Lonely Planet dhe Ekspertët e CNN e renditën Shqipërinë në 10-eshën më të mirë, ndërsa agjencitë e udhëtimit po tregonin një interes gjithnjë e në rritje. Mirëpo kjo frymë pozitive për turizmin për vendin tonë nuk është më e tillë pas datës 21 janar. Shoqata Shqiptare e Turizmit jep sinjale të dhimbshme, në lidhje me këtë fakt. Që pas 21 janarit janë ulur dukshëm udhëtimet për në vendin tonë dhe nga ana tjetër, agjencitë kanë anuluar prenotimet e bëra. Gjatë vitit që lamë pas, sektori i turizmit zinte rreth 14 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në buxhetin e shtetit dhe zhvillimi i tij mund të konsiderohet si një ndër faktorët më të rëndësishëm, që bëri të mos ndihej kriza globale në vend. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, para pak ditësh tha se, risku politik është bazë në riskun e vlerësimit të ekonomisë shqiptare, që do të thotë që kjo është bazë e objektivit të monitorimit nga agjentët ndërkombëtarë, investitorët e huaj dhe ata shqiptarë.
Është një notë për Shqipërinë”, - vijoi argumentin e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duke nënkuptuar se imazhi i pamjeve të 21 janarit, që shëtiti gjithë botën, nuk është i lehtë të harrohet. Të njëjtin gjykim kanë edhe ekspertët e ekonomisë, të cilët argumentojnë se demonstrata e 21 janarit do të ketë precedentë negativë në interesat afatgjatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata mendojnë se zhvillimet e paprecedenta politike, në demonstratën e 21 janarit, janë një zhvillim negativ dhe që kanë dëmtuar në mënyrë serioze interesat ekonomike afatgjata të Shqipërisë. Sipas tyre, ndikimi më i parë do të jetë një përkeqësim edhe një herë i imazhit të vendit dhe që për rrjedhojë mund të ndikojë në të ardhmen në sektorin e turizmit dhe në investimet strategjike, si të investitorëve të huaj dhe atyre vendas.