar me emrin Russell Hemmings, i cili e mbajti nën hipnozë gjatë gjithë kohës së udhëtimit.
“Jam shumë i lumtur që u ktheva në shtëpi. Mezi po pres t’i kthehem jetës time të mëparshme”, thotë i emocionuar 12 vjeçari, i cili falenderon pa masë hipnoterapistin që arriti të mposhtte fobinë e tij.