Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ai grek, Karolos Papulias, mbajtën një deklaratë të përbashkët për shtyp pas takimit me dyer të mbyllura. Nishani dhe Papulias nuk pranuan pyetje por vetëm mbajtën nga një deklaratë.
Në fjalën e tij, Nishani u shpreh se, kishte biseduar me homologun e tij grek për respektimin e plotë të Traktatit të Miqësisë. Në këtë kuadër, Presidenti shqiptar kërkoi heqjen e Ligjit të Luftës dhe të gjitha aktet nën ligjore që bien në kundërshtim me Traktatin e Miqësisë.
“Theksuam rëndësinë e kontakteve më të shpeshtat të niveleve të larta. Marrëdhëniet tona nuk duhet të dominohet dhe përcaktohet nga e shkuara por nga e ardhmja. Mendojmë se fryma e traktatit të miqësisë duhet të përcaktojë bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Ne besojmë se me vullnet të përbashkët, duhet të zgjidhen të gjitha problemet. Kërkova që parlamenti grek të shfuqizojë Ligjin e Luftës dhe të gjitha ligjet që bien në kundër me nenin 5 të traktatit të miqësisë”, u shpreh Nishani.
Presidenti tha gjithashtu se ka kërkuar nga homologu i tij zgjidhjen e problemeve me toponimet, si edhe çështjen e përcaktimit të kufirit detar.
“Delimitimi detar mbetet një çështje për t’u zgjidhur. Pala jonë është e gatshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me ligjet e brendshme për secilin vend”, deklaroi Nishani duke e cilësuar Papuliasin “mik të veçantë të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Nga ana e tij, Presidenti i Greqisë, theksoi gjatë fjalës së tij se, minoriteti grek dhe emigrantët shqiptarë përbëjnë nyjë lidhëse mes dy vendeve. Papulias e cilësoi minoritetin grek në Shqipërisë si “përbërësit më dinamik të jetës politike dhe ekonomike shqiptare”.
Lidhur me çështjen e përcaktimit të kufirit detar, Papulias tha se Presidenca greke e BE-së do t’i japë përparësi politikave të integruara detare, por nuk dha ndonjë qëndrim lidhur me marrëveshjen e detit mes dy vendeve tona.
Nga ana tjetër, Papulias theksoi se, “Greqia do të avancoi në mënyrë energjike ecurinë e Shqipërisë në BE”, gjatë mbajtjes së presidencës së BE-së që nis në janar të vitit të ardhshëm.
Presidenti grek tha se kishte diskutuar me Nishanin edhe lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë, ku theksoi se duhet gjetur një emër që pranohet nga të gjithë “me përcaktim gjeografik dhe me të gjitha emërtimet”. Në këtë mënyrë, Papulias mbështeti idenë e emërtimit të Maqedonisë si “Maqedonia sllavo-shqiptare”.