Për shkak të kërkesave të vendosur nga KQZ, të gjithë qytetaret që duan të firmosin këtë kërkesë duhet të sjellin dhe një fotokopje të mjetit të identifikimit, pasaportë ose kartë identiteti, pranë pikave ku mblidhen firmat. Në ditët në vijim të tjera pika do të hapen për mundësuar marrjen e firmave për zhvillimin e referendumit. “Në zbatim të parakushtit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që duan të angazhohen në këtë fushatë referendare të paraqiten pranë pikave ku mund firmoset referendumi për të kontaktuar me organizatorët. Sot ne si qytetarë ndodhemi përpara një momenti historik të aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumit për një çështje e cila na prek të gjithëve qofshim ne të majtë të djathtë apo pa parti! Ndaj ju ftojmë të mbrojmë jetën tonë dhe të brezave që do vijnë duke firmosur referendumin!”,- apeloi përfaqësuesi i kësaj aleance, Aldo Merkoçi.
Një tjetër nismëtare e kësaj aleance, Kozara Kati, tha se objektivi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave është që brenda muajit shkurt të mblidhen mbi 50 mijë firma në të gjitha qytetet. “Qëllimi i referendumit është për t’i thënë jo importit të mbetjeve të plehrave nga jashtë. Të garantojmë zbatimin e ligjit të menaxhimit të mbetjeve tona, i cili nuk ndikohet aspak nga heqja e tre neneve që pretendojmë ne. Kërkesa jonë do të miratohet pasi të kemi mbledhur 50 mijë firma nga qytetarët e Shqipërisë”, – deklaroi Kati, e cila është dhe pjesëtare në Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut.
Në bazë të Kushtetutës, procesi i mbledhjes së firmave ka një afat 3-mujor, ndërsa përfaqësuesit e AKIP shprehin besimin se firmat do të jenë gati në më pak kohë, pavarësisht dokumenteve shtesë që janë kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse më parë për të mbledhur firmat duhet që të firmosje fletën – tip të formuluar nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve, tani personi që do të bëhet pjesë e procesit duhet të japë dhe një fotokopje të mjetit të identifikimit. Gjithashtu personi që do të firmosë fletën për thirrjen e referendumit duhet të jetë votues i qarkut përkatës.
Pikat ku firmoset referendumi
Qendra Sociale tek rruga “Hoxha Tasim” vila 187/1 200m mbi “Optika Roma”
Zyrat e Lëvizjes MJAFT! tek rruga e “Elbasanit” Nr. 32 kati i katërt përballë Ambasadës Amerikane
Tek blloku kryqëzimi i Rrugës “Vaso Pasha” me Rrugën “Nikolla Tupe” pranë ish bar “Mjelmës”
Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës
Në Vlorë pranë Kinoteatrit
Në Korçë pranë Qendrës SOL tek Rruga “Papa Llambro Ballamaci” Blv. “Republika” Nr 2.
Nismëtarët: Pesë arsye pse duhet ndalur importi i plehrave
Grupi i nismëtarëve të Aleancës Kundër Importit të Plehrave kanë dhënë dje pesë arsye pse çdo shqiptar duhet të firmosë fletën për mbledhjen e nënshkrimeve për referendum. Në një deklaratë të përbashkët, 12 aktivistë të njohur shqiptarë e cilësojnë që në fillim të komunikimit të tyre importin e mbetjeve si një akt të rrezikshëm. “Ne, qytetarët e angazhuar në Aleancën Kundër Importit të Plehrave mendojmë se lejimi i importit të mbetjeve në Republikën e Shqipërisë përbën një akt të rrezikshëm për qytetarët dhe territorin shqiptar, për arsyet e mëposhtme: Në mungesë të kapaciteteve për trajtimin e mbetjeve importi i do ta përkeqësojë nivelin e papastërtisë në territorin shqiptar. Në vend të importit të mbetjeve shtesë Shqipëria duhet të merret me trajtimin e mbetjeve që ne vetë prodhojmë”, – vlerësojnë nismëtarët e AKIP. Së dyti, sipas tyre, mungesa e kapaciteteve administrative, e infrastrukturës ligjore dhe monitoruese, e bën të vështirë kontrollin e importit të mbetjeve në Shqipëri. Nga ana tjetër, ata shprehin shqetësimin se “kontrolli i biznesit të mbetjeve në vendet fqinje nga organizata mafioze rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion të mbetjeve të rrezikshme”.
Sipas tyre, lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm. Gjithashtu, 12 aktivistët sqarojnë se lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me Konventën e Aarhus-it pasi është një vendim që merret pa u konsultuar me komunitetet mbi jetën e të cilëve ai do ketë ndikim direkt. “Për të gjitha këto arsye lejimi i importit të mbetjeve në kushtet aktuale rrezikon jo vetëm mjedisin por edhe vetë jetën e qytetarit shqiptar”,- thuhet në deklaratën e përbashkët të nismëtarëve të Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Përbërja e kësaj aleance është një grupim organizatash të shoqërisë civile, individësh dhe aktivistësh të ndryshëm. Aleanca është vazhdim i Grupit Reagimi Qytetar, një grupim ad-hoc i krijuar nga bashkimi i disa organizatave dhe individëve të shoqërisë civile në vitin 2004 për të ndaluar importin e mbetjeve urbane dhe djegien e tyre në Kashar të Tiranës.
Në kuadër të nismës së saj, AKIP deklaron se është e hapur për anëtarësim ndaj çdo grupimi apo individi që dëshiron t’i bashkëngjitet misionit të saj për ndalimin e importit të mbetjeve. Pas mbledhjes së firmave, aleanca do të duhet t’i durojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të gjitha fletët e nënshkruara për të mundësuar mbajtjen e referendumit. Pas verifikimit, KQZ duhet të vendosë nëse kërkesa legjitimohet ose jo. Vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka sqaruar më parë se çdo firmë e hedhur në fletë do të verifikohet nga administrata e institucionit të administrimit të zgjedhjeve. Megjithëse këtë herë janë shtuar dy kërkesa më shumë për marrjen e firmave, Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka marrë masat për administrimin dhe përmbushjen e detyrimit kushtetues.
Grupi Nismëtar i Aleancës Kundër Importit të Plehrave
1. Lavdosh Ferruni Ambientalist
2. Kozara Kati, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut
3. Alfred Moisiu Ish President i Republikës së Shqipërisë
4. Ermira Pirdeni, Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat
5. Elton Kacidhja Lëvizja Mjaft
6. Aldo Merkoci Lëvizja Mjaft
7. Blendi Kajsiu Analist
8. Fatos Lubonja Publicist
9. Andi Kananaj Res Publica
10. Ardian Klosi Studiues
11. Përparim Kabo Sociolog
12. Andi Tepelena Kurator arti
13. Premto Gogo KRIK Albania
Çfarë parashikon Kushtetuta
REFERENDUMI / Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
Ç’duhet të përmbajë fleta e nënshkrimit
Emri, atësia dhe mbiemri i zgjedhësit që nënshkruan në fletë, të jenë sipas dokumentit të identitetit dhe të shkruhen me germa kapitale, lehtësisht të dallueshme
Numrat e dokumentit të identitetit të shkruhen qartë, lehtësisht të dallueshme
Personat që nënshkruajnë të fletën tip duhet të jenë zgjedhës në momentin e paraqitjes së kërkesës
Çdo nënshkrues plotëson individualisht, me shkrim dore të dhënat në rreshtin përkatës pa korrigjime
Fletës Tip i bashkëlidhen fotokopje të dokumentit të identifikimit të zgjedhësve që do të nënshkruajnë, (pasaportë, kartë identiteti), të renditura sipas radhës së emrave në Fletën Tip.