Ndërkohë që stendat me librat e kësaj letërsie ishin ato që ranë më shumë në sy me ngjyrat e ndezura të kopertinave të autorëve të huaj, dekorin e ngrohtë dhe personazhet e maskuar, në çastin e dhënies së çmimeve të gjitha ngjyrat e ndezura u bënë transparente dhe panairi u mbyll pa një çmim për letërsinë për të vegjël. Arsyeja, sipas organizatorëve, është që shtëpitë botuese nuk paraqitën asnjë titull para jurisë dhe arsyen e kësaj shkretie na e shpjegojnë vetë drejtuesit e shtëpive botuese.
“Jo se nuk ka botime të reja për fëmijë, ka shumë, por çmimi i jepet një autori shqiptar dhe ne libra të rinj nga një autor shqiptar nuk kemi”, thotë Redin Jegini, administrator i shtëpisë botuese IDEART. “Globalizimi bën të vetën, ne nuk mund t’i shpëtojmë kësaj prirjeje. Unë kam libra shumë të mirë të Mira Meksit, apo Arian Lekës, por ato janë botime të mëparshme. Dhe tani lexuesit tani preferojnë librat ndërkombëtarë, librat e autorëve shqiptarë nuk i tërheq tregu, kështu që dhe ne detyrohemi të mos botojmë të tillë. Unë kam botuar kolanën e librave të Oxford-it, për shembull, që janë shumë të suksesshme dhe vështirë të krahasohen me letërsinë shqiptare sot, e cila gjithashtu është dhe e varfër. Ka shumë pak autorë që shkruajnë letërsi për fëmijë. Viktor Canosinaj është një prej tyre, por janë shumë pak”. Dhe në të vërtetë, në mjediset e panairit, Viktor Canosinaj ka një stendë me botimet e tij: letërsi për fëmijë dhe për të rritur, por ai të gjitha botimet e tij prej 3-4 vitesh i boton individualisht nëpërmjet shtypshkronjës së tij dhe nuk ka marrëdhënie me shtëpitë botuese.
Dukuria e pothuajshterimit të letërsisë për fëmijë nga autorët tanë, nuk u shfaq për herë të parë këtë vit. U bënë vite tashmë që botimet e autorëve shqiptarë për fëmijë janë pothuajse në zhdukje. Edhe vitin e kaluar, panairi e pati të vështirë të jepte një çmim të parë për një autor të kësaj letërsie dhe prandaj çmimi iu dha jo një autori, por një reviste, të titulluar “Grup”, që botohet nga shtëpia botuese ‘Albas’. Edhe këtë vit, në stendën e ‘Albas’, reklamohej revista “Grup”, por sigurisht hapësira dominohej nga dhjetëra botime luksoze për çdo etapë të fëmijërisë, të gjitha me autorë të huaj.
“Ne si ‘Albas’, lexuesit të vogël jemi munduar t’i sjellim më të mirën e letërsisë europiane, duke ndjekur panairet më të mëdha të kësaj letërsie, siç është ai i Bolonjës, ku mundohemi të zgjedhim ajkën e letërsisë për fëmijë. Kemi libra informues apo psikologjikë për lexuesin prind sa lind fëmija, si për shembull libri ‘Bebushi erdhi në shtëpi’ dhe pastaj libra për vetë fëmijët në çdo etapë: libra elektronikë zhvillues për fëmijët e vegjël, që ende nuk dinë të lexojnë, me drita dhe tinguj zanorë, libra për moshën 6-7 vjeç, kemi një kolanë për lexuesin 8-9 vjeçar, që titullohet ‘Një familje e paparë’, është letërsi franceze dhe në këtë panair ka pasur vërtet një sukses të paparë, gjë që na siguroi se kishim bërë zgjedhjen e duhur, pasi është botim i ri, ashtu si kemi dhe libra për fillimin e adoleshencës, informues dhe të dobishëm për këtë moshë siç është ‘Seksi për të rinjtë’, me pyetjet dhe përgjigjet që duhet të dinë të rinjtë.” Për sa i përket arsyes se pse mes këtyre botimeve nuk ka autorë shqiptarë, botuesi Latif Ajrullari, i “Albas”, thotë:
“Ndoshta unë nuk jam specialist për ta shpjeguar këtë dukuri, por nga përvoja e gjatë, në fillim me librat shkollorë dhe tani edhe me librat për fëmijë në moshë parashkollore, ose libra artistikë për fëmijë, mund të them se ka mungesë prurjesh nga autorët shqiptarë, ose joprofesionalizëm. Dihet që shtëpitë botuese janë pjesë e ekonomisë së tregut dhe ne e kemi më të lehtë të përkthejmë letërsi të huaj, e cila ofron një gamë të madhe zgjedhjeje, sesa të mbështesim një autor shqiptar. Por nga ana tjetër, ne jemi shqiptarë dhe duhet të kemi edhe autorë shqiptarë. Prandaj mendoj se shteti duhet të bëjë diçka në këtë drejtim, të mbështesë autorët shqiptarë që ata të jenë të konkurrueshëm”, thotë Ajrullari.
Megjithatë, konkurrueshmëria me botimet më të suksesshme në botë është mision i pamundur, sipas të gjitha gjasave. “Unë kam sjellë tre libra të David Williams, botime të 2011-s dhe të këtij viti, të cilat janë librat më të shitur për fëmijë në Angli dhe që po ecin edhe këtu. Kush më garanton mua që një libër i një autori shqiptar do ketë të njëjtin sukses?”, thotë Ylli Molla i shtëpisë botuese “Botart”, i cili i referohet edhe përvojës personale, kur botimet e një autori shqiptar, Luan Përzhita, në ndihmë të njohjes së historisë së antikitetit, për të cilën, sipas Mollës, kanë nevojë nxënësit e ciklit 9-vjeçar, nuk kanë gjetur asnjë mbështetje nga Ministria e Arsimit, për t’u sugjeruar në programin shkollor.
Një problem tjetër që nxjerrin shtëpitë botuese shqiptare për librat për të vegjël është dhe ai i ilustrimeve, të cilat janë shumë të rëndësishme për lexuesin e vegjël dhe bëjnë diferencën mes atyre pak botimeve të autorëve shqiptarë me një pamje të varfër dhe botimeve bashkëkohore plot shkëlqim, ngjyra dhe ide të autorëve të huaj. “Problemi ynë kryesor janë ilustrimet. Kemi shumë vështirësi që të gjejmë persona që t’i realizojnë.
Ne do botojmë një libër të Gaqo Bushakës në shkurt ose në mars, që e kemi shtyrë vetëm për shkak të ilustrimeve. Por jo vetëm kaq, është dhe çështja e kostove, ne nuk pranojmë autorë shqiptarë, sepse lexuesi ynë nuk i preferon dhe ata nuk shesin. Nga ana tjetër, kjo dhe i demotivon autorët”, thotë Loreta Berhami e shtëpisë botuese “Pegi”. “Krijohet një vorbull negative që jep këtë rezultat. Ne na kanë ardhur gjithsej dy-tre propozime, mund të kemi pranuar një, dhe ai një nuk shet, kjo është gjendja”, mbyll ajo shpjegimin e qartë dhe unison të botuesve për sa i përket letërsisë shqiptare për fëmijë. Që këtë vit u përfaqësua pak në Panair dhe aspak në listën e çmimeve.