Rritet ndjeshëm tensioni i marrëdhënieve mes Presidentit dhe Kryeministrit. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, akuzon Kryeministrin Edi Rama se po kërkon pushtet absolut, duke synuar marrjen e kompetencave dhe të Presidentit. Reagimi i kreut të shtetit erdhi pasi dy ditë më parë, Kryeministri, gjatë prezantimit të arritjeve për 300 ditët e qeverisë, shprehu palumturinë ndaj Nishanit. Në një reagim të gjatë, kreu i shtetit akuzon Kryeministrin se kërkon që të uzurpojë institucionet e pavarura, duke përfshirë këtu edhe institucionin e KLD-së apo dhe prokurorinë.
Qëndrimi
Nishani thotë se ndihet gjithmonë nën presion, edhe pse është betuar që do të respektojë deri në fund të mandatit të tij ligjin themeltar të shtetit. “Këtë qëndrim nuk e mban për egon e tij personale, por për liritë dhe të drejtat e njeriut, standardet demokratike që rrezikohen kur tendenca për të goditur institucionet e pavarura po shquhet gjithnjë e më shumë. Shqiptarët kanë nevojë për të vërtetën dhe jo iluzionin e saj, që është manipulimi. Qeveria mesa duket dëshiron një President, një prokuror, një sistem drejtësie dhe KLD jo të reformuar, por të komanduar nga Kryeministri. Ëndërr e keqe kjo! Vizion i frikshëm”, thuhet në reagimin zyrtar të kreut të shtetit. Ndërsa shprehet me ironi se një lumturi të tillë që, sipas tij, synon kapjen e institucioneve, nuk mund ta pranojë. “A jemi të gatshëm si shoqëri që ta bëjmë të lumtur Kryeministrin, duke i dhënë pushtet të pakufizuar!? Unë mendoj se jo, ndonëse njerëzisht i uroj çdo të mirë dhe lumturi të plotë. E siguroj atë dhe këdo tjetër se do të vazhdojë të mbetet i palumtur në ambicien politike për të grumbulluar rreth vetes pushtet të pakufizuar në kurriz të demokracisë shqiptare. Do të mbetem në çdo moment të punës time besnik i Kushtetutës dhe interesave të bashkatdhetarëve të mi e nëse ky qëndrim imi bën të palumtur ndokënd që dokumentin themelor të shtetit e sheh si pengesë për të pasur pushtet absolutist, atëherë jam i lumtur, sepse i kam shërbyer mirë vendit tim”, shprehet Presidenti. E duke argumentuar më tej këtë qëndrim të tijin, Nishani sqaron se “institucionet dhe marrëdhënia e detyrueshme ndërmjet tyre në një sistem demokratik funksionojnë në bazë të ligjit dhe Kushtetutës e jo të etikave dhe emocioneve personale”. “Punoj çdo ditë me këtë bindje, indiferent ndaj presioneve, por i keqardhur për burimin e tyre. Siç jeni të informuar nga mediat çdo ditë, Kryeministri dhe qeveria e kryesuar prej tij përgatisin projektligje dhe votojnë ligje që cënojnë kompetencat e Presidentit të Republikës në kërkim të një pushteti të pakufizuar”, vijon qëndrimin e tij Presidenti. Nishani nuk ka lënë pa ironizuar edhe Kryeministrin Rama për një etje për pushtet. “Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të republikës sonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij. Por nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale të humanizmit Kryeministri e sheh të projektuar në horizont duke cënuar Kushtetutën e vendit, institucionet e pavarura, si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.
Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga mendësi të tilla”, thotë Nishani në qëndrimin e tij.
