Nishani ISIS kercenim serioz per te gjithe

Nishani: ISIS kercenim serioz per te gjithe

Presidenti Bujar Nishani i cili zhvilloi takime të veçanta me një delegacion të Komitetit Hebreo-Amerikan, me drejtues të B’nai B’rith, organizatës së hebrenjve amerikanë me seli në New York dhe me një përfaqësi nga Kongresi Botëror Hebre, e cilësoi Shtetin Islamik si një kërcënim serioz për çdo individ dhe vend, pavarësisht fesë dhe racës. Kreu i shtetit shtoi gjithashtu se Shqipëria për këtë arsye, është rreshtuar me vendosmëri dhe me kontribut konkret, përkrah partnerëve tanë, në luftën kundër kësaj të keqeje globale, në një koalicion të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, si fuqia më e aftë për të drejtuar një sipërmarrje të tillë.

Në qendër të këtyre takimeve ishin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, dhe ato ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, bashkëpunimi i Shqipërisë me komunitetin hebre në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, lufta kundër antisemitizmit dhe çështjet e sigurisë në vijim të zhvillimeve më të fundit.

Presidenti Nishani i vlerësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mikun dhe partnerin më të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët për arsye të rolit vendimtar në pavarësinë e Shqipërisë, në rrëzimin e komunizmit, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme të proceseve demokratike në vendin tonë dhe integrimit evropian.

Ndërsa, për sa u përket marrëdhënieve me Izraelin, Nishani theksoi se ato janë të shkëlqyera, të mbështetura në një histori të pasur dhe miqësore, dhe me mundësi të shumta bashkëpunimi të mëtejshëm në fushën ekonomike, politike dhe kulturore, duke shtuar se bashkëpunimi më i ngushtë me komunitetin hebre mund të ndihmojë më shumë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve dhe veçanërisht, në edukimin për Holokaustin, luftën kundër antisemitizmit dhe ideologjive të tjera ku bazohen diktaturat. Përfaqësuesit e komunitetit hebreo-amerikan shprehën vlerësimin e lartë për atë çfarë shqiptarët bënë për shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit, për pozicionin e pandryshuar të Shqipërisë për çështjet e sigurisë kudo në botë dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar në luftën kundër antisemitizmit dhe formave të tjera ideologjike diskriminuese.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama