Nipi i Bitrajt festa te shfrenuara dhe hua me parate e Thesarit

Nipi i Bitrajt, festa te shfrenuara dhe hua me parate e Thesarit

Dëshmitë e pesë shokëve të Klevis Bejtajt

 

Dyshime të forta të prokurorisë bien mbi bashkëpunimin e Ardian Bitrajt me nipin e tij, Klevis Bejtaj, pasi shokët e tij kanë rrëfyer se ky i fundit u organizonte shpeshherë festa të mëdha dhe ishte i vetmi që gjithmonë kishte para me vete, madje jepte borxhe pa problem te të gjithë. Për këtë arsye, Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës ka shtrirë hetimet edhe te familjarët e të arrestuarit, ndërkohë që pronarët e dy pikave bastesh, ku Bitraj pretendon se ka lënë paratë e Thesarit, kanë deklaruar se shuma totale e lekëve të lëna prej tij shkojnë në 300 mijë euro. Këto dëshmi shtyjnë prokurorinë edhe më tej për të dyshuar se Bitraj ka fshehur pjesën dërrmuese të parave ose i ka ndarë me bashkëpunëtorë të tjerë.

 

Shokët e nipit

 

Burimet nga grupi hetimor thanë se shpresat për të gjetur paratë e vjedhura nga thesari i Bankës së Shqipërisë nga Ardian Bitraj, kanë shtrirë hetimet dhe te shokët e nipit të këtij të fundit, Klevis Bejtaj. Sipas hetimeve, 26-vjeçari, i cilësuar nga prokuroria si bashkëpunëtor në vjedhjen e 713 milionë lekëve nga daja i tij, sipas rrëfimit të disa shokëve të pyetur për këtë ngjarje, herë pas here organizonte festa të mëdha, që kanë pasur fatura të majme financiare. Pesë shokët e Bejtajt flasin për të paktën katër festa që janë organizuar prej tij, ndërkohë që ishin të bindur se ai kishte shumë para, pavarësisht se nuk e dinin se nga vinin. Madje, për grupin hetimor kanë rrëfyer se herë pas here ata i kanë kërkuar para borxh, pasi e dinin që ai kishte gjithmonë lekë me vete. Dëshmitë e tyre, të marra gjatë kësaj jave, janë administruar nga grupi që po heton vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, me qëllim për të mësuar më tepër rreth aktivitetit të 26-vjeçarit që dyshohet se ka bashkëpunuar me dajën e tij Ardian Bitraj. Sa u përket festave, ata kanë treguar vendet dhe kohën konkrete, ku dhe kur janë organizuar ato dhe pothuajse të gjitha faturat i paguante Bejtaj. Sa i përket pyetjes së prokurorëve, nëse ata kishin ose jo dijeni që Klevis Bejtaj frekuentonte lojërat e fatit, njëri prej tyre është shprehur se 26-vjeçari disa herë hynte në pikat e basteve sportive, por nuk ka pasur dijeni nëse ai luante ose jo në këto pika bastesh. Ndërsa për kompjuterët e lojërave të fatit, shokët e tij kanë thënë se nuk e kanë parë ndonjëherë, pavarësisht se njihen prej kohësh.

 

Pronarët e basteve

 

Me interes të lartë për të forcuar dyshimet e prokurorisë kanë qenë edhe dëshmitë e dy administratorëve të pikave të basteve sportive që frekuentonte Ardian Bitraj. Gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit, ata kanë treguar se ai humbiste shpeshherë në lokalet e tyre me baste sportive, por nuk ka lënë aq shumë para se pretendohet prej të arrestuarit. Sipas tyre, shuma totale që ai ka lënë në dy pika bastesh gjatë këtyre viteve mund të shkojë maksimalisht 300 mijë euro. Ata kanë shtuar se Bitraj mund të ketë luajtur edhe në vende të tjera ose në kazino, gjë që ka sjellë harxhimin e një shume kaq të madhe parash, megjithëse Bitraj ka deklaruar me bindje të plotë se paratë i ka lënë në këto dy pika bastesh. Shifrat që administratorët e lotove përmendin shtojnë dyshimet te prokurorët, se një pjesë e parave mund të jetë fshehur diku nga Ardian Bitraj dhe nipi i tij, Klevis Bejtaj. Por, të paktën në banesa dhe llogaritë bankare nuk është gjetur asnjë monedhë e vjedhur nga thesari. Vjedhja e Thesarit të Shtetit ka përfshirë në hetime paralele edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila prej disa ditësh ka regjistruar kallëzim penal për hetim pasuror, duke nisur kështu hetimet për rreth 70 persona. Burime pranë kësaj prokurorie thanë se hetimi pasuror për dhjetë të arrestuarit e njësisë Task-Forcë dhe familjarëve të rrethit të ngushtë shoqëror të tyre, ka nisur në bazë të ligjit “Antimafia”, i cili parashikon verifikime në disa breza. Bashkëshortë, gra, vëllezër, motra, shokë e deri te kunetërit do të verifikohen, me qëllim zbulimin e pasurisë së tyre, e cila nëse nuk justifikohet, do të sekuestrohet.

 

 

 

45-vjeçari Ardian Bitraj vijon të përjashtojë se ka pasur bashkëpunëtorë në vjedhjen e Thesarit

Prokuroria ka urdhëruar që Bitraj të mos lejohet për të takuar avokatin apo familjarët e tij

 

 

Thesari

 

Prokuroria dyshon se ai ka ndërtuar rrëfimin për të pasur një alibi të mirëmenduar

 

“Bitraj mashtron për paratë e vjedhura”

 

Edhe pse të dyja herët që është pyetur nga Prokuroria, Ardian Bitraj ka pohuar se 713 milionë lekët e vjedhura në Bankën e Shqipërisë i ka lënë në lojërat e fatit në rrugën “Fortuzi”, prokuroria thotë se ekonomisti nën hetim nuk është i sinqertë dhe me shumë mundësi ai gënjen.

 

Ne dyshojmë, ka thënë për “Top Channel” një burim konfidencial, se Bitraj e ka ndërtuar rrëfimin e tij më tepër për të pasur një alibi të mirëmenduar, në mënyrë që t’i fshehë hetimit se çfarë ka ndodhur më tej me lekët e përfituara nga Departamenti i Emisionit, ashtu sikundër faktit që 45-vjeçari vijon të përjashtojë se ka pasur bashkëpunëtorë në këtë histori.

 

Nga verifikimet e deritanishme të katër kompanive të bllokuara në lagjen “Fortuzi”, kompani të lojërave të fatit që janë përmendur nga Bitraj, burimet thonë se Bitraj nuk ka shpenzuar tek ato më tepër se 300 mijë euro, ndërkohë që shuma është 713 milionë lekë. Edhe pse të dhënat tregojnë se Bitraj ka qenë një lojtar i lojërave të fatit, prokuroria këmbëngul se provat e deritanishme i rrëzojnë të gjitha dyshimet se ai i ka përfituar i vetëm të gjitha lekët e vjedhura prej tij. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet paraprakisht se bashkëpunëtorët më të afërt të Bitrajt kanë qenë nipi i tij, Klevis Bejtjaj, Mimoza Bruzja dhe ish-drejtori i Degës së Thesarit, Dorian Çollaku. Lënia e Departamentit të Thesarit në atë gjendje pa rregullore dhe aq më tepër pa kasafortë, ka shumë mundësi, thotë prokuroria, të ketë ndodhur qëllimisht dhe jo nga neglizhenca apo paaftësia.

 

Aktualisht Ardian Bitraj ndodhet tashmë në Burgun 302 dhe me kërkesë të organit të hetimit, autoriteteve të burgjeve u ndalohet që të lejojnë avokatin apo familjarët e tij për ta takuar. Ndërkohë, numri i personave që do t’i nënshtrohen hetimit pasuror janë 70, prindër, bashkëshortë e bashkëshorte, si edhe vëllezër e motra deri te kunetërit e dhjetë të arrestuarve të deritanishëm.

 

Por, prokuroria thotë në rrugë jozyrtare, se ende nuk ka një përgjigje nga institucionet përkatëse sikurse hipotekat, bankat e nivelit të dytë, ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive që të pasqyrojë llogaritë bankare dhe asetet pasurore të secilit. Kjo vonesë ndoshta vjen për shkak të pushimeve verore, megjithatë organi i hetimit shpreson se në shtator ata do t’i kenë në dispozicion raportet përkatëse.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama