Nis festivali ne RTSh Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi kthehen si 40 vjet me pare

Nis festivali ne RTSh, Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi kthehen si 40 vjet me pare
Mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve nisi nata e parë e festivalit të 51-të të muzikës së lehtë shqiptare në RTSh, me prezantues Enkel Demin dhe Florina Garon. Në këtë vit një vend të veçantë do të zërë nderimi dhe risjellja e emocioneve të Festivalit të 11-të, një nga festivalet më të komentuar në historinë e këtij eventi. Nata e mbrëmshme pati të ftuar special grupin hungarez “Compact Disco”, të cilët  kanë qenë pjesëmarrës në “Eurosong” sivjet.

Surprizë ishin edhe 4 këngët  që u kënduan nga emrat e njohur të skenës. Kështu është ngjitur në skenë  Sherif Merdani  me këngën “Duart e tua”,  Mariza Konomi me “Udhët janë të bukura”, Luiz Ejlli ”Kur vjen pranvera” dhe Juliana Pasha me këngën e Vaçe Zelës “Natën vonë”.  Ndërkohë sot që është nata e dytë do të rivijnë këngët: “Në ekranin e televizorit”, nga  Justina Aliaj; “Shoqja ime më e mirë”, nga Saimir Braho; “Rruga e Dibrës”,  nga Soni Malaj;dhe “Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”, e sjellë nga Mira Konçi. I ftuar special i natës së sotme do të jetë grupi “Hari Mata Hari” nga Bosnja. Ndërkohë në natën finale surprizat dhe nostalgjia do të ngjiten më fuqishëm së kurrë në këtë përkujtimore të veçantë për Festivalin e 11-të.

Të shtunën në skene do rikthehen si 40 vjet më parë Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi. I ftuar special do të jetë grupi nga Azerbajxhani “Ell&Nikki” (Eldar Gasimov & Nigar Jamal),  fituesit e Eurosong 2011 dhe prezantuesit e “Eurosong 2012”. Të ftuar special do të jenë edhe Saimir Pirgu dhe violinisti shqiptar i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli. Në natën finale do të zgjidhet edhe emri fitues, i cili do të përfaqësojë vendin tonë në “Eurosong”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama