Nino i Luizes i perkedheluri i gjykatave dhe i prokurorise

'Nino' i Luizes i perkedheluri i gjykatave dhe i prokurorise

Vrasja e katërfishtë e ndodhur në kryeqytet nga djali i deputetes së PS Luiza Xhuvani, mund të mos kishte ndodhur nëse tre vite më parë gjykata dhe prokuroria e Tiranës nuk do kishin përkëdhelur 26-vjeçarin Xhuvani. Kostandin Xhuvani, i njohur me nofkën “Nino” falë kësaj përkëdhelia gjatë këtyre tre viteve është përfshirë në një sërë incidentesh kriminale, që sollën më në fund dhe masakrën e katërfishtë në ambientet e një lokali tallavaje. Por si ka mundur të shpëtojë nga kthetrat e ligjit Konstandin Xhuvani, djali i dy artistëve të njohur Gjergji dhe Luiza Xhuvani.

Emri i tij bëri bujë në kronikat e zeza, kur në shkurt 2011 Xhuvani ekzekutoi me armë zjarri pistoletë shtetasin Alfred Musabelli. Ngjarja bëri bujë akoma dhe më tepër kur, policia nuk po gjente dhe arrestonte dot autorin kryesor të kësaj vrasje, Kostandin Xhuvanin. Pas një jave, ky i fundit vetëdorëzohet në polici, duke pretenduar se kishte vrarë Musabelliun në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme, pasi nëse nuk do kishte qëlluar në drejtim të tij, Musabelliu do e kishte vrarë. Çuditërisht ky version merret në konsideratë nga prokuroria e cila vetëm me pretendimin e Xhuvanit dërgon dosjen në gjykatë me akuzën e “Vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Çudia e vendimit


Duket se gjërat dhe fati i Kostandin Xhuvanit ishte pjekur ditë para se ai të vetëdorëzohej në polici. 23-vjeçari në atë kohë, del para gjyqtarit Gerd Hoxha dhe kërkon pendesë duke pranuar akuzën, por duke shtuar se nuk donte ta vriste Musabelliun. Ai i rrëfeu gjykatës se nuk do ta kishte qëlluar nëse do kishte dijeni se pistoleta e Musabelliut ishte lodër. Në këto kushte Xhuvani kërkon gjykim të shkurtuar, kërkesë që pranohet nga gjykata dhe automatikisht ai përfiton uljen me 1/3 e dënimit. Përfundimisht gjyqtari Gerd Hoxha e dënon me 2 vite burg, vendim që ju duk të gjithëve i çuditshëm. Çudia vijoi edhe më tej, pasi prokuroria nuk apeloi vendimin e shkallës së parë. Gjithçka ishte “kopsitur” në favor të Xhuvanit.

Incidenti në burg


Në korrik 2011 Konstandin Xhuvani gjatë kohës së fuajtjes së dënimit  në burg, ka qëlluar me grushta gardianin Dritan Ismaili, pasi ky i fundit ishte duke bërë detyrën, kontrollimin e të dënuarve. Incidenti ka ndodhur në burgun 302 në Tiranë. Për këtë incident të rëndë Xhuvani është shpallur fajtor duke u dënuar me vetëm 2 muaj burg për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”.

Rasti i Lazaratit


Në muajin maj, kur policia filloi aksionin në Lazarat mes dhjetëra personave të shpallur në kërkim si autorë që qëllojnë më armë drejt policisë, ishte dhe emri i Kostandin Xhuvanit. Disa orë më pas ky i fundit, doli në Tiranë duke deklaruar se ndodhej në shtëpi. Çudia ka vijuar disa ditë më pas, kur Luiza Xhuvani e ka marrë të birin dhe e ka çuar në parlament, duke pohuar se djali i saj ndodhej në Tiranë dhe jo në Lazarat.

Ishte në kërkim


Në muajin prill të këtij viti Xhuvani përfshihet sërisht në një incident me armë, këtë herë në Gjirokastër. Ai kanos me pistoletë shtetasin Ergysh Gashi. Ky i fundit ka depozituar kallëzim penal dhe se prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet. Nga ana tjetër policia ka bërë shpalljen në kërkim të Xhuvanit. Pavarësisht kësaj Xhuvani prej muaj lëvizte i lirë në rrugët e Tiranës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama