Nikoll Lesi Burg per nja dy ministra

Nikoll Lesi: Burg per nja dy ministra

Nikoll Lesi, zëvendësministri rebel i Qeverisë në ikje dhe kryetari i LDK-së komenton zgjedhjet e qershorit: rezultat befasues, por kishte ardhur koha që të ndryshonte pushteti. Korrupsioni galopant, pandëshkueshmëria e tij, përqëdrimi i pushteteve dhe listat e gabuara të PD-së, ndër shkaqet e humbjes. Gazetari politikan tregon sesi u vra mbas shpine vota e tij dhe e partive të vogla nga aleati PD. Dhe një histori brilante talljeje me një ministër servil, me flokë jo të zinj, që e spiunoi tek Berisha. Nuk ja përmend emrin, por thotë se e dinë të gjithë kush është servili që tregoi se Lesi do të kandidonte për kreun e PD-së


Tani që zgjedhjet përfunduan, si do ta komentonit rezultatin e partisë tuaj duke pasur parasysh edhe një akuzë që ju vetë keni bërë publike për grabitje të votave të saj në Tiranë e gjetkë?


 Po përgjigjem me mënyrën tuaj sepse më ngjan se po kërkon të bësh humor: jam duke kërkuar dhe nuk kam gjetur ende votën e vjehrrit dhe vjehrës sime, të cilët votuan për partinë time, por nuk ju del gjëkundi vota në procesverbale. Nami, nami është bërë me votat e partive të vogla sapo numëruesit e PD-së morën vesh që kishte mbërritur humbja për ta. Ditën e hënë në darkë dhe të martën filloi pazari: kush paguan më shumë merr votat e filanit! Tashmë, ta marrësh këtë punë me të qarë duket dhe komike. Dhe unë e mora me humor të zi gjithë këtë që ndodhi. Për shembull, në gjithë Kavajën dhe Rogozhinën kisha një shtab elektoral me rreth 85 vetë. Në procesrverbale kishin katandisur vetëm dy vota. Kisha një marrëveshje politike me PD-në që do të më mbronte votat e mia, por edhe të dielën e votimeve në darkë nuk më dhanë asnjë autorizim për vëzhgues të mi për të ruajtur votat e mia. PD la vetëm PR dhe PDIU dhe një parti tjetër nga spektri demokristian që të ishin prezente në këtë proces, edhe në numërimin e votave të mia. Si parti aleate unë pyesja vëzhguesin e Fatmir Mediut: Aman, a mi ruan dot votat e mia?! I kërkoja ndihmë ujkut! Ka komicitet më të madh se ky? Edhe pazari i Milotit është më serioz në krahasim me atë që ju bë votave të partive të vogla dhe sidomos aty ku unë isha në garë, në qarkun e Tiranës. Për të qenë deri në fund korrekt, nuk pretendoj se kam marrë mjaftueshëm vota sa për të siguruar mandatin e deputetit, ndonëse edhe për këtë gjë nuk jam fort i sigurt, por një vjedhje të tillë nuk e kisha provuar që nga maji i vitit 1996. Një kolegu ynë gazetar më pyeti këto ditë nëse do të rifutesha sërish në gara të tilla në këto lloj kushtesh. Ju përgjigja tre herë pa hezitim: Jo! Jo! Jo! Nëse nuk ka votim dhe numërim elektronik votash nuk ja vlen më një sport i tillë.
 
A ishte befasues për ju rezultati dramatik që e djathta mori në këto zgjedhje?


Në një farë mënyre ishte vërtet befasues, ndonëse kishte ardhur dhe në fakt kishte kaluar koha për të ndryshuar pushtetin. E kam thënë edhe më parë, që shumë kohë përpara zgjedhjeve dhe e kam pohuar publikisht se duhej ndryshuar në mënyrë urgjente dhe drastike qeverisja. Duheshin ndëshkuar një apo dy ministra me burg dhe po kështu, në gjithë hierarkinë shtetërore kishte nevojë për kyçje prangash për këdo që kishte vjedhur dhe bërë korrupsion galopant. Nga pikëpamja e korrupsionit dhe tangërrlikut qeverisës, mandati i dytë ishte skëterrë. U morën pothuaj të gjithë pushtetet dhe maxhoranca u mbingarkua aq sa nuk i mbanin më këmbët. Një tjetër faj që është vetëm i zotit Berisha dhe i askujt tjetër, mbetet dhe vendosja në lista e kryetarëve të partive të vogla. Bile dy prej tyre i gjeta duke bërë plazh në Shëngjin se e kishin të sigurtë mandatin e deputetit, pasi ishin tek lista e sigurtë. Po ashtu dhe përfshirja në to e disa deputetëve të PS-së, gjë që solli dhe një lloj hakmarrjeje nga vetë votuesit e djathtë. Edhe disa emra të tjerë nga PD kishin probleme me elektoratin dhe nuk manifestonin asnjë lloj frymëzimi elektoral, përkundrazi. Kështu që ishte e pritshme ajo që ndodhi, por jo në atë përmasë që ndodhi. Por nga ana tjetër nuk mund të mohoj disa punë që janë bërë realisht dhe kryesisht në infrastrukturë.
 
Cilat janë shkaqet e rënies së PD-së dhe pse fitoi PS-LSI sipas këndvështrimit tuaj?


Disa shkaqe i përmenda dhe më parë, por e thënë shkoqur do të thosha: Kishte ardhur koha për fundin e epokës Berisha. Nuk shtyhej më! Kjo epokë ka nevojë të studiohet dhe hulumtohet, por më vonë. Bashkimi Rama-Meta na dërmoi tërësisht. Përbashkimi ishte veprimi më i mençur i tyre. Mirë do të ishte të isha bashkuar dhe unë me ta, zoti Rama më bëri ftesë, por gjykova se nuk duhej të lëvizja nga fronti ku isha rreshtuar. Mendova se njeriu “bie në betejë” dhe nuk zgjedh të ikë me vrap. E keqja ishte se më vranë mbas shpine të mitë e PD-së duke më vjedhur votat. Ato që kisha. Tani që po të përgjigjem në intervistë, po shoh horizontin se me çfarë duket Rama e Meta nuk do ta lëshojnë për nja tetë vjet. Si shume rozë duket qielli!
 
Keni humbur disa baste publike në lidhje me zgjedhjet e qershorit. Jeni penduar që refuzuat ftesën e të majtës për bashkëpunim paraelektoral me të duke e zëvendësuar, siç keni thënë vetë, me një ofertë të minutës së fundit nga koalicioni i djathtë?


Nuk kishte asnjë ofertë. E vetmja gjë ishte që të konkuronim gjithë kryetarët e partive njëlloj e jo disa në listë e ne të tjerët jashtë liste dhe të na përlanin votat! E çfarë rëndësie ka tani pendesa? Por natyrisht nuk kam asnjë arsye që të rri me frikë si disa të tjerë, ministra apo zyrtarë të lartë, që kanë përlyer duart me korrupsion që sapo të dëgjojnë një sirenë policie, do të kujtojnë se po shkojnë t’i arrestojnë. Jam i lirë në lirinë time për të thënë atë që mendoj. Për momentin, së bashku me bashkëshorten time po i gëzohemi ardhjes së dy djemve nga shkolla dhe rezultateve të tyre të shkëqyera. Dhe mos e harro, bëhet fjalë për shkolla britanike.
 
Cili do të jetë qëndrimi juaj politik dhe e nesërmja e forcës tënde politike mbas shtatorit kur të konstituohet Kuvendi i ri?


Për momentin po mendohem. Nuk mund të gaboj për së dyti.
 
Si e parashikoni mandatin e të majtës, do të ketë jetëgjatësi e sukses në qeverisje apo e kundërta?


Nesë do të ketë qëndrueshmëri politike mes Ramës dhe Metës shkojnë pa frikë tek 8 vjetët e qeverisjes së përbashkët. Dhe natyrisht, edhe nëse ju qëndrojnë korrekt premtimeve të bërë në fushatë.
 
Pati komente që edhe ju do të kandidonit për kreun e PD-së. Do të ndodhë? Si e gjykoni të nesërmen e lidershipit të PD-së dhe garën për kryetar të saj.


Më ler të qesh njëherë, të lutem. Të paska ardhur dhe ty ky lajm? Në fakt kjo gjë tani po qarkullon si barsaletë nëpër Tiranë. Për t’u tallur i them pak ditë më parë një ministri të PD-së, që nuk ka flokë të zinj, se isha pranuar si antar i PD-së në qytetin e Lezhës. Duke e ditur që është servil i jashtëzakonshëm dhe për ta futur tamam në rrjetë, i kërkova që të mos e fliste me askënd për planin tim për të kandiduar për kreun e PD-së sepse do ta shpallja në minutën e fundit një gjë të tillë duke premtuar se duke zëvendësuar Berishën do ta sillja PD-në në pushtet për dy vjet duke organizuar protesta. Më premtoi që nuk do të fliste me askënd, por unë e dija se do të shkonte me vrap për të raportuar tek vendi i zakonshëm. As një orë më pas, një tjetër ministër që organizon punën e lidershipit të ri në PD, më merr në telefon dhe filloi ta sjellë muhabetin rrotull duke më thënë se nuk do të më pranonin në kandidim.

Se nuk do të pranonin të kandidonte asnjë kryetar partie tjetër nga koalicioni edhe sikur të ishte pranuar një ditë më parë në PD. Nuk u mërzita natyrisht për spiunimin. Ministri servil kishte raportuar në mënyrë korrekte çfarë i isha tallur në sy. Por tani duke folur seriozisht mund të them se kandidaturat më popullore ndër demokratët janë vetëm dy: Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Nëse këta të dy bëjnë garë të ndershme dhe bien pararakisht dakort që humbësi në garë të bashkohet me atë që do të fitojë, PD do ta rimarrë veten shumë shpejt. Basha është lider i lindur, kurse Olldashi organizator i paimagjinueshëm.
 
Nga një koment për trinomin e burrave të fortë të politikës shqiptare: si i sheh Nikoll Lesi Ramën, Metën, Berishën? Pa harruar dhe Nanon tashmë të larguar.


 Edi Rama ka rastin e artë të bëjë histori të madhe kombëtare dhe t’i skalitet emri me gërma të arta. Ilir Meta mbetet burrë shteti. Sali Berisha ishte burrë shteti, kurse Fatos Nano kishte rastin të bëhej burrë shteti, por nuk u bë kurrë i tillë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama