Nis konkursi per drejtuesin e Teatrit Kombetar

Nis konkursi per drejtuesin e Teatrit Kombetar

“Pas shumë vitesh stanjacion në skenën teatrore dhe përdorime të fondeve publike pa sjellë rritje të cilësisë artistike, Ministria e Kulturës konsideron se reforma në Teatrin Kombëtar është jo vetëm e domosdoshme, por edhe e pashmangshme. Kjo është kërkesë e politikave të reja për menaxhimin dhe edukimin artistik, por edhe thirrje që vjen nga vetë komuniteti i artistëve.

Takime, shkrime dhe opinione të ndryshme artistësh në media pohojnë se TK është në krizë, por mendimtarët e tij thonë se kriza është e domosdoshme për ta kërkuar e rinovuar çdo ditë vetë artin”, shkruajnë nga MK për konkursin që do të zhvillohet për drejtuesin e TK-së.

Konkursi do të jetë i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e mëposhtme, të cilat deri në afatet e shënuara do të shpallin platformat e tyre për TK dhe do t’i mbrojnë ato përpara një komisioni përzgjedhës. Pranohen në këtë pozicion personat të cilët plotësojnë këto kërkesa të përgjithshme:

a) Të jenë shtetas shqiptar.

b) Të kenë zotësi të plotë për të vepruar.

c) Të përmbushin kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojnë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës.

ç)Të jenë në kushte shëndetësore të mira për të kryer detyrat përkatëse.

d) Të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi.

dh) Të mos jetë marrë ndaj tyre masa disiplinore e largimit nga shërbimi civil për shkak të një shkeljeje të  rëndë disiplinore. Kërkesa të veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për pozicionin: Drejtori i Teatrit Kombëtar duhet:

1) Të ketë arsim universitar dhe kualifikime plotësuese në fushat e: artit, menaxhimit, drejtimit të projekteve kulturore..

2) Të ketë përvojë të konsiderueshme në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit skenik.

3) Të dëshmojë përvoja ndërkombëtare në fushat e përmendura në pikën 1 dhe 2.

4) Të njohë problemet aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij përkrah modeleve më të mira bashkëkohore.

5) Të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës.

6) Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme, si të sektorit publik ashtu edhe atë privat.

7) Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve brenda dhe jashtë institucionit si dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë.

8) Të ketë njohuri të mira të një ose më shumë gjuhëve të huaja. Kandidati duhet të propozojë një platformë për reformimin e institucionit të Teatrit Kombëtar në përgjigje të objektivave të mëposhtme: artistike, të politikës kulturore dhe në në administrim. Kandidati duhet të paraqesë dokumentet brenda datës 26 dhjetor 2013 pranë Zyrës së Protokollit në Ministrinë e Kulturës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama