Pallati 8 katësh në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë vazhdon të qëndrojë i rrethuar nga policia, ndërkohë që operacioni i shembjes ka mbetur pezull. Nga njëra anë është inspektorati i ndërtimit që ka rrethuar objektin luksoz duke mos lejuar më as familjarët të hyjnë në banesat e tyre dhe nga ana tjetër janë pronarët dhe avokatët mbrojtës të cilët kërkojnë nga Prokuroria dhe Gjykata të ndërhyjnë ligjërisht që të zbatohet ligji.
Kallëzimi penal
Avokati mbrojtës i familjarëve që janë blerë hyrje në atë godinë, ndërtuar vetëm 1 vit më parë, Maks Haxhia, i tha dje gazetës “Shekulli” se ka i kallëzuar penalisht Policinë e Shtetit dhe INUK-un për veprimet arbitrare dhe shkeljen e të drejtës themelore të njeriut që lidhet me pronën. Ndërsa, i kontaktuar nga “Shekulli”, kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti, ka refuzuar të komentojë në lidhje me këtë fakt, duke postuar të drejtën për të folur në një tjetër instancë. Çështja e këtij pallati duket se komplikohet për shkak të marrjes së lejes së shfrytëzimit anga pronarët e pallatit dhe shitjen e hyrjeve. Janë 38 shtetas të cilët kanë hedhur paratë për të blerë banesa në ndërtesën e lokalizuar me shiritin e verdhë të vendngjarjeve, ku nuk lejohen të hyjnë që pasditen e së dielës. Ata janë shprehur të indinjuar me veprimet e policisë, ndërkohë mësohet se ditën e djeshme ekspertët e INUK-ut kanë marrë në dorë dokumentacionin e ndërtimit dhe po e studiojnë. Deri në daljen e konkluzioneve mbi bazën ligjore të objektit, inspektoriati ka ngrirë veprimet për shembjen e tij. Sipas të dhënave nga Vlora, policia po mban nën mbikëqyrje objektin buzë detit që të mos hyjnë banorët brenda, derisa të ndërmerret një tjetër vendim për pallatin që konsiderohet i Lulzim Bashës.
Avokati: Pallati me leje, s`mund të shembet
Maks Haxhia, personi që flet në emër të 38 shtetasve të cilët i kanë besuar të mbrojë çështjen e tyre të banesave që janë blerë në atë pallat në Ujin e ftohtë, shprehet tejet i indinjuar me veprimet e INUK-ut dhe të Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër Haxhia vijon të besoje tek shteti i së drejtës pasi ai është i bindur se po shkelet ligji dhe të drejtat e njeriut dhe për këtë saktëson se i është drejtuar dje Prokurorisë me një kallëzim penal pikërisht për veprimet arbitrare të INUK-ut dhe të policisë. Në prononcimin e tij për “Shekullin” Haxhia e vë theksin në faktin se banorët e pallatit kanë të gjithë dokumentacionin e duhur: “Janë të dokumentuara pronësia mbi truallin, leja e ndërtimit, leja e sheshit të ndërtimit, realizimi i ndërtimit, pagesa e gjithë taksave, kontratat mes shtetasve dhe investitorëve, kontrata e shtetasve dhe bankës që i ka financuar në formë kolaterali, ku kanë vënë atë apartament që kanë blerë. Pas kolaudimit është bërë dhe hipotekimi i pallatit”. Haxhia vëren se pronarët e ndërtesës kanë vënë në dispozicion të INUK-ut gjithë dokumentacionin e kërkuar ndërsa këta të fundit nuk kanë paraqitur para banorëve dhe pronarëve asnjë lloj dokumenti ku janë të urdhëruar të ndërhyjnë për të mos lejuar familjarët dhe shtetasit që kanë blerë hyrjet në ambientet e tyre. Haxhia saktëson se janë pesë familje që banojnë aktualisht në këtë pallat, ndërsa të tjerë i kanë shtëpi të dyta dhe se nuk është problem çështja e strehimit të tyre. Por pesë familjet që banojnë aty që kur i kanë blerë apartamentet e deri mbrëmjen e djeshme, janë aktualisht në mëshirë të fatit, pasi policia nuk i lejon të kthehen në banesat e tyre.
Vjehrri i Bashës, aksioner, Gjika firmosi lejen
Avokati mbrojtës i shtetasve që janë përzënë nga pallati në Ujin e Ftohtë në Vlorë i përgjigjet edhe pyetjes se çfarë lidhje ka kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, me atë ndërtim që tashmë ka hyrë në listën e “zezë” të shembjeve. Haxhia saktëson se vjehrri i Bashës është person juridik më vete dhe ai ka të drejtën që brenda ligjeve të shtetit të ndërtojë edhe ai. “Po, meqë është vjehrri i Bashës, ai nuk duhet të ndërtojë?!” Sipas të dhënave, mësohet se ai është një prej aksionerëve të atij pallati dhe është e dokumentuar gjithë veprimtaria e tij në atë ndërtim ashtu siç edhe e bashkëpronarëve të tij. Xhaferr Isufi, i cili rezulton të jetë edhe vjehrri i kreut të PD-së, Lulzim Basha, mësohet se është bashkëpronar trualli, ndërsa mësohet se leja për ndërtimin e këtij objekti është dhënë në KKRT në vitin 2010. Madje, ka qenë vetë Shpëtim Gjika, që ka konfirmuar pak kohë më parë këtë fakt, duke bërë me dije se leja për këtë ndërtim është dhënë kur këshilli bashkiak ishte me shumicë të djathtë.
Leja
Ndërtesa që është kthyer prej shumë ditësh në mollë sherri mes institucioneve ka marrë viston për ndërtim në mbledhjen e KRRT-së së Vlorës me 17 gusht të vitit 2010. Në dokumentacionin e asaj mbledhje vërehet se atë ditë janë shqyrtuar plot 149 vendime prej të cilave vetëm 15 prej tyre nuk janë miratuar ndërsa gjithë të tjerat kanë marrë miratim në Këshillin Bashkiak të qytetit bregdetar. Për objektin në fjalë saktësohet se: “Miratohet shesh ndërtimi për objekt banimi dhe shërbimi 1-3-4 kate+papafingo në lagjen Uji i Ftohtë, në përëndim të rrugës “Aleksandër Moisiu” me pronarë trualli Xhuvi Serxhi dhe Xhafer Isufi”.
Mirëpo, pasi u ndërmor aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje, aksion i nisur me ardhjen e qeverisë së re, ishte vetë kryebashkiaku i Vlorës i cili tha se do të vihej në krye të operacionit për të shembur të gjitha ato ndërtime pa leje. Njëkohësisht, teksa flitej për një mori emrash që posedonin objekte luksoze në atë bregdet, të cilët rezultonin pa leje ose ishin falsifikuar dokumentet, një prej pallateve që u përfol si i tillë ishte edhe ai që thuhej se ishte “pallati i Bashës”. Në një prononcim për mediat vetë kryebashkiaku i cili tashmë është i vënë nën hetim për dy leje të tjera ndërtimi theksoi: “Unë si kryetar bashkie nuk interesohem se kujt i përkasin pallatet e ndërtuara në zonën administrative ku unë jam kryetar bashkie. Ato mund të jenë pallatet e kryetarëve, të kunetërve dhe të vjehrrave dhe mua nuk më intereson përkatësia e tyre. I vetmi interes për mua është nëse janë në përputhje me ligjin apo jo. Unë di që për këtë objekt që informohem është dhënë leje ndërtimi nga KKRT-ja e qarkut në vitin 2010 që aso kohe përbëhej me shumicë anëtarësh nga Partia Demokratike. Unë kam ardhur në krye të bashkisë së Vlorës sërish në vitin 2011 dhe afër mendjes nuk kam asnjë lidhje me këtë objekt. Po të kisha qytetarët do të më ndëshkonin me votë”.
Tahiri mbledh vendorët, merr pjesë Gjika
Me dyer të mbyllura është realizuar ditën e djeshme një takim i Ministrit Tahiri me bashkiakët e majtë, me krerët e policisë në Qarqe dhe prefektët e vendit. Në fokus të takimit ishin ndërtimet pa leje dhe detyrat që duhet të ketë çdo funksionar lokal, për të identifikuar të gjitha ndërtimet pa leje. Zyrtarisht zëdhënësi i dikasterit të brendshëm, Florion Seriani, informon se është kërkuar një bashkëpunim i fortë mes kreyebashkiakëve dhe policisë së shtetit kryesisht në fushën e emergjencave civile, sidomos për qarqet që janë problematike për periudhën e dimrit. Gjithashtu mësohet se në takim është folur edhe për sigurinë rrugore.
Në takim Gjika, mungojnë të djathtët
Në takimin e zhvilluar ditën e djeshme nga Ministri Tahiri është parë shumë larg mundësisë për tu filmuar apo fotografuar Shpëtim Gjika, kryebashkiaku i Vlorës, i cili ka mbërritur në Tiranë për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimin mes organit vendor dhe Policisë së Shtetit. Por, ndërsa dyert janë mbyllur për mediat, mësohet se në këtë takim nuk kanë marrë pjesë asnjë prej kryebashkiakëve të djathë. Të pranishmit bëjnë të ditur se të djathtët e kanë bojkotuar këtë takim, ndërsa vetë të djathtët mohojnë të kenë patur ftesë prej organizatorëve. “Shekulli” kontaktoi dy prej kryebashkiakëve të djathtë, atë të Shkodrës dhe të Kamzës dhe që të dy pranuan se nuk kanë patur ftesë dhe nuk ishin në dijeni të ndonjë takimi me Tahirin. “Unë nuk kam patur ftesë dhe në dijeni time dhe aq sa kam unë informacion në takimin e thirrur nga Ministri i Brendshëm kanë qenë të ftuar vetëm prefektët dhe kryepolicët e qarqeve. Unë këtë konstatova edhe në disa media të cilat dhanë lajmin e takimit. Nëse kanë qenë edhe kryetarët e bashkive të tjera dhe më kanë përjashtuar mua apo të djathtët, atëherë është problemi i tyre”, tha Lorenc Luka, kryetari i Bashkisë së Shkodrës.
Kryebashkiaku i Durrësit
Vangjel Dako, njeriu që drejton bashkinë e Durrësit për të dytin mandat ka qenë një prej të pranishmëve në takimin me dyer të mbyllura që është thirrur nga Saimir Tahiri. Në prononcimin e tij për “Shekullin”, Dako vuri theksin pikërisht në bashkëpunimin që duhet mes pushtetit vendor dhe instancave të tjera, kryesisht policisë për të evidentuar dhe identifikuar të gjitha ndërtimet pa leje nëpër zonat ku ata drejtojnë. Madje sipas Dakos në takim është folur edhe për rëndësinë që do të ketë ky bashkëpunim sidomos për zonat malore për të kapur në kohë gjendjet e zonave më problematike të cilat rrezikojnë të bllokohen. “Një bashkëpunim reciprok mes të gjitha strukturave që funksionojnë në një pushtet vendor, kur sigurisht peshën më të madhe e kemi ne dhe policia e shtetit”, përmblodhi Dako takimin e djeshëm.
Berisha: Antiligji kundër ligjit
Ndërhyrjen e INUK-ut dhe të Policisë për të shembur pallatin në “Ujin e Ftohtë” e ka komentuar në Facebook edhe ish-kryeministri Berisha. Duke e konsideruar antiligj që vepron kundër ligjit Berisha ka vënë theksin mbi faktin se ky akt është fytyra e vërtet e shtetit policor të Edi Ramës: Një akt banditesk shtetëror i pashembullt në Europën e sotme po zhvillohet para kamerave televizive në Vlorë. Me urdhër të Edi Ramës, Policia në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, si një bandë socialiste, prej më shumë se 24 orësh ka rrethuar me shiritin e zonës së krimit një pallat në qytetin e Vlorës. Ajo nuk lejon banorët e pallatit të hyjnë në apartamentet e tyre ku banojnë dhe që i kanë të blera e hipotekuara në përputhje me të gjitha ligjet e vendit. Pallati është ndërtuar me leje, në pronë private, me kredi bankare dhe është hipotekuar konform rregullave të shtetit. Krimi i vetëm i pallatit është se njëri nga investitorët e tij ka qenë vjehrri i kryetarit të PD, kundërshtarit të Edi Ramës, të cilin ky i fundit e urren për vdekje. Ndaj dhe dënon kolektivisht të gjithë banorët e pallatit”.
Basha: Po përligjni vetëgjyqësinë e qytetarëve
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, duke folur para deputetëve të PD-së, ka komentuar indirekt bllokimin e pallatit në Vlorë. Basha ka vënë theksin pikërisht në faktin se kjo qeveri duke prekur pronën e qytetarëve po nxit vetëgjyqësinë: “Opozita paralajmëron sërish, që një qeveri që angazhon në punën e saj, paligjshmërinë sistematike dhe metodat e mafias, nuk mund të jetë më qeveri, por një bandë me veshjen e pushtetit. Ndërhyrja arbitrare kundër të drejtave themelore, kundër pasurisë dhe pronës së qytetarëve dhe paligjshëmëria si sjellje konstante e qeverisë përligjin vetvetiu dhe në mënyrë të rrezikshme vetëmbrojtjen e qytetarëve, kultivojnë në shkallë të gjerë vetëgjyqësinë, çfarë nuk duhet të jetë kurrë qëllimi i një shteti”.