Dy kullat me lartësi 260 dhe 300 metër lidhen me njëra-tjetrën me një “re të shpupurisur” diku në gjysmën e lartësisë së tyre, duke të sjellë ndërmend dy kullat binjake në flakë. Projekti luksoz që pritet të përfundojë në vitin 2015 është një kompleks rezidencial që mban emrin “The Cloud” (Reja). Njëra kullë ka 54 kate dhe është e lartë 260 metër, ndërsa tjetra arrin në 300 metër me 60 kate. Sipërfaqja totale e saj arrin në 128,000 metër katror.
Zona e emërtuar “Reja” përbëhet nga 10 kate dhe gjendet afërsisht në mes të dy strukturave. Ajo bën bashkimin e dy kullave me njëra-tjetrën dhe në sipërfaqen e saj janë parashikuar palestra, pishina, restorante, bare dhe salla konferencash. Studioja arkitekturore holandeze që ka hartuar projektin ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat, pas shpërthimit të stuhisë mediatike.
“MVRDV është thellësisht e keqardhur për çdo lloj ngjashmërie që mund të risjellë në kujtesë 11 shtatorin. Nuk ka qenë aspak qëllimi ynë krijimi i një imazhi që ngjan me sulmet terroriste dhe nuk e kemi venë re ngjashmërinë për asnjë moment gjatë procesit të dizajnimit. U kërkojmë falje të gjithë atyre që mund të jenë lënduar”, thuhet në deklaratën zyrtare të studios arkitekturore MVRDV.