Ngjela Rama ka ngrire politiken Moore sberi as fotografi me te

Ngjela: Rama ka ngrire politiken, Moore s'beri as fotografi me te

Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se humbja e statusit të vendit kandidat në BE mund të vijë nga ftohja që qeveria ka krijuar me SHBA-të pas refuzimit të armëve kimike.

Si e vlerësoni punën e qeverisë dhe reformat e saj?


Nëse nuk goditen në mënyrë drastike klientelat, sepse ato kanë shkatërruar tregun, nuk kam asnjë shpresë për të bërë shtet ligjor. Çdo gjë mund të ndodhë, mënyra se si bëhet nuk më pëlqen sepse nuk ka reforma. Reforma në drejtësi duhet të ishte doktrinë dhe këtë duhet ta kishte nxjerrë ministri i Drejtësisë dhe ta kthente në ligj. Si do bëhet kjo, duke ndryshuar njërin dhe vendosur tjetrin? Jooo, e rëndësishme është se çfarë qëndrimi do mbash për KLD-në. Çfarë qëndrimi do mbash për mbrojtjen e gjyqtarëve, për denoncimet e qytetarëve, për akuzën. Kush do bëjë akuzën. Hupja do t’i ngrejë akuzë Shupes?! Dhe Shupja do lirojë Hupen?! Nuk ka seriozitet për reforma, maxhoranca ka 85 deputetë.

Çfarë note do t’i vinit qeverisë?


Në lidhje me reformat notën zero. Nuk kanë filluar. Asnjë reformë, as në sistemin fiskal, i cili ka mundësi të dështojë. Sot bëhet pyetja: Sa shumë para ke mbledhur në buxhetin e shtetit? Nëse ky ka mbledhur më pak para se Saliu, atëherë është më i korruptuar se Saliu. Ka marrë fund kjo! Të jemi realistë, Saliu mblodhi më shumë se Nano. Problemi është shumë i thjeshtë: Përse na bezdis me populizma dhe me fiksione që as vetë nuk di t’i shpjegosh?! Mua nuk më duhet se çfarë skeme do zgjedhësh ti për fiskun. Ti je i detyruar të më thuash se mblodha 30 apo 40% më shumë se qeveria e korruptuar që rrëzuam. Ndryshe ke ikur dhe ke dalë bllof.

Mos ndoshta pritshmëritë tuaja janë të tilla se nuk jeni përfaqësuar në qeveri?


Pse i keni parë ju këto reforma? Unë nuk shoh reforma. Janë tri reforma dhe nuk ka asnjë nga këto reforma të filluara. Një reformë është në treg, ku asgjë nuk duket deri tani, në drejtësi dhe tjetra në arsimin e lartë. Tregu po sundohet nga diplomat false të këtij arsimi! Unë nuk po them se ka filluar tani, por kjo situatë kërkon reformë. Diplomat false po dëmtojnë administratën publike, kur ministri merr 7 veta nga fshati i tij me diploma nga një universitet fantazmë. Dija është pronë e intelektit të lartë dhe jo intelektit të ulët. Në intelekt nuk ka barazi, se shkojmë në kohën e Enver Hoxhës.


Cila është marrëdhënia juaj aktuale me Edi Ramën?


Unë nuk kam marrëdhënie politike.

Prisni diçka nga Edi Rama?


Unë nuk pres diçka, unë bëj marrëveshje. Unë nuk jam njeri që dominohem. Po të bësh marrëveshje me mua do pranosh doktrinën time, ashtu siç e ka pranuar një herë dhe nuk e pranoi më.

Marrëveshja juaj ishte për…?


 Ishte për shtetin! Për ministër Drejtësie? Po patjetër, se unë s’mund të jem ministër i Bujqësisë. Unë kam bërë doktrinë për shtetin. Unë nuk iki për të marrë një rrogë, se nuk kam nevojë për rrogë që të tallet opinioni publik me mua. Mua më shqetëson fakti që nuk ka reforma. Ha Muço, pi Muço! Marrin rrogat dhe ikin. Nuk shoh që të bëhet shtet. Qeveria ka pësuar goditje nga politika amerikane. Erdhi Moore, nuk e takoi. A patë gjë ndonjë fotografi? Pse? Sepse Rama ka ngrirë politikën. Nuk mund të ecë Shqipëria kështu. Mund të rrezikojë statusin. Nëse e humbim statusin, ta dijë se kjo vjen nga ftohja me politikën amerikane. Mungesa e eksperiencës dhe oreksi i madh të lë pa ngrënë.

A jeni aleat i Edi Ramës?


Po aleat jam, por nuk e mbështes në këtë rrugë pa reforma.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama