TIRANE, 21 Nëntor/ATSH/- Këshilli i Sigurisë Kombëtare i thirrur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u mblodh këtë të shtunë rreth orës 19.05 minuta në selinë e Presidencës për të diskutuar mbi masat që duhen marrë për t'u përballur me terrorizmin, që kanos sot me shumë se kurrë botën pas sulmeve të fundit në Francë.
Mbledhja u mbajt pa praninë e mediave dhe përfundoi rreth orës 20 e 50 minuta.
Në mbledhje morën pjesë Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Jeronim Bazo, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi-Lika, Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako etj.
Në njoftimin e publikuar për mediat nga zyra e shtypit e presidencës bëhet e ditur se gjatë mbledhjes, "Kreu i Shtetit dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pasi vuri në dukje dimensionin politik dhe ideologjik të kësaj lufte të re, theksoi se në këtë situatë kërcënuese, edhe Shqipëria si anëtare e NATO-s, vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe aleat i koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit ka detyrimet dhe përgjegjësitë e veta përkatëse".
Presidenti Nishani vlerësoi masat e marra nga qeveria si dhe angazhimet shumë serioze të agjencive ligjzbatuese në vend për të bashkërenduar veprimet konkrete edhe me partnerët në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit vuri në dukje se në vijim të konkluzioneve të Këshillit Evropian për luftën kundër terrorizmit, Shqipëria është plotësisht e angazhuar për kontrollin e kufijve në rast të ndryshimit të fluksit të korridorit të emigrantëve dhe për parandalimin e trafikimit të armëve, edhe në kuadër të platformave rajonalë për këtë qëllim.
Në përfundim, Presidenti Nishani nënvizoi nevojën se në këtë lloj situate institucionet e shtetit duhen të lëshojnë mbi të gjitha mesazhe të palëkundura garancie dhe stabiliteti për t'i siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë ngritur dhe janë plotësisht operacionalë mekanizmat e reagimit e të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme.
Mbledhja e fundit, e cila ka pasur në fokus çështjen e terrorizmit është mbajtur më 17 janar.
Në këtë mbledhje u vu theksi në nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve të sigurisë, ndërsa kryeministri Rama premtoi në atë kohë Qendrën Kombëtare të Sigurisë.
Megjithëse autoritetet shqiptare thonë se nuk ka një kërcënim konkret për Shqipërinë, në rrugët e Tiranës
vërehen masa të përforcuara sigurie.
Edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka deklaruar se qendrat tregtare, sheshet publike dhe institucione të ndryshme duhet të pajisen me masa shtese për parandalimin e akteve terroriste.
/a.gjonaj/ /a.g/