Prej orëve të para të mëngjesit, Policia e Shtetit është duke u përballur me një operacion të vështirë në fshatin Lazarat, ku ndërhyrja për asgjësimin e lëndës narkotike hashash, dhe kapjen e personave me precedentë penalë, ka hasur në rezistencën e një grupi personash, të cilët kanë hapur zjarr ndaj policisë. Të shtënat e armëve nga ana e banorëve kanë filluar që prej mbrëmjes së djeshme pas dyshimit për një ndërhyrje të mundshme të policisë në këtë fshat.
Në terren ndodhen 500 forca policie, ato të Qarkut të Gjirokastrës të mbështetur dhe nga forcat speciale RENEA dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa operacioni drejtohet nga kreu i Policisë Artan Didi.Me anë të një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se aktualisht në Lazarat vazhdon shkëmbimi i zjarrit nga personat e lokalizuar, ku mes të cilëve është identifikuar dhe Razip Mahmutaj, i njohur për veprimtarinë e tij kriminale.
Sipas policisë, Mahmutaj është arrestuar kohë më parë dhe është dënuar me 22 vite burgim, por një dekret i Presidentit në vitin 2006 i ka dhënë atij lirinë me anë të faljes. Policia thekson se gjatë aksionit ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të uniformave blu nga banorë të Lazaratit, të cilët tashmë janë identifikuar. Si pasojë këtyre të shtënave mbeti i plagosur një 45-vjeçar nga Lazarati.
Operacioni nuk do të ndërpritet dhe do të vazhdojë deri në arrestimin e këtij grupi kriminal, pavarësisht kundërshtimeve të tyre duke qëlluar mbi blutë. Ky grup personash, ka përdorur armë të rënda si antitank, mitroloz i rëndë e i lehtë, mortaja etj. Nga strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni po bashkëpunohet dhe me Prokurorinë e rrethit. Po ashtu, është kërkuar bashkëpunimi i pushtetit lokal dhe i banorëve të fshatit Lazarat, që të distancohen nga ky grup personash dhe të japin kontributin e tyre në drejtim të kapjes së tyre.