Testi
Testi për provimin e Matematikës do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat, 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Për 13 pyetjet e para që janë me zgjedhje, maturantët duhet të rrethojnë vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Kurse pyetjet e tjera kanë kërkesa që janë me zgjidhje dhe arsyetim. Pranë secilës pyetje ka hapësirë për të kryer veprimet e nevojshme. Po ashtu, në fund të testit do të lihet hapësirë për kryerjen e veprimeve në ndihmë të zgjidhjes së pyetjeve. Ministria e Arsimit nëpërmjet programeve orientuese ka përcaktuar se çfarë do të përmbajë testi i Matematikës dhe peshën që do të ketë secila fushë ose linjë e kësaj lënde në provim, gjë që tregon se nga cilët tema do të nxirren edhe pyetjet.
Në tri programet e ndryshme orientuese për Matematikën, që janë njëri për gjimnazin e vitit 2012, tjetri për gjimnazin me drejtim gjuhësor dhe për shkollat e mesme artistike 3-vjeçare sqarohet se ku duhet të përqendrohen maturantët gjatë përgatitjes për këtë provim. Brenda fondit të madh të pyetjeve, ato që do të përzgjidhen për të qenë pjesë e testeve përfundimtare të Matematikës do të bazohen në tre nivele vështirësie, duke filluar nga pyetjet më të lehta deri tek ato më të vështirat për nxënësit më të mirë. Për rrjedhojë, të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të Maturës. Kështu, në masën 40%, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel, i cili korrespondon me nivelin e tretë, sipas kategorizimit që u është bërë nxënësve për nivelin e tyre arsimor. Në këtë mënyrë, këta maturantë, dijet e të cilëve nuk janë për t’u lakmuar, do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës.
Ekzistenca në shkolla edhe e nxënësve jo të mirë ka çuar në këtë vendim të specialistëve, në mënyrë që edhe kjo kategori të mos mbetet pa iu përgjigjur asnjë pyetjeje në provim. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit pak më të mirë në mësim se të dobëtit, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40% të pikëve (nëse është i mirë për nivelin ku bën pjesë), ata të nivelit të dytë 80%, dhe maturantët e nivelit të parë 100% të pikëve, pra vlerësim maksimal.
Për gjimnazin 2012
Tabela e peshave sipas linjave në përqindje
Numri dhe veprimet me numra 7%
Matja 10%
Algjebra 10%
Funksioni 15%
Gjeometria 25%
Njehsimi diferencial e integral 20%
Statistikë, probabilitet dhe kombinatorikë 13%
Për gjimnazin me drejtim gjuhësor
Tabela e peshave sipas linjave në përqindje
Numri dhe veprimet me numra 7%
Matja 10%
Algjebra 10%
Funksioni 15%
Gjeometria 25%
Njehsimi diferencial e integral 20%
Statistikë, probabilitet dhe kombinatorikë 13%
Për shkollat e mesme artistike 3 -vjeçare
Tabela e peshave sipas linjave në përqindje
Numri dhe veprimet me numra 8%
Matja 12%
Algjebra 12%
Funksioni 15%
Gjeometria 25%
Njehsimi diferencial 15%
Statistikë, probabilitet dhe kombinatorikë 13%