Deklarata e Ramës
Pak ditë më parë, kreu i qeverisë, gjatë fjalimit të tij për raportin e 300 ditëve të qeverisjes së mandatit të parë, u shpreh: “Ne nuk jemi të lumtur me Presidentin, por nuk u kemi dhënë shqiptarëve shembullin e vjetër të një marrëdhënieje jo etike, mes sharjes dhe akuzash. Ne nuk jemi të lumtur me Prokurorin e Përgjithshëm, por nuk kemi zgjedhur rrugën e diskriminimit të këtij institucioni, shohim me shpresë që të zhvillojë drejtësinë. Nuk jemi të lumtur me mënyrën si funksionon KLD-ja, por nuk do të biem në batakun që na ofron ky institucion”, tha Rama.
Obama uron Nishanin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në kuadër të festës së 238-vjetorit të Pavarësisë së tyre, i ka dërguar një letër falënderimi Bujar Nishanit për mbështetjen dhe urimin që ka bërë. “Së bashku me popullin amerikan, ju falënderoj për mesazhin tuaj të mirësjelltë të urimit teksa ne festojmë 238-vjetorin e Pavarësisë! Përfitojmë nga ky rast për t’u ngazëllyer nga trashëgimia multikulturore dhe traditat e pasura që i bashkojnë amerikanët si komb me pjesën tjetër të botës. Ne marrin zemër nga ideali ynë i përbashkët që të gjithë njerëzit duhet të shijojnë lirinë për të gjetur lumturinë dhe begatinë”, thuhet në letrën e Obamës.
KLD: Nisma antikushtetuese, do e zhysni sistemin në anarki
Letra
“Ndaloni procesin, për herë të parë që nga ’91 po shmangen institucionet”
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nëpërmjet nënkryetarit Elvis Çefa, ka depozituar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve një letër mbi ndryshimet ligjore që mazhoranca po ndërmerr. KLD-ja kërkon në mënyrë urgjente që të ndalohet ky proces shqyrtimi nga mazhoranca, pasi nisma bie në kundërshtim me Kushtetutën. “Në mendimin tonë, në mënyrën më emergjente, duhet të stopohet ritmi i këtij procesi, i cili mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme, me qëllim që të vendoset një konsultim institucional dhe i ndershëm”, thuhet në letrën e Çefës. KLD-ja ndërkohë shprehet se e meta kryesore e këtij projektligji, në vlerësimin e anëtarëve, është fakti se ka probleme të rënda kushtetuese. “Në këtë kontekst, me këto ndryshime ligjore, cënohet parimi i ndarjes së pushteteve, konkretisht marrëdhëniet ndërmjet Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Parlamentit apo marrëdhëniet midis KLD-së dhe ekzekutivit. Sot ka një jurisprudencë shumë të pasur të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka dizenjuar në mënyrë të qartë aspektet dhe ka theksuar fort parimet mbi të cilat ndërtohet shteti, por kjo nuk është marrë aspak në konsideratë. Për Këshillin përbën shqetësim procedura e ndjekur, e cila e vendos KLD-në në trysni dhe nuk zgjidh problemin, por zhyt sistemin gjyqësor në anarki. Me këto ndryshime ligjore i hiqet e drejta Këshillit të Lartë të Drejtësisë të verifikojë mandatin e anëtarit të KLD-së të zgjedhur rishtas. Verifikimi i mandatit të një anëtari të ri të tij, është një e drejtë substanciale, në kuadër të pavarësisë kushtetuese institucionale që ka çdo organ kushtetues. Heqja e kësaj të drejte krijon konflikt të pastër kompetencash midis Parlamentit me KLD-në apo Konferencës Gjyqësore në një rast tjetër”, thuhet në shkresën e KLD-së. Për Çefën dhe anëtarët e tjerë, projektligji bie në konflikt të hapur edhe me disa ligje të tjera që rregullojnë sistemin gjyqësor, siç është ligji për Konferencën Kombëtare Gjyqësore apo ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”. “Për mendimin tonë, në shkelje të të gjitha parimeve kushtetuese po i hiqet sovraniteti këtij Këshilli, po cënohet siguria juridike dhe po minohet sistemi gjyqësor”, thuhet në argumentet e KLD-së.