Ngelesat ne klase te Angela Merkelit

Ngelesat ne klase te Angela Merkelit
“Më besoni mua dhe më lini të bëj siç di vetë”. Logjika e kancelares gjermane Merkel po i njeh limitet e saj në krizën e thellë që vijon të mbysë Europën. Nëse ajo dëshëron të marrë mbështetje për politikën e saj, ajo duhet të komunikojë me të gjithë qytetarët europianë.

Më 16 maj 2010 Angela Merkel mbajti një fjalim, me rastin e kongresit të konfederatës së sindikatave gjermane, në Berlin. Në fakt kjo nuk përbën ndonjë lajm; kancelarja flet shpesh dhe shumë. Por konkluzioni i fjalës së saj në atë rast, shënon një ilustrim të qartë i një komunikimi të turbullt me gjermanët, në të cilin ajo endet prej kohësh.

Ajo doli pra para sindikatave, për të evokuar edhe një herë linjën e saj politike, me tonin e zakonshëm të pedagoges. Por në momentin kur po mbaronte fjalën, teksa fliste për daljen në pension në moshën 67 vjeçare, ajo lëshoi një ndër ato fraza me efekt që i përdor shpesh: Jam këtu për t’ju folur për realitetin, ashtu siç është në të vërtetë!

E thënë ndryshe: unë nuk e kam zakon të zbukuroj. Dhe këtu nisi gabimi i saj. Sepse duhej dikush tjetër për të folur me sindikatat. Por ja që në sistemin Merkel, nuk ka tjetër veç Angela Merkelit. Dhe ja si zbërthehet ky qëndrim në ditët e sotme, në sjelljen e gruas më të fuqishme të Europës.

Paralelisht, kancelarja po çon drejt fundit një program që mbetet ambicioz për karrierën e saj politike. me të njëjtin ton që dikush të ofron një kafe, ajo kumton publikisht se ka dëshirën që të rregullojë tregjet financiare, t’i japë Europës një formë të re qeverisjeje, të shpëtojë klimën dhe të sigurojë një të ardhme të pasur e të qëndrueshme për Gjermaninë, Europën dhe Perëndimin. Dhe në të njëjtën kohë, rrethi i atyre që i dalin zot kësaj linje, sa vjen e zvogëlohet çdo ditë. Ajo është sot anëtari i vetëm dhe i pazëvendësueshëm i ekipit të saj të punës.

Një numër gazetarësh evokojnë efikasitetin e saj të madh “kur punon me pak njerëz rreth e rrotull”. Por nëse ke ambicjen të reformosh Europën, nuk mund të punosh me këtë stil pune. Metoda rezulton shkatërrimtare, sepse produkti i saj është një “politikë kabineti”, një shembëlltyrë opake e absolutizmit të dikurshëm “të ndriçuar”; burra dhe gra me vlera dhe vizion, nga e gjithë Europa, që marrin vendime në dhoma të mbrojtura me dyer të rënda që mbyllen ngadalë. 
 
Përse nuk ka vajtur në Athinë

Kjo epokë i ka dhënë formë, jo pa shkak, një ere të re të shtetit-komb. Princat dhe këshilltarët e tyre fisnikë zakonisht ja kanë hedhur fajin vetëm borxhlinjve, në Europën e dikurshme, ku ata kanë bërë shumë “thagma” e gabime, me qeverisjet e tyre hermetike. Termi “qytetar”, ashtu si asokohe, edhe sot është burim sigure dhe qetësie për tregjet financiare. Ishin dhe janë qytetarët, garantët e të gjitha principatave të çdo kohe. Kancelarja priti krizën për të mbledhur qendrën e pushtetit politik rreth vetes. Por një ditë ose një tjetër, politika “Unë jam këtu...” nuk do të funksionojë më. Sidomos kur nuk je aty ku pritet të jesh.

Angela Merkel nuk ka bërë deri më sot një udhëtim në kryeqytetet e Europës së Jugut, për të shpjeguar pozicionin gjerman. Fare mirë ajo mund t’u thoshte atyre: miq, cila do të ishte zgjidhja për ju, që subvencionet të vijnë në të njëjtat kanale, si në vitet e shkuara, ndërkohë që të vetmit sektorë ku ka para në këtë moment, janë financat, sektori imobiliar dhe futbolli?!

Personat e moshuar mund ta imagjinojnë çfarë do kishte bërë Hans Ditrih Gensher në këto kushte. Ai do t’i zhvendoste zyrat e tij në Athinë, do të bëhej miku më i mirë i ministrit të jashtëm grek. Më pas, do bënte të njëjtën gjë në Romë, Madrid e Lisbonë, para se të kthehej sërish në Athinë nga e para. 
 
E çfarë doni më tepër?!

Shtetet e Bashkuara janë shembull në diplomacinë publike (politika e jashtme që u drejtohet drejtpërdrejt popujve të huaj). Një vend që shtyn Bill Klintonin dhe Xhorxh Bushin e vjetër, që të ndërmarrin rregullisht udhëtime jashtë vendit në periudha krize, nuk është aspak antipatik. Sidomos kur ata marrin me vete në valixhet e tyre, premtime për spitale, shkolla e centrale elektrike. Natyrisht, kjo politikë u kushton atyre miliona dollarë, por këto shuma janë gjithsesi më të pakta sesa qindra miliard eurot që kontribuesit gjermanë kanë vendosur tashmë në formë garancish në krizën e fundit financiare.
 
Po përse? Dhe për çfarë?

Qeveria nuk flet. Deputetët nuk kuptojnë ndonjë gjë të madhe. Vetëm një njeri sheh qartë. “Mund të bëjmë sikur gjithçka është e thjeshtë dhe e lehtë, por nuk është aspak ashtu”, tha ky njeri. Fjala është për Angela Merkel, e cila vijoi: “Kam investuar tashmë jashtëzakonisht shumë energji”. Pas disa vite të kësaj krize që po duket e përjetshme, kufizimet e metodës së saj të punës janë të prekshme dhe të dukshme për të gjithë. Nuk ka asnjë strategji të kancelares, në funksion të komunikimit publik, lidhur me krizën. Çka do të thotë se mungon edhe vetë strategjia politike, që lidhet me krizën. Duheshin identifikuar shtresat sociale që janë të interesuara për një Europë të integruar politikisht, që duan rritjen ekonomike dhe progresin teknik. Për shembull, klasat e mesme të etura për dije dhe kualifikim. Përreth Mesdheut ka qindra mijë prindër ë këtë moment, që i shohin fëmijët e tyre të shkolluar, të kualifikuar për punë, por të papunë.

Këta prindër janë aleatët logjikë të një politike të zgjuar reformash europiane. Po kush u thotë atyre ndonjë fjalë?!

Deri më tani, sa më shumë flitet për krizën, aq më shumë rradhët e atyre që punojnë për ta zgjidhur atë, rrallohen. Kjo të bën të mendosh për vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik. Atëhere, shoqëria civile ishte e dobët në perandorinë sovjetike. Por në Europën e sotme ky faktor është mjaft i fuqishëm. Mund t’u kërkohen disa gjëra europianëve të sotëm. Ekspertët e Boston Consulting Group – që s’mund të akuzohet si një organizëm i majtë – kanë përllogaritur se një taksim mesatar prej 20% mbi pasuritë personale të secilit, do e nxirrte Europën nga kriza. Mbetet të shihet nëse financimi i bankave do të vijojë të pranohet edhe në të ardhmen. Në do të hyjmë në një mënyrë krejt të re të të punuarit dhe jetuarit. Madje shumë shpejt. Duhet të përgatitemi për këtë. Por sërish duhet që AJO të thotë: Çfarë dëshëroni tjetër?! Vetëm kaq!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama