Nishani i shprehu mirënjohje kantautorit Cocciante për mbështetjen që i dha këngëtares së re shqiptare si mentor i saj. Ai u shpreh se shqiptarët janë shumë krenarë për suksesin e Elhaidës. “Është vështirësisht e besueshme, por është fakt, se në një kohë tjetër tashmë të perënduar jo fort të largët, që nuk zgjati pak por dhjetra vite, ishin këngëtarët italianë që me muzikën e tyre, meloditë dhe tekstet e atyre këngëve, u bënë shqiptarëve një shërbim tepër të madh; I bënë të ëndërronin! Ata këngëtarë italianë, njëri prej të cilëve jeni sigurisht Ju Zoti Cocciante, kanë luajtur një rol absolutisht të rëndësishëm për ruajtjen e drejtpeshimit shpirtëror të shqiptarëve”, theksoi Presidenti Nishani.
Kantautori Cocciante falenderoi Presidentin Nishani për mikpritjen e ngrohtë dhe u shpreh se kultura dhe arti e kanë mundësinë të kapërcejnë kufijtë që qëndrojnë mes popujve. Kantautori italian theksoi se është shumë e rëndësishme për një artist që të mos harrojë identitetin e tij, të njohë folklorin e popullit të vet dhe ta shprehë atë përmes artit.