TIRANË14 Nëntor /ATSH- I. Vata/ - Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar mesazh ngushëllimi Presidentit francez Hollande duke shprehur solidaritetin e popullit shqiptar dhe njëherazi ngushellimet për familjet e viktimave, si dhe dënon me forcë sulmet terroriste.
Presidenti Nishani nëpërmjet faqes zyrtare të Presidencës, si dhe statusit të tij në Facebook mengjesin e së shtunes, shkruan se "Aktet e mbrëmshme terroriste në Paris më tronditën pa masë dhe e gjithë mendja e zemra ime janë në këto moment me Ju, me popullin dhe autoritetet franceze. Në emrin tim dhe të popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve të viktimave, Juve, popullit dhe Qeverisë franceze. Të lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë".
Presidenti Nishani thekson se " dënoj me forcën më të madhe këto akte barbare terroriste dhe ektremiste që synojnë të trembin dhe terrorizojnë, jo vetëm Francën dhe francezët, por mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike. Ju siguroj për mbështetjen dhe solidaritetin e plotë, timen dhe të popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin francez, për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike". "Me ndjenjë të lartë solidariteti, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, ngushëllimet e mia më të sinqerta" shprehet Nishani.
/f.n/